Shqipëri-Kosovë, seancë e përbashkët parlamentare

Spread the love

Shqipëri-Kosovë, seancë e përbashkët parlamentare

Kuvendet e Shqipërisë dhe të Kosovës zhvilluan sot një mbledhje të përbashkët në Tiranë, ku diskutuan për të thelluar bashkëpunimin në shumë fusha.

Kjo mbledhje e parë mes dy kuvendeve, u mbajt me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Të udhëhequr nga një atmosferë festive në hyrje të Kuvendit, drejtuesit e mbledhjes së përbashkët pohuan se kjo është mbledhja e parë mes dy kuvendeve, e cila do të pasohet edhe me mbledhje të tjera, për të forcuar bashkëpunimin në fushat e ligjeve, ekonomisë, kulturës, arsimit dhe infrastrukturës.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, tha se përvjetori 110 i shtetit shqiptar nxit mendimet nën moton Një Komb, Një Qëndrim, tek shqiptarët e sotëm për të ardhmen.

Shqipëria dhe Kosova, theksoi ajo, si shtete të pavarura dhe të respektuar, kanë miq dhe aleatë të mëdhenj si SHBA dhe Bashkimi Europian, duke aspiruar integrimin drejt Brukselit dhe për një ardhme më të begatë.

Mënyra e të menduarit të hqiptarëve duhet të ndryshojë në përputhje me realitetin e ri gjeopolitik dhe me pozitën tonë në këtë realitet të ri. Në jo pak raste ne mendojmë si në kushtet e pengesave dhe barrierave të dikurshme. Kufijtë e dikurshëm e përcaktojnë ende këtë mënyrë të menduari e jo pak herë ata janë kufij mentalë. Sfidat e shqiptarëve në shekullin ku kemi hyrë, pavarësisht se jetojmë në shtete të ndryshme, janë të përbashkëta”, tha zonja Nikolla.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se 28 nëntori është një datë e të gjithë shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë e kudo tjetër.

Ai përmendi heronjtë e pavarësisë, që dhanë jetën për lirinë e kombit shqiptar, por sot tha ai, sfida dhe pengesa të tjera gjenden përpara, një prej të cilave pasiguria që erdhi prej sulmit rus mbi Ukrainën.

I vetmi shtet në mes të Europës, që mbetet i lidhur me Rusinë sot është Serbia. Serbia nuk e fsheh aspak qëllimin e saj, që është destabilizimi i Kosovës dhe ndarja e shtetit tonë. Serbia na Lufton nga brenda dhe nga jashtë pa zgjedhur mjete prej diplomacisë dhe deri tek financimi dhe kontrollimi i grupeve që janë të lidhura me krimin brenda vendit tonë. Sa më afër të jenë Shqipëria me Kosovën, aq më e lehtë do të jetë për të mbrojtur interesat jetike të kombit tonë”, tha zoti Konjufca.

Si pjesë të rëndësishme të punëve konkrete midis dy vendeve, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përmendi Abetaren e përbashkët dhe Fjalorin enciklopedik të përbashkët. Ai theksoi bashkëpunimin në në energji elektrike, ekonomi dhe në infrastrukturën e transportit, porti e durrësit dhe hekurudha Durrës-Prishtinë.

Për hekurudhën kemi tanimë ofertuesit; një grup i gjerë nga kompanitë më të mëdhatë e Europës, që ofertuar për të marrë përsipër studimin e fisibilitetit të porositur nga të dyja qeveritë me vendim të përbashkët”, thotë zoti Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmendi unifikimin e tregut të punës, nismën për unifikimin e sistemit doganor e tatimor, si dhe studimin për hekurudhën Durrës – Prishtinë.

Ai theksoi se të dy vendet duhet të shkëmbejnë mendime dhe të punojnë së bashku, duke shmangur ndarjet, që dëmtojnë të sotmen dhe të ardhmen.

Ndarjet krahinore e bajraktarizmat ishin pengesë dhe prapambeturi atëherë e janë pengesë dhe prapambeturi edhe sot. Prandaj duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri tjetrit, jo për të penguar por për të kontribuar. Hapësira jonë publike; politika, kultura, ekonomia nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta, kalaja ku e vëmë të gjithë nga një gur”, tha zoti Kurti.

Në mbledhjen e përbashkët morën fjalën kryetarë të grupeve parlamentare të Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe ministra të Qeverive të dy vendeve.

Ngjashëm me mbledhjen e sotme të dy Kuvendeve, Shqipëria dhe Kosova kanë zhvilluar disa herë mbledhje të përbashkëta mes dy qeverive, nëpër të cilat janë nënshkruar afro 200 marrëveshje bashkëpunimi, në fusha nga më të ndryshmet.

Administratat në të dy anët e kufirit po ndjekin zbatimin e tyre dhe përherë e më shumë po kërkojnë hapa dhe rezultate konkrete në këtë bashkëpunim, që për afro gjysmë shekulli u ndalua nga diktatura komuniste, nga mbarimi I L2B deri në fillim të viteve 90. [VOA/ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply