NGA LINJA HEKURUDHORE TEK AUTOSTRADA!

Spread the love

KATËR PROJEKTET QË DO TË FINANCONTE BE NË SHQIPËRI DERI NË 2027 MEGJITHËSE 2021 PO MBARON ASNJË NUK KA FILLUAR

Komisioni Europian para 1 viti në muajin Tetor 2020 miratoi Planin Ekonomik dhe të investimeve për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor që do të fokusohet në 10 drejtime kryesore që nga transporti rrugor deri tek mjedisi dhe synon të nxisë rimëkëmbjen afatgjatë të rajonit. Në fakt e vërteta është se pas një viti asnjë nga projektet nuk ka filluar!

Ja cilët janë katër projektet madhore

I konsideruar si IPA tre, plani i ri ekonomi do të shtrihet për zbatim gjatë vitit 2021 -2027. Investimet e parashikuara nga BE kushtojnë rreth 20 miliardë euro, por BE do të akordojë vetëm 9 miliardë euro, ndërsa të tjerat do të sigurohen nga burime të tjera.

Por sipas njoftimit zyrtar të BE-së investimet do të jenë të qëndrueshme vetëm nëse partnerët e Ballkanit Perëndimor përshpejtojnë reformat, duke përfshirë fushën e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Sipas planit të ri të BE-se, projektet që do të financohen janë linja hekurudhore që lidh kryeqytetet e Tiranës dhe Podgoricës që nis nga porti i Durrësit. Ky është vlerësuar nga BE një projekt me rëndësi për Rajonin dhe parashikon rehabilitimin e 120 km të linjës hekurudhore nga Shqipëria drejt kufirit me Malin e Zi.

BE kërkon të ndërmerren hapa konkretë për të përfunduar Autostradën Adriatiko-Joniane, që nis përgjatë bregdetit nga Kroacia deri në Greqi. Për ta bërë funksionale ketë autostradë baypassi i Tiranës dhe dy seksione të qendrës së Shqipërisë duhen të përfundojnë.

Paketa e re e BE kërkon rehabilitimin e HEC Fierza në Shqipëri dhe të përfundojë edhe ndërtimi i Hidrocentralit Skavica në mënyrë që të rritet potenciali për të rritur eksportin e pastër të energjisë elektrike.

BE do të mbështesë si pjesë të gazsjellësit Trans Adriatik, ndërtimin e gazsjellësit Fier-Vlorë në Shqipëri dhe linjën Jon-Adriatik përgjatë bregdetit për një diversifikim më të madh të burimeve të furnizimit me gaz në Ballkanin Perëndimor, Rajoni dhe më gjerë.

BE kërkon të vendosen sisteme të integruara rajonale të menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi.

Paralelisht me planin e investimeve Ekonomike për të mbështetur rajonin, Komisioni ka paraqitur udhëzimet për zbatimin e Agjendës së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor, që pritet të miratohet në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Sofje në nëntor 2020. Ai parashikon veprime ne pesë shtylla.

Këto janë, axhenda e klimës, duke përfshirë dekarbonizimin, energjinë dhe ekonominë qarkulluese (adresimin e mbetjeve, riciklimin, prodhimin e qëndrueshëm dhe përdorimin efikas të burimeve), biodiversitetin, me qëllim mbrojtjen dhe rivendosjen e pasurisë natyrore në rajon, uljen e ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës dhe krijimin e sistemeve të qëndrueshme të ushqimit në zonat rurale.

Dixhitalizimi do të jetë një mundësues kryesor për pesë shtyllat e mësipërme në përputhje me konceptin e tranzicionit të dyfishtë të gjelbër dhe dixhital./tellalli.al

[Rruga Press/ISHGJ]

 


Spread the love


Leave a Reply