Kancelari gjerman Scholz qartazi qëndroi në anën e Greqisë në mosmarrëveshjet me Turqinë

Spread the love

Kancelari gjerman Scholz qartazi qëndroi në anën e Greqisë në mosmarrëveshjet me Turqinë

Prishtinë, 27 tetor – Kancelari gjerman Olaf Sholc hodhi poshtë sot pretendimet turke për sovranitetin e ishujve grekë, duke thënë se një partner i NATO-s “nuk duhet” të vërë në dyshim sovranitetin e një anëtari tjetër, shkruan Deutsche Welle. “Të gjitha çështjet e tilla duhet të zgjidhen në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, tha kreu gjerman, gjatë vizitës së tij të parë në Greqi si kancelar në një konferencë të përbashkët me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.
Vërejtjet vijnë mes tensioneve të rritura midis Ankarasë dhe Athinës, të cilat kanë qenë në mosmarrëveshje për dekada për një sërë çështjesh, ku më të nxehta janë mosmarrëveshjet mbi kufijtë detarë dhe të drejtat për eksplorimin e energjisë në Egje dhe Mesdheun lindor. Përveç kësaj, Ankaraja dënoi militarizimin e Greqisë të disa prej ishujve të saj pranë bregdetit turk, për të cilin Turqia pretendon se shkel një marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruar midis dy luftërave botërore. Athina pretendon se po mbron vetëm territorin e saj nga kërcënimet turke, të cilat ajo pretendon se po rriten çdo ditë.

“Është vërtet turp që Erdogan nuk e sheh se po shkon drejt rrugës pa krye, kur helmon popullin e tij me gënjeshtra kundër Greqisë”, tha Mitsotakis-i. Në një intervistë për të përjavshmen franceze Le Point të botuar sot, kryeministri grek tha se gjuha e përdorur nga Erdogan-i dhe zyrtarët e tij të lartë në muajt e fundit në “retorikën e pamohueshme në përshkallëzim” është “e paprecedentë”. Athina “nuk mund të injorojë se këto deklarata konfirmojnë një qëndrim agresiv dhe ekspansionist ndaj Greqisë. Presidenti Erdogan… tani thotë se mund të sulmojë vendin tim gjatë natës”, ankohet kryeministri grek.

Në shtator, presidenti turk i bëri thirrje Greqisë që të ndalojë “militarizimin” e ishujve grekë në bregdetin e Turqisë dhe paralajmëroi se forcat ushtarake turke mund të mbërrijnë “natën”. Ai e ka përsëritur atë kërcënim që atëherë. “Fqinjët tanë dhe të gjithë partnerët tanë e dinë se ishujt grekë nuk kërcënojnë askënd”, tha Mitsotakis dhe shtoi: “Të gjithë e dinë se marrëveshjet ndërkombëtare nuk ndryshohen me interpretime arbitrare. As historia nuk ndryshohet përmes deluzioneve, as gjeografia përmes hartave të falsifikuara”. Shtetet e Bashkuara thanë muajin e kaluar se sovraniteti i Greqisë mbi dy ishujt nuk ishte në pikëpyetje pasi Ankaraja ngriti një protestë për vendosjen e automjeteve të blinduara amerikane atje, raportoi AFP. [GN/ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply