Kina kritikon ndalimin e SHBA për importet e naftës ruse

Spread the love

Kina kritikon ndalimin e SHBA për importet e naftës ruse

Prishtinë, 9 mars – Nga konferenca e rregullt për media e mbajtur sot nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian, kemi veçuar pjesët më interesante.

Gazetari i kërkoi Lijian-it të komentonte lajmin se presidenti amerikan, Joe Biden-i, kishte ndaluar importet e naftës, gazit dhe lëndë tjera të energjisë nga Rusia. Komisioni Evropian njoftoi planet për të reduktuar varësinë e BE-së nga gazi rus me dy të tretat këtë vit dhe gradualisht të reduktojë varësinë e tij nga furnizimet me energji të Rusisë. Edhe Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se do të heqë gradualisht importin e naftës nga Rusia deri në fund të vitit 2022.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze tha se, Kina kundërshton fuqishëm sanksionet e njëanshme që nuk kanë bazë në të drejtën ndërkombëtare. Ai tha se Kina dhe Rusia kanë kultivuar gjithmonë bashkëpunim të mirë në fushën e energjisë dhe do të vazhdojnë të ndjekin bashkëpunimin normal tregtar, duke përfshirë sektorin e energjisë, në frymën e respektit reciprok, të barazisë dhe përfitimit reciprok.

I pyetur se si e komentoi ai paralajmërimin e zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, se mund të çojë në “hakmarrje” nga Shtetet e Bashkuara, nëse Kina “nuk respekton” sanksionet perëndimore ndaj Rusisë për Ukrainën, Zhao Lijian, tha:

“Sanksionet nuk janë kurrë një mënyrë efektive për të zgjidhur problemet. Kina kundërshton fuqimisht çdo formë të sanksioneve të njëanshme… Kur merren me çështjen e Ukrainës dhe marrëdhëniet me Rusinë, Shtetet e Bashkuara duhet t’i marrin seriozisht shqetësimet e Kinës dhe të mos minojnë në asnjë mënyrë të drejtat dhe interesat kineze. Kina do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri të drejtat dhe interesat legjitime të kompanive dhe individëve kinezë”. [GN/ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply