Ministri suedez i Mbrojtjes: Rusia “kërcënon sigurinë europiane” dhe shpall afrimin me NATO-n

Spread the love

Ministri suedez i Mbrojtjes: Rusia “kërcënon sigurinë europiane” dhe shpall afrimin me NATO-n

Prishtinë, 11 janar – Debati i gjatë për hyrjen e Finlandës dhe Suedisë në NATO është ende i rëndësishëm. Finlanda dhe Suedia kanë qenë të paangazhuara për dekada, ndërkaq vazhdimisht i janë afruar aleancës përmes stërvitjeve të përbashkëta, prokurimeve ushtarake dhe misioneve jashtë shtetit. Një qasje e tillë është shpallur, megjithëse në mënyrë të tërthortë, në fjalimet e fundit nga udhëheqësit finlandezë dhe suedezë.

Veprimet e Rusisë “kërcënojnë Evropën”, tha ministri suedez i mbrojtjes në një konferencë kombëtare të mbrojtjes. Duke përmendur akumulimin e trupave të Rusisë brenda kufijve të saj, të cilin ai e quajti një “përshkallëzim ushtarak me Ukrainën”, Peter Hultqvist argumentoi se Rusia “po sfidonte të drejtën ndërkombëtare kur ajo vë në pikëpyetje të drejtën e vendeve të tjera për vetëvendosje.”  “Ndjehemi të  kërcënuar nga veprimet e Rusisë”, tha Hultqvist, transmeton televizioni kombëtar SVT.

Sipas Hultqvist, Suedia do të duhet të bashkëpunojë më shumë me NATO-n, e cila, sipas tij, është platforma më e rëndësishme e politikës së sigurisë së vendit nordik, krahas BE-së. “Strategjia jonë është të ndërtojmë siguri së bashku me të tjerët. Sot, ne jemi një partner i çmuar që ndihmon për siguri. Ajo që ne bëjmë është zgjedhja jonë dhe bazohet në vendimet e Parlamentit Suedez. Kështu duhet të qëndrojë. Nuk ka vend për kompromis për këtë”, tha Hultqvist.
Javën e kaluar, kryeministrja Magdalena Andersson, gjithashtu një anëtare e Partisë Socialdemokrate të Hultqvist, tha se donte të “thellonte” partneritetin midis Suedisë dhe NATO-s. Kristiandemokratët e opozitës po kërkojnë edhe më qartë që Suedia të braktisë politikën e saj të gjatë të mos-angazhimit dhe t’i bashkohet një aleance ushtarake të udhëhequr nga SHBA.

Finlanda fqinje po afrohet gjithashtu me NATO-n. Në fjalimet e Vitit të Ri nga presidenti finlandez Sauli Niinisto dhe kryeministrja Sanna Marin, krerët theksuan se mundësia për t’u bashkuar me NATO-n është një pjesë e qenësishme e lirisë së zgjedhjes. Në vitet e fundit, Finlanda dhe Suedia i janë afruar NATO-s përmes stërvitjeve dhe aktiviteteve të përbashkëta stërvitore, prokurimeve ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe pjesëmarrjes në misione të huaja.

Në mes të dhjetorit të vitit të kaluar, Ministria e Jashtme ruse njoftoi dy projekt-marrëveshje për garancitë e ndërsjella të sigurisë me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n. Ndër të tjera, ata po i kërkojnë NATO-s të reduktojë praninë e saj ushtarake në vendet që u bashkuan pas vitit 1997 dhe të ndalojë zgjerimin e NATO-s në lindje drejt ish-republikave sovjetike. Në të njëjtën kohë, NATO dhe Rusia duhet të përmbahen nga vendosja e raketave me rreze të mesme dhe të shkurtër. Gjithashtu, në propozimet e parashtruara në formë ultimative nga pala ruse, u kërkohet të dyja palëve që të përmbahen nga ushtrimet më të larta se niveli i brigadës në zonën kufitare të rënë dakord, të shkëmbehen rregullisht informacione dhe të vendosen linja kontakti emergjente.

Pavarësisht sigurimit të ish-liderit sovjetik Gorbaçov gjatë rënies së Bashkimit Sovjetik se, Uashingtoni nuk do të zgjerohej drejt lindjes, NATO është rritur që atëherë në më shumë valë zgjerimi, duke përfshirë një numër ish-anëtarësh të Paktit të Varshavës dhe madje edhe disa ish-republika sovjetike si Lituania , Letonia dhe Estonia. Megjithatë, media perëndimore dhe establishmenti politik vazhdojnë të refuzojnë marrëveshjen e mospërhapjes si një “mit” dhe të përfaqësojnë përpjekjet e Rusisë për të siguruar veten si “siguri” apo edhe “agresion”, shkruan Sputnik rus.  [GN/ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply