Përfundon samiti BE-Ballkani Perëndimor, të gjitha vendet e pranojnë deklaratën

Spread the love

Liderët e vendeve të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor të mërkurën, më 13 dhjetor, në Bruksel.

13 dhjetor, 2023

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë pajtuar me deklaratën e samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili u mbajt të mërkurën në Bruksel.

Kështu thuhet në deklaratën e miratuar nga 27 kryetarë shtetesh dhe qeverish të Bashkimit Evropian.

Deklarata, mes tjerash, u bën thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të vendosin sanksione ndaj Rusisë dhe të punojnë për të parandaluar shmangien e masave kufizuese që Bopa e lirërukseli vendosi kundër Moskës si përgjigje ndaj agresionit të saj kundër Ukrainës.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia nuk i ka vënë sanksione Rusisë, pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Charles Michel: Zgjidhja e konflikteve kusht kyç për integrim

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha pas samitit se porosia kryesore e samitit ishte nevoja për integrim gradual të këtyre vendeve në bllok, si dhe forcimi i bashkëpunimit mes tyre në rajon.

“A duhet t’i integrojmë sa më afër para se të hynë në BE në mënyrë graduale. Kjo është pika e parë. E dyta është rritja ekonomike. Shumë pjesëmarrës folën për bashkëpunimin në fushën e energjisë. U desh të përballemi me shantazhet e Rusisë në furnizim me energji. Kjo pati ndikim edhe në Ballkan“, tha Michell.

Ai theksoi se u bisedua edhe për përshtatje të politikave të jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

”Po ashtu, [u bisedua] edhe për bashkëpunimin në fushën e migrimit. Kjo vlen edhe për sistemin e vizave“ tha ai.

Michel përsëriti thirrjen për zgjidhjen e konflikteve dhe mospajtimeve si kusht kyç për integrim në BE.

“Duam ta përshpejtojmë punën tonë që të dyja palët të kenë një udhërrëfyes se çfarë duhet të bëjmë për të qenë të gatshëm për këtë zgjerim“, shtoi ai.

Deklarata përfundimtare e samitit u bëri thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të vendosin sanksione ndaj Rusisë dhe të punojnë për të parandaluar anashkalimin e masave kufizuese që Brukseli vendosi kundër Moskës në përgjigje të agresionit kundër Ukrainës.

“Vizioni i përbashkët i së ardhmes përfshin vlerat e përbashkëta dhe përgjegjësinë e përbashkët. Ndërsa thellojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, ne u bëjmë thirrje atyre të bëjnë përparim të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt përafrimit të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë masat kufizuese të BE-së, dhe të veprojmë në përputhje me rrethanat”, thuhet deklaratën.

E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE

BE-ja e përsëriti angazhimin e saj “të plotë dhe të qartë” ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe kërkon përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, duke u bazuar te reformat e besueshme nga partnerët, te kushtëzimet e drejta dhe të rrepta dhe te parimi i meritës së secilit, gjë që është në interesin tonë të ndërsjellë, thuhet në dokumentin e përbashkët.

“BE- ja përshëndet përparimin e bërë nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin përkatës drejt BE-së që nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë”.

E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin tonë, thuhet në dokument.

Për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës

Udhëheqësit e BE-së dhe shtetet anëtare thanë se vazhdojnë t’i mbështesin plotësisht përpjekjet e përfaqësuesit të Lartë të BE-së për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak, si dhe për çështjet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Ne presim angazhim konstruktiv nga të dyja palët në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të bërë progres të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, gjë që është kritike për sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar që palët të mund të përparojnë në rrugëtimet përkatëse evropiane”, thuhet në deklaratën e Brukselit.

Kosovë dhe Serbisë iu bë thirrje t’i zbatojnë plotësisht Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe aneksin e saj, si dhe të gjitha Marrëveshjet e mëparshme “pa vonesa ose parakushte të mëtejshme”.

Atyre, po ashtu, u është kërkuar t’i vazhdojnë përpjekjet e qëndrueshme për ulje të tensionit sipas kërkesave të BE-së dhe që ato të mos ndërmarrin veprime të njëanshme e të pakoordinuara që mund të shkaktojnë tensione dhe dhunë të mëtejshme si dhe të mos përdorin retorikë që nuk favorizon normalizim të marrëdhënieve.

Të gjitha vendet e rajonit do të ftohen të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme dhe përfundimtare për mosmarrëveshjet dhe çështjet dypalëshe të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës.


Spread the love


Leave a Reply