A po i arrin Rusia qëllimet strategjike me anë të luftës në Ukrainë?

Spread the love

A po i arrin Rusia qëllimet strategjike me anë të luftës në Ukrainë?

Nga Dritan Goxhaj

Po bëhet gati afërsisht një muaj që ushtria Ruse ka futur në Ukrainë në luftim, pothuajse 90% të 200,000 forcave të saj ushtarake të grumbulluara në kufi me Ukrainën, para fillimit të operacioneve të saj ushtarakë, ndëshkimorë dhe aneksues.

Që nga data 24 shkurt janë të shumtë ata që i bëjnë pyetje vetes se përse Rusia e ka ndërrmarë këtë ofensivë dhe cilët janë objektivat e saj?

Ndaj, për të kuptuar më mirë objektivat e kësaj lufte të ndërrmarë nga Rusia kundër Ukrainës le të shtjellojmë pak cilët janë objektivat që rrjedhin nga vendimi politik për të shkuar në luftë.

Teoria moderne ushtarake e ndan luftën në tre nivele (Objektiva).

Nivelet e saj ndahen në:

1. Niveli strategjik i luftës;

2. Niveli operacional i luftës;

3. Niveli taktik i luftës.

Ҫdo nivel i kësaj lufte ka të bëjë me zbatimin e një strategjie e cila është gjatë gjithë kohës pre e rivlerësimit, për shkak se lufta në vetvete është dinamike.

Le t’i shohim këta nivele një e nga një.

Niveli strategjik

Niveli strategjik ka të bëjë me përcaktimin dhe mbështetjen e politikave kombëtare dhe lidhet drejtpërdrejt me rezultatin e luftës. Në këtë nivel përfshihet koncepti strategjik, i cili përfshin planet për përgatitjen e të gjithë instrumentave kombëtarë të pushtetit për luftë. Përfshin udhëzimet praktikë për përgatitjen e forcave të armatosura për arritjen strategjike të objektivit ose objektivave.

Niveli operacional

Ky nivel ka të bëjë me përdorimin e forcave ushtarake në një teatër lufte, për të arritur një avantazh ndaj armikut, në mënyrë që të arrihet synimi strategjik përmes projektimit, organizimit dhe zhvillimit të një fushate dhe operacioneve kryesore.

Niveli taktik

Në këtë nivel përfshihet kuptimi tradicional i operacionit. Ai që përbëhet nga manovra, vedosja dhe beteja të forcave në terren në kontakt direkt me armikun.

Pra për të qënë më të qartë na rezulton që:

Niveli taktik = forcat në një betejë,

Niveli operacional = të gjitha betejat individuale të këtyre forcave të vendosura në një teatër lufte,

Niveli Strategjik = qellimi i luftës.

Në nivelin strategjik, teoricieni i luftës Von Klauzeviç përcakton objektivat që janë:

1) Shkatërrimi i plotë ose i pjesshëm i forcave të armikut.

2) Pushtimin i plotë ose i pjesshëm i vendit të tij.

3) Thyerja e vullnetit të tij për të luftuar.

Me këto tre përcaktime të qartë, vijmë te objektivat e përcaktuar nga Rusia për këtë luftë të cilat janë:

a) Demilitarizimi i ushtrisë ukrainase

b) Krijimi i kushteve të nevojshëm, pavarësisht kufijve, për të vendosur kontroll të mëtejshëm territori që funksionon si një i vetëm.

Qartësisht në këta objektiva duken tre pikat që përcakton Klauzeviçi, ku me demilitarizim të ushtrisë kuptohet shkatërrim i plotë i saj dhe po u arrit shkatërrimi atëherë thyhet edhe vullneti për të bërë një luftë. Ndërsa me krijimin e kushteve për të qënë një territor i vetëm, kuptohet pushtim i pjesshëm i Ukrainës.

Le të shohim pikën e dytë që nënkupton pushtim të pjesshëm të Ukrainës.

Ҫfarë do të thotë kjo?

Për të sqaruar këtë do na duhet ti referohemi historisë.

Në vitin 1764 rusët arrijnë të pushtojnë territoret jugore të Ukrainës që në atë kohë i përkisnin mbretërisë Kozake. Këto territore përbëheshin nga Luhansku, Donetsku, Dniepropetrovska (Mariupoli), Zaporozhia, Mikolayev dhe Odesa.

Pasi u morën, këto territore u quajtën atëherë nga Katerina me emrin Novarosija. 10 vjet më vonë këtyre territoreve iu shtua edhe Krimea.

Deri në fund të Revolucionit të Tetorit në 1922 këto territore qeveriseshin nga Rusia e asaj kohe dhe në këtë vit, këto territore iu dhanë Ukrainës si pjesë e Bashkimit Sovjetik. Në vitin 2014, republikat e vetëshpallura të Luhanskut dhe Donetskut formuan federatën e Novarosija, por në vitin 2015 kjo iniciativë politike u vendos që të ngrinte.

Pse duhej sqaruar kjo?

Tani le të vijmë në sqarimin e objektivave të lartpërmendur në kontekstin e teatrit aktual të luftës, për të kuptuar sqarimin historik të mësipërm.

Me fillim e ofensivës forcat ruse lëvizën në 4 drejtime kryesore të cilat janë:

1. Nga Voronezh në Rusi në drejtim Luhansk, nga Rostov në Rusi në drejtim Donbas;

2. Nga Kursk në Rusi në drejtim Ҫherniv-Sumi-Kharkiv;

3. Nga Bjellorusia në drejtim Ҫernobil-Kiev;

4. Nga Krimea në drejtim Mariupol-Kherson-Mikolajev;

Dy prej këtyre drejtimeve janë në Jug të Ukrainës, njëri në Lindje dhe i katërti në Veri të saj.  Dhe pikërisht, ky drejtimi i fundit ka marrë gjithë vëmendjen e Perëndimit.  Ky drejtim nuk po ecën ngadalë si tre drejtimet e tjera, por ai ka ngecur në vend, në rrethinat e Kievit, pa tentuar seriozisht të avancohet më tej. Ndërsa në Jug ku përparimi i forcave ruse ka qënë dukshëm më i suksesshëm, shihet vakët, ose vetëm si një katastrofë humanitare, më shumë sesa një humbje serioze.

Në këtë drejtim të Jugut, forcat ruse kanë arrritur të shpërthejnë vijat mbrojtëse të Ukrainës dhe të marrin nga ana e Krimesë qytetet e Kherson dhe Melitopolit. Gjatë javës që sapo shkoi arritën të ndërpresin edhe daljen në Detin Azov të Mariupolit duke krijuar kështu një lidhje tokësore midis forcave të tyre që vijnë nga Krimea dhe atyre që vijnë nga Donbasi, pra duke bërë një lidhje tokësore të kësaj republike të vetëshpallur me Krimenë.

Në të njëjtën kohë kanë rreshtuar në Detin e Zi përpara Odesës një armatë të tërë detare me mbi 15 anije amfibe të gatshme për zbarkim, të cilat presin urdhërin e Shtabit të Përgjithshëm, i cili po pret mbarimin e operacionit në Mariupol dhe pastaj përqëndrimin e forcave në drejtim të Mikolajevit me qëllimin që t’i dalin Odesës nga mbrapa dhe në krah.

Ajo çfarë vihet re është përdorimi i forcave ose i drejtimit verior për në Kiev si një diversion magjik. Këtu Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ruse ka bërë një lëvizje prej prestigjatori. Ata dhanë një goditje fillestare në drejtim të Kievit me një numër të vogël forcash speciale si për të krijuar idenë se kishin qëllim kryesor marrjen e Kievit dhe rrëzimin e qeverisë.

Por po të shohim taktikën e përdorur nga forcat ruse në këtë drejtim ajo nuk është e njëjtë më taktikën e po këtyre forcave të përdorur në tre drejtimet e tjerë.

Në vitin 2014 ushtria ruse miratoi doktrinën e saj të re ushtarake. Në këtë doktrinë ajo përcakton qartësisht taktikën e veprimit dhe nivelin operacional të trupave që funksionon sipas kësaj mënyre: 

Në fillim, si skalion i parë hidhen në sulm Brigadat e motorrizuara për të çarë linjat e mbrojtjes. Sapo këto i çajnë këto linja, atëherë menjëherë hidhen në sulm pas tyre si skalion i dytë forcat e blinduara të rënda në të cilat hyjnë tanket dhe që përdoren për të zgjeruar shtegun. Së treti pas këtyre hidhet në sulm, si skalion i tretë Garda Kombëtre e Federatës Ruse e cila ka për detyrë të fshijë çdo lloj xhepi rezistence të mbetur dhe të ruajë objektet kritikë nga sabotimi. Gjatë këtij operacioni gjatë gjithë kohës bëhet mbulim i afërt ajror.

Në realitet kjo doktrinë u zbatua me përpikmëri në dy drejtimet jugore. Ndërsa në drejtimin lindor nuk u zbatua në ditët e para, por filloi zbatimi menjëherë pas ditës së pestë.

Ndërsa në drejtimin e Veriut, ai në drejtim të Kievit, kjo taktikë nuk u zbatua fare. Bile edhe një autokolonë disa kilometra e gjatë nuk u sigurua aspak me mbulim ajror për një javë që ajo qëndroi pa lëvizur dhe që çuditërisht nuk u sulmua as nga forcat dhe artileria tokësore e Ukrainës.

Pra siç shihet, mosaplikimi i doktrinës, mosmbulimi dhe mosçuarja në drejtimin e Veriut të forcave më të trajnuara (pasi forcat më të trajnuara dhe më me eksperiencë të rusëve që janë Ushtria e 58-të e Kaukazit dhe Divizioni i 7-të Ajror janë përqëndruan në drejtim të Mikolajevit, më qëllimin fundor Odesën, nuk u përdorën në Kiev, ndërsa në Kiev u përdorën vetëm njësi që i përkisnin Gardës Kombëtare) tregon se Kievi nuk ka qënë qëllimi kryesor i tyre, por vetëm diversion.

Siç duket, rusët kërkuan të krijonin idenë e gabuar te ukrainasit dhe te Perëndimi se qëllimi i tyre kryesor ishte dhe është Kievi, por në realitet duke u nisur nga lloji i forcave, taktikat dhe doktrina e përdorur në Jug, duket qartësisht që qëllimi i vërtetë i gjithë kësaj ekspedite ushtarake është realizimi i pikës b të Putinit: krijimi i kushteve të nevojshëm, pavarësisht kufijve, për të vendosur kontroll të mëtejshëm territori që funksionon si një i vetëm. Pra marrjen e gjithë brigjeve jugore të Ukrainës në Detin e Zi dhe Detin Azov.

Qëllimi strategjik i tyre është kontrolli i plotë i gjithë kësaj vije bregdetare që nis në Mariupol dhe përfundon në Odese në kufi me Rumaninë dhe me Moldavinë. Duke i hequr kështu Ukrainës mundësinë e daljes në det dhe duke e shndërruar atë thjesht në një shtet të izoluar, i cili pasi do ketë edhe një ushtri të shkatërruar do të gjendet gjithnjë nën presionin rus të pushtimit të ndonjë territori tjetër dhe i pamundshëm për të rimarrë territoret e saj.

Pra me pak fjalë me realizimin e këtij qëllimi, do të kemi një Federatë Ruse e cila do të kontrollonte një pjesë të Lindjes së Ukrainës dhe gjithë Jugun e saj dhe bregdetin që nga deti Azov e deri në Odesa, duke i dalë Evropës në kufi e duke u shndërruar kështu në një bishë shumë herë më të fuqishme e më të rrezikshme nga ajo që Bota e njeh që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Duke marrë kontrollin e vijës bregdetare, automatikisht bie poshtë pretendimi i Perëndimit se Putini po kërkon të marrë Kievin për të marrë kontrollin politik të vendit.

Me marrjen nën kontroll të atij territori në Jug, kjo do sjellë një turbulencë të madhe politike në Ukrainë pas lufte, pasi duke mos pasur më dalje në det, ajo do të kthehet në një vend të varfër dhe jo më të qëndrueshëm politikisht.

Me marrjen e Jugut, të asaj që në histori është njohur si Novarosija, e gjymton Ukrainën ekonomikisht dhe e kthen atë në një vend politikisht të parëndësishëm edhe për NATO-n edhe për Evropën.

Dhe këtu vijmë te pyetja që pas këtij leximi të gjatë të gjithë ia bëjnë vetes:

Kush e fiton këtë luftë?

Në rast se do e përkufizojmë “fitoren” si detyrim të Putinit që të pranojë një armëpushim dhe të tërhiqet nga pjesa më e madhe e territorit Ukrainas, pa e gjymtuar atë ekonomikisht dhe politikisht, atëherë mund të thuhet se Ukraina e ka fituar këtë luftë. Por kjo do të thotë që Ukraina të ruajë daljen e saj në Detin e Zi dhe të rrimarë dy republikat e vetëshpallura.

Por në rast se Rusia do të pranojë një armëpushim, por ajo do të mbajë kontrollin e Detit Azov, Të Mariupolit, Donetskut, Luhanskut, Mikolajevit dhe Khersonit, atëherë kjo do të ishte një humbje e pjesëshme për Ukrainën. Por nëse kësaj do i shtohej edhe Odesa, atëherë kjo do të ishte një humbje totale për Ukrainën.

Prandaj përparimi i shtrenjtë dhe i ngadaltë i forcave Ruse në këtë luftë nuk duhet të keqinterpretohet, ashtu si po bëhet deri më tani, si dështim i qëllimeve politike dhe ushtarake të Moskës.

Gjithashtu me valën e madhe të refugjatëve ukrainas që largohen nga lufta në drejtim të Evropës, Rusia po arrin edhe një qëllim tjetër strategjik politik në raport me Evropën. Po përhap nëpërmjet kësaj vale refugjatësh frikën e destabilizimit në gjithë Evropën.

Pra thënë shkurt e qartë, Evropa dhe NATO deri më tashti janë marrë vetëm me mbulimin dhe komentimin e nivelit taktik të luftës dhe kanë lënë jashtë kalkulimit nivelin strategjik të saj, atë për të cilin lufta bëhet. Dhe në këtë drejtim dhe në atë operacional, rusët po bëjnë përditë përparime të vogla dhe të konsiderueshme.

Duke qënë se luftën e shikojmë të gjithë nga jashtë, shpesh ajo barazohet me të kuptuarin, që në realitet është gjithnjë i ndryshëm.


Spread the love


Leave a Reply