Humbja eventuale e Erdoganit do të ishte goditje për Putinin

Spread the love

Humbja eventuale e Erdoganit do të ishte goditje për Putinin

Teksa luftimet mes forcave ruse dhe atyre të Ukrainës vazhduan muajin e kaluar, presidenti Vladimir Putin iu bashkua homologut të tij turk, presidentit Recep Tayyip Erdogan, nëpërmjet një video lidhjeje për të festuar ngarkimin me derivate të projektit të parë bërthamor për përdorim joluftarak të këtij shteti anëtar të NATO-s. I ndërtuar nga korporata bërthamore shtetërore ruse, Rosatom, termocentrali masiv, 20 miliardë dollarësh, ndoshta simbolizon më së miri lidhjet energjetike dhe ekonomike që të dy liderët krijuan gjatë dy dekadave të tyre në pushtet si udhëheqës të vendeve të tyre përkatëse. Pjesëmarrja virtuale e Putinit në ceremoninë madhështore mund të jetë nxitur më pak nga nevoja e brendshme për të treguar ndikimin e Moskës jashtë vendit, sesa për të mbështetur një tjetër lider autoritar në nevojë. Ngjarja e 27 prillit ndodhi më pak se tri javë para zgjedhjeve presidenciale të 14 majit në Turqi, sfida më e vështirë e Erdoganit deri sot. Mes vështirësive të thella ekonomike, sondazhet kanë treguar se ai është pas Kemal Kilicdaroglut, kreut të Partisë Popullore Republikane të qendrës së majtë (CHP).

Gjatë ceremonisë, Putin la të kuptohet në mënyrë delikate për rezultatin e tij të preferuar të zgjedhjeve, i cili do të ketë pasoja për Moskën, Kievin, Uashingtonin dhe Brukselin. “Ndërtimi i termocentralit të parë bërthamor në Turqi dhe… krijimi i një industrie të re, të avancuar me teknologji të lartë nga e para është një shembull tjetër bindës se sa shumë po bëni ju, president Erdogan, për vendin tuaj, për rritjen e ekonomisë së tij, për të gjithë qytetarët turq”, tha Putin gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë në të gjithë Turqinë. “Dua ta them qartë: Ju jeni në gjendje të vendosni synime ambicioze dhe të ecni me besim drejt zbatimit të tyre”.

Lëvdatat e Putinit ishin vetëm shenja e fundit e mbështetjes së tij për Erdoganin, 69 vjeç, sundimi autoritar dhe retorika antiperëndimore e të cilit u kanë shërbyer interesave të Moskës duke minuar unitetin në NATO dhe duke nënvlerësuar sanksionet gjithëpërfshirëse perëndimore të vendosura ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë. Verën e shkuar, Rusia transferoi miliarda dollarë në njësinë turke të Rosatom-it për punët në ndërtimin shumë kohë përpara afatit, një veprim për të cilin ekspertët thanë se kishte për qëllim mbështetjen e monedhës së paqëndrueshme të Turqisë. Nëse Kilicdaroglu, një ish-burokrat 74-vjeçar që drejtoi agjencinë e sigurimeve shoqërore të vendit, fiton zgjedhjet, mbështetja e Putinit për Erdoganin mund të rezultojë e paefektshme.

Kilicdaroglu ka shprehur synimin e tij për të rivendosur marrëdhëniet me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat Erdogan i dëmtoi përmes shtypjes së tij politike dhe përfshirjes në rajone si Siria dhe Nagorno-Karabaku. Një fitore e tij e mundshme mund të rezultojë edhe me pranimin e shpejtë të Suedisë në NATO, një hap që Rusia e ka kundërshtuar me këmbëngulje. “Disfata e Erdoganit nuk do të ishte e mirë për Putinin”, tha Mark Katz, profesor i shkencave politike në Universitetin George Mason, i cili fokusohet në marrëdhëniet e Rusisë me Lindjen e Mesme.

“Putini nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse t’i drejtohet Kilicdaroglut nëse ai është fituesi. Ai do të duhet të pranojë që Kilicdaroglu të afrohet deri në një farë mase me Perëndimin, në mënyrë që ta dekurajojë atë që të afrohet edhe më shumë me të”.

Ngjitja e liderëve si Erdogani dhe Putini ka qenë një shkak për shqetësim për Uashingtonin dhe Brukselin që nga fillimi i shekullit, pasi përparimet pluraliste të bëra në dekadën pas rënies së komunizmit në Evropën Qendrore dhe Lindore, janë përkeqësuar. Nëse Erdogan do të humbiste, kjo do të tregonte se forcat demokratike në të gjithë globin janë ende “të gjalla”, thotë Steven Cook, një bashkëpunëtor i lartë për studimet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, me qendër në Nju Jork. “Do të ishte një goditje për atë lloj autoritarizmi global, populist, lider i të cilit është padyshim Putini”, thotë Cook.

Afërsi vëllazërore

Putin ka të ngjarë të jetë takuar me Erdoganin më shpesh se çdo lider tjetër i huaj jashtë ish-Bashkimit Sovjetik. Që kur Erdogan mori postin e kryeministrit në vitin 2003, gjatë mandatit të parë presidencial të Putinit, të dy kanë krijuar një marrëdhënie të fortë pune, të cilën disa e kanë cilësuar si “afërsi vëllazërore”.

Megjithëse Putin dhe Erdogan kanë pasur mosmarrëveshje me njëri-tjetrin ndonjëherë, si në vitin 2015 kur Putin akuzoi avionët luftarakë turq për rrëzimin e një avioni luftarak rus pranë kufirit sirian-turk, të cilin ai e quajti një “thikë pas shpine”, ata kanë gjithashtu mori qëndrimesh të kundërta për shqetësime të ndryshme të rëndësishme të politikës së jashtme, veçanërisht për pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Ankaraja ka vazhduar t’i sigurojë Kievit dronë vdekjeprurës. Megjithatë, ata janë të bashkuar nga kundërshtimi i tyre i përbashkët ndaj asaj që ata e konsiderojnë si një rend global i dominuar nga Perëndimi dhe përbuzja e tyre e përbashkët për disa nga vlerat që përkrahen gjerësisht në Perëndim. “Ata të dy e shohin veten si [udhëheqës] fuqi të mëdha të pakënaqura që nuk respektohen mjaftueshëm dhe të dy kanë ankesa kundër Perëndimit. Ja ku e gjetën njëri-tjetrin Erdogan dhe Putin”, tha Katz. “Çfarëdo dallimi që ekzistonte mes tyre, për sa kohë që Erdogan ishte anti-perëndimor, kjo ishte gjëja kryesore për Putinin”, tha ai. Sondazhet e opinionit i kanë dhënë Kilicdaroglut, i cili mbështetet nga një aleancë prej gjashtë partish, një epërsi të lehtë ndaj Erdoganit. Nëse asnjë nga katër kandidatët nuk merr më shumë se 50 për qind të votave, balotazhi do të mbahet më 28 maj. Gjatë viteve 2000, kur ai shërbente si kryeministër, që ishte pozita më me ndikim në Turqi në atë kohë, Erdogan ishte i popullarizuar dhe ekonomia e vendit lulëzoi. Megjithatë, popullariteti i tij ka rënë pasi inflacioni në rritje dhe rënia e standardit të jetesës vitet e fundit kanë prekur shumë votues. [REL]


Spread the love


Leave a Reply