Kurti tregon se çfarë bisedoi me Cholletin në telefon

Spread the love

Kurti tregon se çfarë bisedoi me Cholletin në telefon

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar në telefon të mërkurën mbrëma me këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, me të cilën kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në dialog dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura në katër komunat veriore më 23 prill.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, diskutimi për dialogun ka pasur theks të veçantë te zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes së Brukselit të arritur më 18 mars ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Ata biseduan edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks te zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes Bazike, dhe për takimin e së hënës në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve. Folën edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur”, thuhet në njoftim.

Kurti i ka thënë Cholletit se institucionet e Kosovës mbesin të “përkushtuara për të garantuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në vend.

“Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara që të garantojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, dhe në të njëjtën kohë të sigurojnë mbarëvajtjen e shërbimeve ndaj qytetarëve”, vijon njoftimi.

Cholleti e ka falënderuar Kurtin për pritjen që ia ka bërë administratores së USAID-it, Samantha Power.

“Bisedën e filluan me vizitën e suksesshme në Kosovë të Administratores së USAID, Samantha Power, e cila bashkë me Kryeministrin Kurti dhe ministren Rizvanolli shpallën ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MW. Në lidhje me këtë, këshilltari Chollet tha se ajo ishte ndarë me përshtypjet më të mira dhe e falënderoi kryeministrin për pritjen. Kryeministri u shpreh i nderuar dhe mirënjohës për vizitën e administratores Power dhe për mbështetjen e vazhdueshme të USAID-it dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë. [Rruga Press]


Spread the love


Leave a Reply