Gjergj Kristo Frashëri i shkruan letër kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosë Osmani

Spread the love

Gjergj Kristo Frashëri i shkruan letër kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosë Osmani

Të nderuar Albin dhe Vjosë,

Mbi të gjitha, dy çështje trazojnë mungesën e qetësisë mbi të ardhmen e kombit tonë (shqiptar) – Ushtria dhe Arsimi. A nuk janë këto dy shtyllat themeltare të tempullit mbi të cilat ngrihet shteti? Është shoqëria kombëtare e armatosur, që kur e thërret nevoja, të jetë në gjendje të mbrojë vetveten nga dashakeqësit e pashmangshëm të rracës njerëzore. Është po ajo shoqëri kombëtare, e përbërë nga njerëz të mësuar (arsimuar) dhe të ditur me edukatën kombëtare europiane, që nxjerrin në krye Dritën e Diturisë së vet, që të zbulojë dhe të ecë në rrugën e vetëzgjedhur dhe jo të presë t’i hedhin një copë bukë të tjerët që e rrethojnë, për të mos vdekur nga uria dhe përulsia?

Të mos vijmë vërdallë me hamendje, si kali në lëmë, për të gjetur shembuj dhe krahasime filozofike nëpër historitë e vendeve apo kombeve të tjera, por të vëzhgojmë dhe të bindemi në eksperiencën bashkëkohore të popullatës së RSH-së, pjesë e kombit. Në se shteti ynë i Diktaturës (1944-1991) mbijetoi me sukses pothuajse pesë dekada, tashmë e dimë të gjithë, se në plan të parë (me fillesa dhe prioritet mbi të tjerat), dy elementë ishin prioritare – Ushtria dhe Arsimi. Për herë të parë në historinë e Kohës së Ré (mbas Renesancës), kjo pjesë e Kombit Shqiptar e parceluar dhe e përfaqësuar në të quajturën Republikë e Shqipërisë, ngriti dhe e pajisi me sukses nga themeli një Ushtri Popullore, më se e aftë për mbrojtjen e asaj pjese të Atdheut që kishte zënë dhe shpallur më vete. (Dëshmoj si një ushtar i saj nga viti 1967 kur erdha në moshë dhe deri sa Ushtrinë e Republikës sonë e falimentuan Tradhëtarët e Atdheut [1991], të cilët janë të evidentuar historikisht). Shkatërrimi pa shkak, madje me dashje i kësaj vepre është Krimi më i madh që mund t’i jetë bërë nga të vetët Kombit tonë, në kohët moderne në histori.

Për herë të parë pas Themelimit të Ushtrisë së Lidhjes së Lezhës (1443) dhe veprës së saj të përbotshme legjendare (deri më 1478/79), një pjesë e shqiptarëve në Ballkan mbas pesë shekujsh, ngritën me sukses një ushtri të vetën në gjysmën e parë të shek. 20. Vlera e kësaj ushtrie të dalë nga familja shqiptare, qoftë edhe prej një pjese të saj në formatin shtetëror të RSH-së, ishte aq e madhe dhe mjaftueshëm e fuqishme, sa ajo i dha mundësinë dhe lirinë që RSH-ja të ruante pavarësinë e saj dhe të lidhte dhe të zgjidhte Traktatet dhe partnerët e sistemeve mbrojtëse të saj, nga Traktati i Varshavës, në Kinën e madhe, në SHBA-në e lavdishme, e cila në finale n’a bëri pjesë të NATO-s. Veçanërisht gjatë dekadave të Luftës së Ftohtë, RSH-ja nuk do e kishte mbrojtur lirinë dhe sovranitetin e saj, pa Ushtrinë Mbarëpopullore, të pashembullt për kohët bashkëkohore, qoftë për nga koncepti, qoftë për nga origjinaliteti i mobilizimit popullor.

Vlera e Ushtrisë Popullore në ekzistencën e një shteti duket sot në RSH-në më shumë se kurrë. Nga foltorja e Parlamentit dëgjojmë lloj-lloj katunarësh dhe malësorësh nga Veriu në Jug të vendit, t’i bërtasin njëri tjetrit dhe të n’a lëshojnë edhe né dëgjuesve, Piskama varfanjakësh, se “jemi në NATO, n’a mbron NATO, nuk kemi nevojë për ushtrinë tonë” dhe të tjera dokrra provincialësh në Parlament, Qeveri dhe Presidencë. Republika e Shqipërisë ka qenë njëherazi edhe anëtare e Traktatit të Varshavës, por udhëheqja e saj nuk e shkëputi asnjë çast zgjerimin dhe forcimin e Ushtrisë së saj. As kur ishte në aleancë me Kinën Popullore. Dëgjojmë gjithashtu të flitet nga “kompetentët” tanë të mbrojtjes së lirisë dhe sovranitetit të atdheut, se jemi “liderë” globalë të mbrojtjes (përmes NATO-s) në luftërat globale si në Irak, Siri, Afganistan, e ku di unë se çfarë mbroçkullash mbeten pa dëgjuar prej këtyre të mjerëve!

