SHBA dhe Izraeli nënshkruan një marrëveshje për të parandaluar Iranin për zhvillimin e armëve bërthamore

Spread the love

SHBA dhe Izraeli nënshkruan një marrëveshje për të parandaluar Iranin për zhvillimin e armëve bërthamore

Prishtinë, 14 korrik – Presidenti amerikan Joe Biden foli sot me liderët izraelitë në Jerusalem. Tema e Iranit ishte dominuese në bisedë. Të dyja palët deklaruan një “pozicion të unifikuar” ndaj Teheranit dhe nënshkruan një marrëveshje të përbashkët duke u zotuar të parandalojnë Iranin për posedim të armëve bërthamore.

“Ne do të sigurohemi që Izraeli të mund të mbrojë veten,” tha Biden në një konferencë shtypi me kryeministrin izraelit, Yair Lapid. Shtetet e Bashkuara janë “të përgatitura për të përdorur të gjithë elementët e fuqisë kombëtare” për të parandaluar Iranin të marrë armë bërthamore, thuhet në deklaratën e përbashkët. Një zyrtar i lartë i administratës Biden u tha gazetarëve përpara njoftimit se, marrëveshja do të forconte më tej partneritetin tashmë të ngushtë të sigurisë së dy vendeve. “Kjo deklaratë është mjaft domethënëse dhe përfshin një angazhim për të mos lejuar kurrë që Irani të posedojë armë bërthamore dhe për të adresuar së bashku aktivitetet destabilizuese të Iranit, veçanërisht kërcënimet ndaj Izraelit,” tha zyrtari, sipas AFP.

Në një intervistë të regjistruar në Uashington përpara se të nisej për në Lindjen e Mesme, Biden i tha Channel 12 të Izraelit se, ai do të ishte i gatshëm të përdorte forcën kundër Iranit, por vetëm si “mjetin e fundit”. “E vetmja gjë më e keqe se Irani që ekziston tani është një Iran me armë bërthamore”, tha presidenti amerikan me atë rast.

Izraeli e ka kundërshtuar fuqishëm marrëveshjen bërthamore që Teherani nënshkroi me fuqitë botërore në vitin 2015. Marrëveshja e kufizoi ashpër programin bërthamor të Iranit dhe e angazhoi Teheranin që të hapet ndaj një kontrolli të rreptë ndërkombëtar në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare. Megjithatë, Izraeli ka argumentuar se kufizimet në zhvillimin bërthamor të Iranit nuk janë të përhershme dhe se marrëveshja nuk trajton programin raketor të Iranit ose aktivitetet ushtarake në rajon. Paraardhësi i Bidenit, Donald Trump, tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja dhe vendosi sanksione të njëanshme ndaj Teheranit. Megjithatë, Bideni, i cili e quajti veprimin e Trump-it një “gabim të madh”, është përpjekur të ringjallë marrëveshjen, por këto përpjekje duket se po dështojnë pasi Irani vazhdon të zgjerojë programin e tij bërthamor, sipas raporteve nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Prandaj, Izraeli mbron sanksione të rrepta kundër Iranit.

Sot është dita e dytë e udhëtimit të Biden-it në Lindjen e Mesme, vizita e parë e presidentit në rajon që nga marrja e detyrës. Biden e filloi ditën me një takim me Lapid-in, i cili në fillim të këtij muaji u bë kreu i qeverisë së përkohshme pas rënies së koalicionit të mëparshëm. Të dy liderët do të marrin pjesë gjithashtu në një samit virtual me Indinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, pjesë e një grupi të njohur si I2U2, raporton DW. Biden pritet gjithashtu të takohet me liderin e opozitës dhe ish-kryeministrin Benjamin Netanyahu, partia konservatore e të cilit Likud pritet të fitojë shumicën e vendeve në zgjedhjet e ardhshme të planifikuara për në nëntor. Për më tepër, sot presidenti amerikan do të marrë nderimin më të lartë civil të Izraelit – Medaljen Presidenciale të Nderit – nga Presidenti Isaac Herzog.

Por ajo që është ndoshta më interesante është se, Biden do të takohet me përfaqësuesin palestinez Mahmoud Abbas, në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe ka të ngjarë të premtojë mbështetjen financiare amerikane për territorin. Më vonë, të premten, Biden do të fluturojë nga Izraeli direkt në Jeddah, Arabia Saudite, për bisedime me zyrtarët sauditë. Ndërsa në Arabinë Saudite, Bideni do të marrë pjesë gjithashtu në një samit të aleatëve të Gjirit. [GN/ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply