Një takim dy-ditor i komandantëve ushtarakë të NATO-s filloi në Bruksel

Spread the love

Një takim dy-ditor i komandantëve ushtarakë të NATO-s filloi në Bruksel

Prishtinë, 18 janar – Një takim dyditor i komandantëve ushtarakë të NATO-s filloi të mërkurën në Bruksel, ku do të diskutohen një sërë çështjesh, duke përfshirë mbështetjen e Aleancës për Ukrainën, raporton Anadolu.

Sesioni, i cili filloi pas fjalimeve hapëse nga Admirali Rob Bauer, Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s dhe Mircea Geoana, Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, do të kryesohet nga Bauer dhe do të marrin pjesë komandantët ushtarakë aleatë, si dhe homologët e tyre të ftuar nga Finlanda dhe Suedia.

“Fatkeqësisht, ne po shohim fillimin e një epoke të re të mbrojtjes kolektive. Megjithatë, kjo është epoka për të cilën NATO është gati”, tha Bauer. “Ne i kemi treguar botës se jemi në gjendje të rrisim me shpejtësi praninë tonë kurdo dhe kudo që të jetë e nevojshme.” Geoana tha se NATO “duhet të ruajë kapacitetin dhe aftësinë ushtarake për të mbrojtur aleancën kundër të gjitha sfidave, tani dhe në të ardhmen, duke përfshirë operacionet në fusha të shumta”. Ai theksoi tre fusha që kërkojnë vëmendje përpara samitit të ardhshëm, i cili do të mbahet në Vilnius më vonë këtë vit, si rritja e shpenzimeve të mbrojtjes, rritja e prodhimit të municioneve dhe armëve dhe përditësimi i NATO-s për epokën dixhitale.

Diskutimet në ditën e parë do të fokusohen në sfidat e sigurisë me të cilat përballet aleanca, luftën e Rusisë kundër Ukrainës, forcimin e kapaciteteve dhe aftësive të aleancës, forcimin e mbrojtjes dhe parandalimit, transformimin dixhital, vlerësimin e nivelit të gatishmërisë së forcave të NATO-s, si dhe furnizimet dhe logjistikën ushtarake. Të enjten, 32 komandantë ushtarakë do të shkëmbejnë mendime me partnerët operativë të Forcës së Kosovës (KFOR) për situatën në terren, mjedisin e sigurisë dhe misionin e KFOR-it. Komiteti ushtarak më pas do të diskutojë mbi misionet jo-luftarake dhe për ndërtimin e kapaciteteve të NATO-s në Irak. Në seancën e fundit, udhëheqësit ushtarakë do të flasin për mbështetjen e përhershme të NATO-s për Kievin.  [GN/ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply