Escobar nis vizitën në Tiranë, bisedime me kryeministrin dhe Presidentin

Spread the love

Escobar nis vizitën në Tiranë, bisedime me kryeministrin dhe Presidentin

11 prill 2023 – Zëvendës Ndihmës Sekretari i SHBA për Çështjet Europiane dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, nisi sot pasdite një vizitë në Tiranë me takimin me kryeministrin Edi Rama dhe më pas presidentin Bajram Begaj.

Sipas një njoftimi të shpërndarë nga ambasada amerikane, Zoti Escobar “do të nënvizojë rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme vendore në Shqipëri, nevojën për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe nevojën që partitë politike dhe liderët të sigurojnë që kandidatët të përmbushin kërkesat e ligjit si dhe pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për integritet të lartë”. Bashkëpunimi mes dy vendeve “për përparësitë rajonale dhe globale, përfshirë refuzimin e pushtimit rus të Ukrainës”, është po ashtu pjesë e bisedimeve të tij në Tiranë, ku nesër pritet të takojë përfaqësuesë të opozitës, kryetarin e komanduar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, i cili njihet si drejtuesi zyrtar i demokratëve nga pala amerikane, si dhe kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Ndërsa kryeministri Rama nuk shpërndau ndonjë njoftim mbi temat e bisedës me zotin Escobar, që zgjati më pak se 30, presidenti Bajram Begaj bëri të ditur se “zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor ishin në qendër të takimit” me zyrtarin e Departamentt të Shtetit. Duke vlerësuar “marrëdhëniet e shkëlqyera e të partneritetit strategjik midis dy vendeve”, Presidenti Begaj, u ndal veçanërisht në “mbështetjen që Shtetet e Bashkuara dhe personalisht zoti Escobar, i kanë dhënë procesit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropia”, bën të ditur njoftimi i shpërndarë nga presidenca pas takimit. “Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen e tyre reciproke, është një proces me ndikim të madh rajonal, si në kuadër të aspekteve të sigurisë ashtu edhe të zhvillimit të qendrueshëm të tij”, nënvizoi Presidenti Begaj.

Sipas njoftimit “një vëmendje të veçantë gjatë takimit e mori çështja e sigurisë kibernetike dhe kërcënimeve hibride. Presidenti Begaj, shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe asistencën e agjencive të specializuara amerikane, duke i konsideruar të një rëndësie jetike dhe vendimtare për rritjen e kapaciteteve dhe aftësive kibernetike të Shqipërisë”. [VOA]


Spread the love


Leave a Reply