Macron në ofensivë diplomatike para zgjedhjeve: takime me Johnson, Stoltenberg, Putin dhe Zelensk

Spread the love

Macron në ofensivë diplomatike para zgjedhjeve: takime me Johnson, Stoltenberg, Putin dhe Zelensk

Presidenti francez  Emmanuel  Macron foli të shtunën për krizën ruso-ukrainase me kryeministrin britanik Boris Johnson dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg përpara udhëtimit të tij në Moskë dhe Kiev, njoftoi Pallati Elysee, raporton AFP.

Biseda të veçanta telefonike u zhvilluan “si pjesë e konsultimeve të vazhdueshme të aleatëve mbi tensionet midis Ukrainës dhe Rusisë”, tha presidenca franceze. Si Macron ashtu edhe Stoltenberg këmbëngulën në “nevojen për të vazhduar punën së bashku dhe bashkërisht për të ulur tensionet përmes dialogut, duke respektuar plotësisht parimet themelore të sigurisë evropiane, sovranitetin shtetëror dhe të gjitha të drejtat që rrjedhin prej tij”, tha Pallati Elysee.

Presidenti Macron do të përpiqet të bëjë përparim gjatë takimeve me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë të hënën, si dhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të nesërmen në Kiev.

Presidenca franceze raportoi se Stoltenberg “e mirëpriti këtë qasje” ndaj problemit dhe “falenderoi presidentin (francez) për koordinimin e ngushtë me aleatët përpara udhëtimit të tij”.

Në të njëjtën kohë, kryeministri britanik Boris Johnson i prezantoi Macronit rezultatet e vizitës së tij në Kiev këtë javë dhe takimin e tij të fundit me Putinin, thuhet në deklaratë. Emmanuel Macron, i cili ka rritur komunikimin me liderët e tjerë ditët e fundit, dhe dy nga bashkëbiseduesit e tij “ranë dakord për nevojën për të qëndruar në kontakt të ngushtë në ditët në vijim”.

Perëndimorët kanë akuzuar Moskën që nga fundi i vitit 2021 për grumbullimin e trupave në kufirin me Ukrainën për një pushtim të mundshëm të saj, por Rusia e mohon këtë, duke pretenduar se dëshiron vetëm të garantojë sigurinë e vendit të saj.

Pallati presidencial tha në një deklaratë se, biseda e Macron-it me Johnson-in  “u fokusua gjithashtu në çështjen e emigrantëve dhe migracionit, veçanërisht në kalimin e tyre përmes Kanalit”. Të dy krerët theksuan nevojën që Franca dhe Mbretëria e Bashkuar të bashkëpunojnë në luftën kundër rrjeteve të kontrabandës. Kalimet e paligjshme të Kanalit Anglez janë një shkak i rregullt i tensioneve mes Parisit dhe Londrës. Gjatë vitit 2021, një rekord prej 51,000 emigrantësh u përpoqën të kalonin Kanalin Anglez, nga të cilët më shumë se 28,000 ia dolën, sipas qeverisë britanike.

Macron duket se është në një mision gjithëpërfshirës diplomatik përpara zgjedhjeve, sepse ai ka treguar gjithashtu  një përpjekje për të qenë një ndërmjetës midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Zgjedhjet presidenciale franceze do të mbahen më 10 prill. Sondazhet parazgjedhore tregojnë se kundërshtarët kryesorë të Presidentes aktuale Marine Le Pen dhe Eric Zemmour janë të dy dukshëm më konservatorë se Macron. [GN/ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply