Rrëmuja përcjell evakuimet nga lindja e Ukrainës

Spread the love

Rrëmuja përcjell evakuimet nga lindja e Ukrainës

Prishtinë, 22 shkurt – Disa ditë më parë, separatistët e mbështetur nga Rusia, të cilët kontrollojnë dy rajonet në lindje të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, kanë bërë të ditura për evakuime të banorëve, duke nxitur konfuzion dhe frikë.

“Ka rënë shi i madh gjithë mbrëmjen”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një banore në qytetin e Donetskut, e cila ka kërkuar të identifikohet vetëm si Larisa, duke komentuar ngjarjet e katër ditëve më parë.

“Të gjithë na kanë telefonuar, duke na pyetur nëse po largohemi apo çfarë po bëjmë. Natyrisht, askush nuk do të lëvizte në atë shi, natën vonë, vetëm në bazë të një njoftimi”.

Ajo ka thënë se ata që janë larguar kanë qenë kryesisht persona që janë mobilizuar përmes vendeve të punës, apo ata që varen nga subvencionet sociale.

“Miqtë e mi më kanë telefonuar në panik” ka thënë një tjetër banor i Donetskut, në një mesazh dërguar Radios Evropa e Lirë.

“Mirëpo ata frikësohen që të largohen. Televizioni ka shfaqur vazhdimisht pamjet si po evakuohen fëmijët nga strehimoret… do të ishte e tmerrshme nëse fëmijët do të vuanin për shkak të këtyre evakuimeve”.

Vëzhguesit e të drejtave të njeriut kanë akuzuar separatistët për shfrytëzim të jetimëve për qëllime të propagandës.

Një banor në Horlivka, qytet i vogël në veri të Donetskut dhe afër linjës së frontit, që ndan territorin e kontrolluar nga separatistët nga territori i kontrolluar nga forcat ukrainase, ka thënë më 18 shkurt se “gjithçka duket se është e qetë”.

“Askush nuk po planifikon të largohet”, ka shtuar ai.

Një tjetër banor i Donetskut ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ai ka dalë në qendër të qytetit për të parë autobusët duke u mbushur.

“Mirëpo policia nuk më ka lënë të afrohem”, ka thënë ai.

Urdhrat për evakuime kanë ardhur në kohën e rritjes së tensioneve në rajon, pasi Rusia ka mbledhur më shumë se 130,000 trupa afër kufirit me Ukrainën dhe në Gadishullin e pushtuar të Krimesë.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar të hënën, 21 shkurt, dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, të cilat kontrollohen pjesërisht nga separatistët e mbështetur nga Moska. Ai po ashtu ka urdhëruar trupat ruse që të dërgohen në rajonet e kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kanë paralajmëruar se një pushtim i plotë i Rusisë mund të ndodhë çdo moment.

Ndërkohë janë rritur incidentet me granata në zonën e kontaktit mes ushtrisë ukrainase dhe pjesëve të kontrolluara nga separatistët në Donbas, pas një periudhe pothuajse krejtësisht të qetë.

Më 19 shkurt, ushtria ukrainase ka njoftuar për viktimën e parë pas 37 ditësh.

Pavarësisht pretendimeve të pabazuara nga Rusia dhe separatistët, Ukraina mohon planet për nisje të operacioneve ushtarake në këtë zonë.

Kievi dhe liderët e Perëndimit kanë akuzuar Moskën dhe separatistët, që mbështet kjo e fundit, se po synojnë të fabrikojnë një pretekst për nisje të ofensivës.  [Evropa e lirë/ ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply