A do ta sulmojë  Rusia Ballkanin?

Spread the love

Pse Ballkani Perendimor do të përdoret si objektivi kryesor për diversion nëse Kremlini vendos sulm ushtarak ndaj Ukrainës

Nga Janusz Bugajski, SHBA

Ka kohë që debati nëse SHBA mund të luftojë dy luftëra të mëdha njëkohësisht vijon. Por një pyetje që kërkon me ngut përgjigje është nëse Uashingtoni dhe Brukseli do të munden të përballojnë njëherazi shumë kriza të nxitura nga Rusia, kur secila prej këtyre krizave mund të çojë në konflikt të armatosur dhe të bëjë të nevojshme ndërhyrjen ushtarake të NATO-s.

Për më tepër, kriza të këtij lloji mund të ndizen edhe në Ballkanin Perëndimor.

Moska ka aftësinë e mashtrimit taktik dhe të maskimit të qëllimeve të saj afatshkurtra. Gjithashtu mund të përgatisë disa konflikte të njëkohshme, qoftë drejtpërdrejt, qoftë nëpërmjet aleatëve, apo bashkëpunëtorëve të gatshëm.

Nëse Kremlini vendos për një tjetër sulm ushtarak kundër Ukrainës, ai gjithashtu do të krijojë shpërqendrime tjetërkund. Dhe Ballkani Perëndimor është një objektiv kryesor për diversion. Shërbimet e sigurisë ruse janë duke përgatitur terrenin për konflikt prej disa vitesh dhe, tashmë, kanë aleatë të besueshëm për të nisur ofensiva të reja si në Beograd ashtu dhe Banja Luka.

Dy konfrontime të njëkohshme po krijohen në rajon – një në Bosnje-Hercegovinë dhe një në Mal të Zi – dhe ato mund të përkojnë me një pushtim tjetër të Ukrainës nga Rusia. Thirrjet për ndarje nga Bosnje-Herzegovina të Republika Srpska, e cila është instrumenti kryesor i Moskës, do të ndezin fitilin e konfliktit të armatosur.

Udhëheqësit serbë të Bosnjës kanë bllokuar vendimmarrjen në institucionet kombëtare dhe kanë nisur një proces për t’u tërhequr nga forcat e armatosura, sistemi i taksave dhe nga gjyqësori. Ata gjithashtu kanë votuar për krijimin e organeve të veçanta shtetërore për entitetin serb në përgatitje të referendumit për shkëputje.

Me hartimin e ligjeve të reja dhe ndryshimin e kushtetutës së RS, kjo tërësi duket e vendosur të braktisë të gjitha institucionet shtetërore boshnjake, çfarë do të shkaktonte shembjen e strukturave administrative.

Kjo shtytje drejt shkëputjes do haste në rezistencën e popullatës boshnjake, territoret e së cilës u morën nga forcat nacionaliste serbe gjatë fushatës së gjenocidit në vitet 1990. Lëvizjet drejt shkëputjes të udhëheqësi serb në Bosnje, Milorad Dodik, janë inkurajuar nga kundërpërgjigjia e pafuqishme e Perëndimit me sanksione të kufizuara dhe paralajmërimeve verbale të zyrtarëve të SHBA dhe BE.

Sanksionet e SHBA, të ndërmarra si ndëshkim për korrupsionin dhe rrezikimin e stabilitetit dhe integritetit territorial të Bosnjës, kanë qëllim të mirë, por, sidoqoftë, mbeten të pamjaftueshme. Dodik, thjesht, mund t’i drejtohet Putinit për të rifituar çdo pasuri të pakësuar (nga sanksionet) në këmbim të vijimit të rrugës së shkëputjes.

Moska, gjithashtu, ka përgatitur terrenin që shteti i ri serb të marrë mbështetje rajonale, sapo ai të shpallë pavarësinë. Ajo ka krijuar një bosht pro-Moskë në rajon që përfshin lidershipin e korruptuar politik në Hungari dhe Slloveni, të cilët do të nxiten të kundërshtojnë integritetin e Bosnjës.

Qëndrimi i paqartë i lidershipit kroat të Bosnjës dhe i vetë Zagrebit dhe nëse ata do të jenë në anën e Sarajevës për të mbrojtur këtë shtet apo do të komplotojnë me Banja Lukën, Beogradin dhe Moskën për ta rrënuar atë, është gjithashtu shkak për shqetësim.

Mbi të gjitha, Moska ka kultivuar qeverinë e Vuçiç në Beograd. Ajo mbështet haptazi dhe në fshehtësi projektin e saj mini-imperialist në Ballkanin Perëndimor përmes furnizimeve me armë, ndihmës për sigurinë, propagandës, dezinformimit dhe mjeteve të tjera me ndikim në destabilizimin dhe dobësimin e fqinjëve të Serbisë.

Në të vërtetë, një front i dytë I Moskës në Ballkanin Perëndimor, tashmë, është hapur në Mal të Zi. Kriza qeveritare në Podgoricë, në të cilën forcat properëndimore brenda dhe jashtë koalicionit qeverisës janë duke u përballur me partitë nacionaliste serbe të mbështetura nga Beogradi dhe Moska, po përshkallëzohet.

Kryeministri Zdravko Krivokapiç, i konsideruar gjerësisht si instrument i Kishës Ortodokse Serbe pro-muskovite, ka nxitur krizën duke u përpjekur të parandalojë formimin e një qeverie më përfshirëse, duke gatitur një grusht shteti për të shkarkuar zyrtarët e zgjedhur, dhe duke kërkuar kontroll jokushtetues mbi policinë.

Nëse partive properëndimore, që përfaqësojnë shumicën e qytetarëve të Malit të Zi, iu ndalohet mbajtja e zgjedhjeve të reja, ndërkohë që procesi i serbizimit intensifikohet, atëherë Mali i Zi do jetë përballë konfliktit të dhunshëm që arriti të shmangte gjatë rënies së Jugosllavisë.

Dhuna politike dhe copëtimi i shtetit të Bosnjes dhe Malit të Zi do të mirëpriten në Kremlin. Kjo do të tregonte se as ndërhyrja e NATO-s as anëtarësia në këtë Aleancë nuk mund ta mbajnë një vend të bashkuar dhe se si SHBA ashtu edhe BE janë të pafuqishme të ndalojnë avancimin e forcave pro-ruse në rajon.

Shërbimet e inteligjencës ruse do të përfitojnë gjithashtu nga mosmarrëveshjet e tjera ballkanike. Krijimi i një shoqate autonome komunale serbe në Kosovë do t’i siguronte Moskës një depërtim destabilizues shtesë.

Uashingtoni duhet të jetë i përgatitur për t’u përballur me disa kriza ndërkombëtare, që do të kërkojnë jo vetëm diplomaci intensive, por ku nuk përjashtohet as mundësia e dërgimit të forcave ushtarake për të parandaluar ose për t’i dhënë fund luftërave lokale.

[DITA/ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply