Stoltenberg: “Ajo që po ndodh sot në Evropë, nesër mund të ndodhë në Azinë Lindore”

Spread the love

Stoltenberg: “Ajo që po ndodh sot në Evropë, nesër mund të ndodhë në Azinë Lindore”

Prishtonë/Zagreb, 18 shkurt – Zgjohu, Evropë. Duhet të përballemi me sfidën e Kinës. Ky është mesazhi i sotëm i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg drejtuar elitës globale të sigurisë të mbledhur në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Kreu i aleancës ushtarake e lidhi drejtpërdrejt luftën e Rusisë në Ukrainë me Kinën, duke lënë të kuptohet shqetësimet për mundësinë që Pekini të nisë një luftë kundër Tajvanit, një ishull vetëqeverisës që mbetet zyrtarisht pjesë e Kinës, shkruan Politico.

“Ajo që po ndodh sot në Evropë,” paralajmëroi ai, “mund të ndodhë nesër në Azinë Lindore”. Moska, vuri në dukje Stoltenberg, “dëshiron një Evropë ndryshe”, ndërsa Pekini “monitoron nga afër çmimin që paguan Rusia – ose shpërblimin që merr për agresionin e saj”. “Edhe nëse lufta përfundon nesër,” shtoi ai, “mjedisi ynë i sigurisë po ndryshon në terma afatgjatë.”

Vërejtjet e Stoltenberg vijnë në mes të një bisede më të gjerë mes aleatëve perëndimorë rreth mënyrës sesi t’i qasen Kinës, ndërsa ajo lëshon kërcënime ushtarake ndaj Tajvanit dhe forcon ushtrinë e saj. Ndërsa vende si SHBA po u bëjnë thirrje aleatëve që të mbajnë një sy më të ngushtë në Pekin dhe të distancohen nga ekonomia kineze, të tjerët kanë shprehur kujdes në lidhje me etiketimin e Kinës në mënyrë kaq të qartë si një armike.

Kreu i NATO-s paralajmëroi se aleatët perëndimorë duhet të veprojnë të bashkuar si në frontin ushtarak ashtu edhe në atë ekonomik. “Lufta në Ukrainë ka treguar qartë rrezikun e mbështetjes së tepërt në besimin ndaj regjimeve autoritare,” vuri në dukje ai. “Ne nuk duhet të bëjmë të njëjtin gabim me Kinën dhe regjimet e tjera autoritare,” tha ai, duke i kërkuar Perëndimit të shmangë varësinë e tij nga Kina për lëndët e para dhe burimet. Ai gjithashtu paralajmëroi kundër eksportimit të teknologjive kryesore në atë vend.

Ndërsa u përqendrua te kundërshtarët e jashtëm, Stoltenberg u kërkoi njëkohësisht aleatëve të NATO-s që të shmangnin grindjet e brendshme. “Ne nuk duhet të krijojmë barriera të reja midis ekonomive të lira dhe të hapura,” tha ai. “Mësimi më i rëndësishëm nga lufta në Ukrainë,” shtoi ai, “është se Amerika e Veriut dhe Evropa duhet të qëndrojnë së bashku”. [GN/ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply