Ministri kinez i thotë Lavrovit se Pekini është gati të zgjidhë “krizën ukrainase”

Spread the love

Ministri kinez i thotë Lavrovit se Pekini është gati të zgjidhë “krizën ukrainase”

Prishtinë/Zagreb, 5 maj 2023 – Gjatë bisedimeve me homologun e tij rus Sergej Lavrov në Indi, ministri i Jashtëm kinez, Qin Gang, tha se pala kineze është e gatshme të japë një kontribut praktik për zgjidhjen e “krizës së Ukrainës” në bashkëpunim me Rusinë, njoftoi sot Ministria e Punëve të Jashtme kineze.

“Kina do të ndihmojë dhe promovojë me këmbëngulje negociatat e paqes. Ne jemi të gatshëm të japim një kontribut praktik për zgjidhjen politike të krizës ukrainase përmes kontakteve dhe koordinimit me Rusinë”, citon faqja e internetit e Ministrisë të ketë thënë Qin Gang.

Gjatë takimit, kryediplomati kinez tha se lidhjet midis Pekinit dhe Moskës ishin intensifikuar pas vizitës së fundit të presidentit kinez Xi Jinping në Rusi. “Kina dhe Rusia mbajnë kontakte aktive në të gjitha nivelet, duke promovuar bashkëpunimin në të gjitha drejtimet”, tha Qin Gang.

“Kina është e gatshme të intensifikojë kontaktet strategjike me Rusinë, të forcojë dhe thellojë bashkëpunimin në të gjitha fushat”, shtoi diplomati. Të dyja palët konfirmuan synimin për të përmirësuar koordinimin brenda organizatave dhe formateve të rëndësishme ndërkombëtare, si Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (SCO), BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut), Grupi i Njëzet (G20) dhe Kombet e Bashkuara. Pekini dhe Moska së bashku do t’i rezistojnë të gjitha manifestimeve të hegjemonisë, do të mbrojnë interesat e përbashkëta të vendeve me tregje në zhvillim dhe kombe në zhvillim, do të mbrojnë barazinë dhe drejtësinë në botë, tha ministri kinez.

Këtë vit, Kina po e prezanton gjithnjë e më shumë veten si ndërmjetëse midis palëve në konflikt dhe rivalëve, dhe një ndryshim i madh ndodhi në fillim të këtij viti kur Irani dhe Arabia Saudite, pas negociatave në Pekin, vendosën të rivendosin lidhjet diplomatike. [GN/ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply