Inteligjenca amerikane dhe britanike po përgatisin Ukrainën për t’i bërë ballë pushtimit rus

Spread the love

Inteligjenca amerikane dhe britanike po përgatisin Ukrainën për t’i bërë ballë pushtimit rus

Prishtinë, 21 dhjetor – Agjencitë e inteligjencës britanike, amerikane tok me agjencitë tjera perëndimore po përgatisin në heshtje ekspertët ushtarakë dhe të sigurisë ukrainase për t’i bërë ballë një sulmi të mundshëm rus, sipas raporteve të mediave.

New York Times raportoi të hënën se njësi të luftës kibernetike nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar janë dërguar në Ukrainë. Detyra e tyre besohet të jetë të ndihmojë këtë ish-republikë sovjetike që të përballet me sulmet e mundshme kibernetike nga Moska. Sipas NYT, Ukraina i është nënshtruar një sërë sulmesh kibernetike nga Rusia gjatë viteve të fundit. Sulmet përbëheshin nga fushata të shumta sabotimi dhe spiunazhi, duke synuar pothuajse të gjitha agjencitë qeveritare të Ukrainës, si dhe infrastrukturën energjetike të vendit. Ato sulme, megjithatë, ishin shumë më të vogla në numër dhe intensitet sesa në muajt e fundit, thonë zyrtarët amerikanë.

Zyrtarët amerikanë spekulojnë se, në rast të një pushtimi rus, sulmet kibernetike ruse do të përpiqeshin të sabotonin funksionet kryesore të ekonomisë dhe qeverisë së Ukrainës, duke përfshirë sistemin bankar dhe atë ajror. Qëllimi më i gjerë i Moskës me sulme të tilla, sipas The Times, do të ishte të minojë aftësinë e qeverisë së Presidentit Volodymyr Zelensky për të qeverisur Ukrainën.

Ndërkohë, tabloidi britanik The Daily Mirror raportoi të hënën se agjencitë e inteligjencës amerikane kishin “ranë dakord fshehurazi për të armatosur dhe trajnuar trupat ukrainase se si të përballeshin në një luftë guerile kundër forcave ruse nëse sulmojnë”. Gazeta thekson se takime për të diskutuar planet janë mbajtur nga zyrtarë të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) dhe Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA). Qëllimi i një përpjekjeje të tillë, sipas një raporti të medias britanike, do të ishte të përsëriste diçka të ngjashme me ndihmën e SHBA-së të ofruar nga CIA për luftëtarët afganë gjatë luftës sovjeto-afgane të viteve 1980. [GN/ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply