Çfarë do të thotë “zonë e ndaluar fluturimi” mbi Ukrainë dhe pse NATO nuk e vendos?

Spread the love

    Çfarë do të thotë “zonë e ndaluar fluturimi” mbi Ukrainë dhe pse NATO nuk e vendos?

Në fjalimin e tij virtual para anëtarëve të Kongresit Amerikan, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përsëriti thirrjet e tij për krijimin e një zone të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë.

Ligjvënësit e të dyja palëve kanë thënë se janë të kujdesshëm  për një zonë ndalim-fluturimi  në këtë kohë, sepse ata mendojnë se kjo mund të vendosë drejtpërdrejt SHBA-në kundër Rusisë në qiellin mbi Ukrainën.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, u tha gazetarëve të martën se, pavarësisht kërkesave nga Zelensky, Shtëpia e Bardhë nuk mbështet krijimin e një zone të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë ose furnizimin e Forcave Ajrore të Ukrainës me avionë të rinj luftarakë.

Çfarë është një zonë ndalim-fluturimi?

Një zonë e ndaluar fluturimi është një zonë ku disa avionë nuk mund të fluturojnë për një sërë arsyesh të caktuara. Në kuadrin e një konflikti si ai në Ukrainë, do të nënkuptonte një zonë në të cilën avionët rusë lejohen të fluturojnë, për t’i penguar ata të kryejnë sulme ajrore kundër Ukrainës.

NATO ka vendosur zona ndalim-fluturimi në vendet joanëtare më parë, duke përfshirë Bosnjën dhe Libinë. Megjithatë, është gjithmonë një lëvizje e diskutueshme, sepse do të thotë të përfshihesh pjesërisht në një konflikt pa angazhuar plotësisht forcat tokësore.

Çfarë do të ndodhte nëse NATO do të vendoste një zonë ndalim-fluturimi?

Problemi me zonat ushtarake të ndalim-fluturimit është se ato duhet të zbatohen nga fuqia ushtarake. Nëse një avion rus fluturon në një zonë të ndaluar fluturimi të NATO-s, atëherë forcat e NATO-s do të duhet të ndërmarrin veprime kundër atij avioni. Këto masa mund të përfshijnë gjuajtjen e avionit nga qielli. Kjo, në sytë e Rusisë, do të ishte një akt lufte nga NATO dhe ka të ngjarë të përshkallëzonte konfliktin.

Pse NATO nuk ka vendosur një zonë ndalim-fluturimi?

As Ukraina dhe as Rusia nuk janë anëtare të NATO-s. Presidenti rus Vladimir Putin e sheh qartë NATO-n si një kërcënim të drejtpërdrejtë për autoritetin e tij dhe së fundmi ka kritikuar zgjerimin e saj drejt Rusisë, duke e përdorur atë si justifikim për pushtimin e tij në Ukrainë.

Si rezultat, NATO është jashtëzakonisht ngurruese për t’u përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin e Ukrainës me një fuqi bërthamore rivale. Ndërsa mbështet rezistencën e Ukrainës dhe njeh veprimet e Putinit si një pushtim të një kombi sovran, aleanca thjesht nuk është e përgatitur të bëjë asgjë që mund të interpretohet si një akt i drejtpërdrejtë lufte ndaj Rusisë dhe rrezikon një përshkallëzim që mund të çojë në përdorimin e armëve bërthamore, shkruan CNN. [RrugaPress/ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply