Sfiduesi i Erdoganit premton një fillim të ri me aleatët perëndimorë

Spread the love

Sfiduesi i Erdoganit premton një fillim të ri me aleatët perëndimorë

20 prill, 2023

Me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan që është prapa në shumë sondazhe përpara zgjedhjeve të majit, sfiduesi i tij, Kemal Kiliçdaroglu po premton të rregullojë marrëdhëniet e tensionuara me aleatët perëndimorë të Turqisë. Analistët thonë se ky mund të jetë një lajm i keq për Moskën. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton nga Stambolli.

Me ekonominë e Turqisë në krizë, sfiduesi presidencial Kemal Kiliçdaroglu është përpara presidentit aktual Rexhep Tajip Erdogan në shumë sondazhe, duke premtuar jo vetëm reforma ekonomike, por edhe një rifillim diplomatik me aleatët perëndimorë të Turqisë.

“Disa nga marrëdhëniet, të tilla si me Shtetet e Bashkuara, me NATO-n, me BE-në, do të ridimensionohen pasi orientimi perëndimor pa dyshim do të jetë një nga prioritetet e para të administratës së re” thotë Zeynep Alemdar me Universitetin Okan.

Thellimi i lidhjeve të Erdoganit me homologun e tij rus Vladimir Putin me marrëveshjet energjetike dhe blerjet e armëve ruse po i tensionon lidhjet me aleatët perëndimorë të Turqisë.

Turqia, një anëtare e NATO-s, po bllokon gjithashtu ofertën e anëtarësimit të Suedisë. Disa analistë thonë se Moska e sheh politikën e jashtme të Erdoganit si një vlerë. “Politika e jashtme turke nuk perceptohet nga Moska si pro-ruse. Ajo perceptohet si pro-turke dhe mjaft e ashpër pro-turke. Por gjithashtu nuk perceptohet si properëndimore. Dhe ky është aspekti kryesor që përshtatet në axhendën e Moskës”, thotë Zaur Gasimov me Universitetin Bonn.

Turqia është shumë e varur nga energjia dhe turizmi rus dhe bashkëpunimi në Siri. Analistët thonë se ridimensionimi i lidhjeve me Moskën nuk do të jetë i lehtë.

“Duke pasur parasysh ndërvarësinë ekonomike mes dy vendeve, do të ishte e vështirë të balancoheshin marrëdhëniet me Rusinë. Pra, duhet të ketë një marrëdhënie të rinovuar dhe më të mirë me BE-në edhe për sa i përket tranzicionit të gjelbër, për shembull, në mënyrë që edhe marrëdhëniet me Rusinë të mund të ribalancohen përsëri” thotë Zeynep Alemdar me Universitetin Okan.

Shqetësimet për të drejtat e njeriut në Turqi bënë që kërkesa e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian të bllokohej shumë kohë më parë. Marrëdhëniet tani janë më shumë sipas interesave, si marrëveshja e Ankarasë me BE për të pritur emigrantët në këmbim të pagesave.

Zoti Kiliçdaroglu po zotohet për një kushtetutë të re bazuar në të drejtat, që ai thotë se do të lejojnë që oferta e Turqisë për në BE të vazhdojë. Por vëzhguesit vënë në dyshim nëse aleatët perëndimorë të Turqisë janë gati për një ndryshim të tillë diplomatik.

“As Uashingtoni dhe as Evropa nuk janë të përgatitur për një botë pas-Erdoganit. Ata duhet të jenë të gatshëm t’i ofrojnë diçka tjetër një qeverie të re, qoftë ky një diskutim strategjik, rifillim i bisedimeve të anëtarësimit në BE, apo edhe rikthimin e aleancës transatlantike me Turqinë si pjesë e saj” thotë Asli Aydintasbas me Institutin “Brookings”.

Analistët theksojnë se aleatët perëndimorë të Turqisë u befasuan kur Partia AKP e Erdoganit erdhi në pushtet në vitin 2002. Një fitore e kandidatit Kiliçdaroglu, thonë ata, mund t’i habisë përsëri diplomatët. [VOA]


Spread the love


Leave a Reply