Por nuk dëgjojmë, se cila ushtri do të mbrojë fatet e Kombit tonë sot, në rast se n’a sulmon psh. Rusia (Sërbia), Greqia (Franca apo Anglia) dhe formacione të tjera, etj.? Do n’a mbrojë NATO dhe Aerodromet e PS-së, apo avionët lodra të drogës së qeverisë në fuqi, që nuk i mbajnë këmbët kur vendosin të ulen në tokë? Kush do n’a mbrojë të dashur atdhetarë? E nis nga vetja, sepse nuk kam rast dhe nuk jam i thirrur në kohë si qytetar për t’i shërbyer kësaj detyre të shenjtë ndaj Atdheut, kush dhe si do e mbrojmë atë! Personalisht dua të rregjistroj emrin dhe prezencën time në një repart ushtarak të RSH-së, si qytetar i gatshëm dhe oficer i përgatitur me shkolla ushtarake në këmbësori, artileri dhe xhenjo (qoftë fundja edhe ushtar). Po ku duhet të drejtohem? Bëhesh qesharak kur kërkon këtë. Duket si objekt humori në mjedisin e sotëm “demokratik”. Për një çast nuk e marr fare parasysh, që “SHBA-të e lavdishme e kanë marrë përsipër mbrojtjen e RSH-së dhe më tej” siç flitet. Ajo dhe NATO le t’a luajë rolin e saj. Kam parasysh përvojën historike e thënë me fjalët e popullit, se “vetëm i zoti e nxjerr gomarin nga balta”!

                                                                             
E nderuar Qeveri Shqiptare e Albinit dhe Presidencë e Vjosës!

Shumë e nderuar Kosovë!

Kësaj rradhe dëshiroj të përmbledh një urim zemre me pak fjalë: Bashkë me miq të mi, ju jemi mirënjohës dhe përshëndesim kontributin për Ushtrinë e Kosovës prej Buxhetit të vitit të ardhshëm (2022)!

Kombi ynë tashmë i zgjuar nga gjumi shekullor, ka nevojë të mbrojë gardhet e viseve (trojeve) të veta historike. Kjo është shumë-shumë kombëtare! Madje, siç e kini vlerësuar ju, shumë e ngutshme!

Pushteti i RSH-së që e kishte ushtrinë e shpartalloi vetë pikërisht më 1997, madje jo pa qëllim, por që të mos ju ndihmonte në Luftën e Madhe kundra gjenocidit të ushtruar nga Sërbia mbi Kosovën, në fakt kundër kombit tonë. Duket pak kjo? Natyrisht është e trishtueshme! Por është e vërtetë historike, e cila flet për degjenerimin kombëtar që i kemi lejuar komshinjtë të n’a vaksinojnë në gjak. Duket të paktën qysh prej 1912, qëkurse morrëm guximin të shpallnim Pavarësinë e trojeve historike shqiptarofolëse në Ballkan. Askush nga atdhetarët këtu në RSH nuk flet, por hesht dhe nuk jep përgjigje – Pse e quajtura Republika e Shqipërisë nuk ka sot ushtrinë e vet?

E dashur Kosovë!
Mbështetja që ke planifikuar për Luginën e Preshevës është kombëtarisht prekëse. Ju lutem, hapni një Konto legale, publike dhe transparente për qytetarët, sepse dikush prej nesh dëshiron me zemër atdhetarie të kontribuojë!
Bravo për përkrahjen që i bëni Bujqësisë së Republikës së Kosovës!
Dikur ishte edhe RSh-ja me fusha të mbjella dhe toka pjellore të reja, por tani po zihen nga ndërtimet për kthim në prona “private”, në favor të Sheikut – thjeshtë VJEDHËS-it të pronës së përbashkët kombëtare të Republikës së Shqipërisë!


Kur nisëm vitet e fillores në vitet ’50 të shekullit të kaluar dhe mësuam shkrim e këndim, kishim mbi bangat e shkollës librin “Bagëti e Bujqësi”, dy shtyllat e përjetshme ku duhej të mbështetej ekonomia e Shqipërisë. E lexonim dhe e rilexonim deri sa t’a recitonim. Ishte vepra e dritës së diturisë së Rilindjes sonë Kombëtare, Naim Frashërit – Atij që kishte thënë fjalët e arta, që ishin të shtypura në çdo fletore të fëmijëve të kësaj Republike: “Punë, punë natë e ditë, që të shohim pakëz dritë”. Nuk e dëgjoj më në gojën e fëmijëve të sotëm. Mbase, sepse fjala “punë” kam frikë, se sot mjerisht tingëllon më realisht “vjedhje”, më kuptueshme dhe më e suksesshme!

Tiranë, 30 tetor 2021


Spread the love


Leave a Reply