Kurti takoi ambasadorin Abbott: Vendosja e ligjit në veri është e domosdoshme

Spread the love

Kurti takoi ambasadorin Abbott: Vendosja e ligjit në veri është e domosdoshme

Prishtinë, 9 qershor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat veriore është e domosdoshme për largimin e elementeve kriminale por edhe për mbajtje të zgjedhjeve.

Për këtë ai ka biseduar me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.

“Së bashku diskutuan për zhvillimet aktuale, me theks situatën e fundit në veri të vendit, rëndësinë për deeskalim të plotë dhe rrugën përpara. Në lidhje me këtë, kryeministri Kurti, theksoi se sundimi i ligjit duhet të jetë parimi bazë për të ecur përpara. Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale, ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbët po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e veprimeve të protestuesve kanë mbetur të lënduar disa policë dhe pjesëtarë të KFOR-it. Gjithashtu, janë djegur dhe dëmtuar vetura të Policisë së Kosovës dhe të mediave.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë.

Ky veprim i institucioneve të Kosovës është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian derisa kanë kërkuar shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri.

Javën që shkoi, u bë e ditur kërkesa e ndërkombëtarëve për zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës. [KosovaPress]


Spread the love


Leave a Reply