Kina, Rusia dhe Irani do të zhvillojnë stërvitje të përbashkëta detare në Gjirin e Omanit

Spread the love

Kina, Rusia dhe Irani do të zhvillojnë stërvitje të përbashkëta detare në Gjirin e Omanit

Prishtinë/Zagreb, 15 mars 2023 – Stërvitjet detare pesëditore midis Kinës, Iranit dhe Rusisë do të zhvillohen në Gjirin e Omanit, i cili është një hyrje e rëndësishme strategjike në Gjirin Persik. Këto stërvitje do të zgjasin nga data 15 deri më 19 mars. Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Kinës të mërkurën, më 15 mars, ndërsa lajmin e kanë raportuar edhe mediat shtetërore ruse.

Emri i ushtrimit është “Lidhjet e sigurisë – 2023”.

Nga ana kineze do të marrë pjesë shkatërruesi i raketave Nanning dhe “kryesisht do të marrë pjesë në zhvillimin e operacioneve të kërkimit ajror, shpëtimin në det, zbatimin e formimit të paradës detare dhe të kryejë detyra të tjera si pjesë e stërvitjeve”, – sipas informacioneve që I bën publike Ministria e Mbrojtjes së Kinës.

Këto nuk janë stërvitjet e para trepalëshe detare të vendeve të përmendura. Ato filluan në vitin 2019 dhe u ndërprenë për dy vitet e pasuese për shkak të pandemisë së koronavirusit Covid-19.

Moska, Pekini dhe Teherani po intensifikojnë bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik. Ndërkaq javën e kaluar Pekini arriti një sukses të papritur diplomatik në pajtimin midis Iranit dhe Arabisë Saudite. Pas disa ditësh negociata mes delegacioneve iraniane dhe saudite të zhvilluara në kryeqytetin kinez, të dy vendet vendosën të rivendosin marrëdhëniet diplomatike, të cilat u ndërprenë 7 vite më parë.

Sot ka reaguar edhe Uashingtoni ndaj lajmit për stërvitjen trepalëshe në Gjirin e Omanit.

Shtetet e Bashkuara nuk janë të shqetësuara për stërvitjet iraniane, ruse dhe kineze që po kryejnë në Gjirin e Omanit, Amerika do t’i vëzhgojë ato, tha John Kirby, koordinatori strategjik i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, në përgjigje të një pyetjeje të një gazetari të CNN.

Ai gjithashtu theksoi se kjo nuk është hera e parë që Rusia dhe Kina kryejnë stërvitje. Shtetet e Bashkuara do t’i monitorojnë ato për t’u siguruar që nuk përbëjnë një kërcënim për interesat e sigurisë kombëtare të Amerikës dhe aleatëve dhe partnerëve të saj në rajon. [GN/ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply