Kancelari gjerman u premtoi vendeve të Ballkanit Perëndimor qasje më të shpejtë të mundshëm në Bashkimin Evropian

Spread the love

Kancelari gjerman u premtoi vendeve të Ballkanit Perëndimor qasje më të shpejtë të mundshëm në Bashkimin Evropian

Prishtinë, 3 nëntor – Të enjten në Berlin, kancelari gjerman Olaf Sholc [Olaf Scholz] u premtoi vendeve të Ballkanit Perëndimor një proces të përshpejtuar të afrimit me Bashkimin Evropian dhe Komisioni Evropian premtoi një miliard euro për të ndihmuar vendet e këtij rajoni për të kapërcyer krizën energjetike, transmeton Reuters.

“Gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian. Ata janë pjesë e Evropës dhe pjesë e familjes evropiane. Kjo është arsyeja pse unë jam për zgjerimin e Bashkimit Evropian në vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha kancelari gjerman Olaf Sholc pas takimit të kryeministrave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor si pjesë e të ashtuquajturit Proces i Berlinit. Përfaqësuesit e Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë nënshkruan në Berlin një marrëveshje për njohjen reciproke të kartave të identitetit dhe diplomave universitare dhe profesionale, të cilat mund të kontribuojnë në forcimin e lidhjeve politike dhe ekonomike në rajon.

“Procesi i Berlinit ka të bëjë me përparimin,” tha Sholc. Në të njëjtën kohë, ai theksoi nevojën e zgjidhjes së konfliktit të përhershëm ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe theksoi rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjes në hijen e situatës së re gjeopolitike në Evropë.
“Agresioni brutal rus kundër Ukrainës na detyron të mbyllim radhët dhe të mbrojmë lirinë e Evropës”, tha Sholc. Ai nuk saktësoi një datë të mundshme për aderimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, por tha se duhet të vijojë sa më shpejt.

Në hijen e krizës energjetike, Bashkimi Evropian, siç njoftoi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen pas samitit në Berlin, do të ndihmojë rajonin e Ballkanit Perëndimor me një miliard euro. “Pesëqind milionë euro do të paguhen në formën e ndihmës urgjente për të kapërcyer çmimet e larta të energjisë, dhe 500 milionë të tjera në formën e investimeve në burimet e rinovueshme të energjisë,” tha von der Leyen në një konferencë të përbashkët shtypi me Sholcin dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, ku vitin e ardhshëm, do të mbahet samiti i radhës në kuadër të Procesit të Berlinit. Një pjesë e investimit do të përdoret gjithashtu për të lidhur rajonin me infrastrukturën energjetike evropiane.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, vlerësoi të enjten se samiti i Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor ishte një mundësi e mirë për një takim me liderët e rajonit në prag të samitit Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor në Tiranë. “Më shumë se kurrë, Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në, dhe Bashkimi Evropian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor”, njoftoi Michel në Twitter, duke vlerësuar se ishte një “domosdoshmëri gjeopolitike dhe një mundësi gjeopolitike”. “Është koha për të përshpejtuar ritmin e reformave dhe për ta bërë integrimin të dukshëm dhe konkret për banorët e rajonit tani”, theksoi Presidenti i Këshillit Evropian.

Në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përveç kryeministrave të gjashtë vendeve të rajonit, morën pjesë edhe kryeministrat e Kroacisë, Greqisë, Sllovenisë dhe Bullgarisë. Procesi i Berlinit u iniciua në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme gjermane Angela Merkel me qëllim afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.


Spread the love


Leave a Reply