Danas publikon 10 pikat e planit franko-gjerman

Spread the love

Danas publikon 10 pikat e planit franko-gjerman

Gazeta serbe,Danas ka raportuar se e ka siguruar tekstin me e dokumentit përmes rrugëve diplomatike. Ai përmban dhjetë pikë që ishin publikuar edhe nga portale e gazeta tjera paraprakisht. Në këtë variant q[ pretendohet të jetë I përditësuar, sipas gazetës thuhet se Kosova dhe Serbia nuk mund ta përfaqësojnë palën tjetër në sferën ndërkombëtare, potencohet në Danas.

Teksti i në fjalë, fillimisht i njohur si propozimi frëngo-gjerman, ndërkohë u bë dokumenti i mbështetur nga 27 vendet anëtare të BE-së dhe fuqishëm edhe nga SHBA-të, në këtë variant njihet me emrin “marrëveshja bazë” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, 20.1.2023:

Të vetëdijshëm për përgjegjësinë për ta ruajtur paqen;

Të përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Europë;

Duke kuptuar se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit territorial dhe sovranitetit, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare, janë kushte themelore për paqen;

Duke vepruar në bazë të fakteve historike dhe pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të palëve për çështjet themelore, përfshirë çështjen e statusit;

Me dëshirën për të krijuar kushte për bashkëpunimin e partive në dobi të popullit,

Është rënë dakord për sa vijon:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë reciprokisht marrëdhënie normale, të mira fqinjësore mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja palët do t’i njohin reciprokisht dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do t’i zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet ndërmjet tyre vetëm me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët nisen nga supozimi se asnjëra prej tyre nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.

Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Të dyja palët do t’i mbështesin aspiratat e tyre për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian.

Neni 6

Ndërsa kjo marrëveshje bazë përfaqëson një hap të rëndësishëm në normalizim, të dyja palët do ta vazhdojnë procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja me një vrull të ri, duke çuar në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Palët bien dakord që në të ardhmen do ta thellojnë bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, trafikut dhe lidhjes, marrëdhënieve në drejtësi dhe zbatim të ligjit, postë dhe telekomunikacion, shëndetësi, kulturë, fe, sport, mbrojtjen e mjedisit, personat e pagjetur dhe fusha të tjera në mënyrë të ngjashme përmes arritjes së marrëveshjeve specifike.

Neni 7

Të dyja palët avokojnë për arritjen e marrëveshjeve konkrete, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Europës dhe përdorimin e përvojave ekzistuese europiane, në mënyrë që të sigurohet një nivel i duhur i vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësia e ofrimit të shërbimeve në Kosovë në disa fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit ndërmjet komunitetit serb dhe Qeverisë së Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të sigurojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese europiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selitë e qeverisë përkatëse.

Çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Nga të dyja palët u vu në dukje përkushtimi i BE-së dhe kontribuesve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë të ndihmës financiare për projektet e përbashkëta të palëve për zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.

Neni 10

Palët do të krijojnë një komision të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, i cili do të monitorojë zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimet e tyre për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme.


Spread the love


Leave a Reply