A po i kërkon Makron Europës një distancim nga SHBA-të pas vizitës së tij në Kinë?

Spread the love

A po i kërkon Makron Europës një distancim nga SHBA-të pas vizitës së tij në Kinë?

GENC BURIMI

Në SHBA dhe në Europë, reagimet janë të shumta pas intervistës të cilësuar si jo miqësore ndaj amerikanëve, që Emanuel Makron dha për shtypin francez pas kthimit nga vizita e tij disaditore në Kinë. Ne këtë intervistë që po e përkthejmë të plotë në pjesën e dytë të këtij shkrimi, ideja qendrore e mendimit strategjik “makronist” është kjo:

në kontekstin e trazirave tektonike që po ndodhin në botë, në atë që Makron e quan si një “përshpejtim të historisë” (drejt tragjikes), Europa nuk duhet të jetë një gur shahu, por të marrë fatet e saj në dorë. Makron kërkon që Europa – Fuqi të bëhet Poli i Tretë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare në mënyrë që BE-ja të jetë autonome karshi dy poleve të superfuqive, SHBA-të nga njëra anë dhe Kina nga ana tjetër. Që të arrihet kjo, Europës i nevojitet sipas Presidentit francez një autonomi strategjike për të mos u varur më nga askush, as në mbrojtje dhe as në energji. Europa duhet të prodhojë më shumë armatime dhe shumë më shpejt e të mos blejë më armatime jashtë BE-së. Po ashtu, Europa e varfër në hidrokarbure që dje varej nga Rusia dhe sot varet nga SHBA-të dhe nga disa vende arabe, duhet të investojë masivisht në energji bërthamore dhe në energji të gjelbër (hidrogjeni si zëvendësues i gazit dhe i naftës).

Po pse këto teza që janë hedhur njëherë po nga Makroni në atë që quhet fjalimi i Sorbonës më 2018, ripërsëriten sot sapo Presidenti francez përfundoi vizitën në Kinë?

Presidenti francez frikësohet se SHBAtë po na çojnë në konflikt ekonomik ose dhe të armatosur me Kinën për shkak të Tajvanit. Nëse ky konflikt shpërthen së shpejti, Makron vlerëson se Europa nuk do të ketë kohën e nevojshme as për t’u armatosur dhe as për të arritur në një autonomi të plotë në fushën e energjisë. Një konflikt i ri në këtë moment, do ta kthente detyrimisht Europën vasale të SHBA-ve sepse nga SHBA-të varen shumë vende europiane si për mbrojtjen, ashtu edhe për energjinë. Presidenti francez duket kështu sikur i thotë Uashingtonit nga njëra anë, kujdes në dosjen e Tajvanit sepse Franca dhe vende të tjera që do të dëgjonin Francën nuk janë gati të ndjekin symbyllurazi amerikanët; dhe nga ana tjetër Makron duket sikur u thotë europianëve, se nëse nuk angazhohen në rrugën e një autonomie totale që tani, nesër do të gjenden të detyruar nga SHBA-të në një konflikt me Kinën, në mos ushtarak, patjetër në një konflikt tregtar, pasi SHBA-të do t’u imponojnë aleatëve sanksione ndaj Kinës. Por një luftë tregtare me Kinën do të ishte po aq shkatërruese sa një konflikt i armatosur sepse tregtia BE-Kinë, peshon më shumë se 800

miliardë euro. Ndaj fill pas kësaj interviste ku ai theksoi se SHBA-të kanë si prioritet numër një vetëm interesat e tyre, Makron kryen një vizitë shtetërore në Holandë me shumë ministra në delegacion (e para e këtij lloji që prej gati një çerek shekulli) sikur për t’i bindur holandezët që mishërojnë vendin më tregtues në BE, se po vazhduam të ndjekim SHBA-të në konfliktin e tyre me Kinën, janë në radhë të parë vendet europiane me tregti shumë të zhvilluar si Holanda që humbasin. Makron e shtyn thirrjen e tij për pavarësi europiane karshi SHBA-ve në atë pikë saqë në intervistë këmbëngul që europianët të mos jenë të varur as nga ekstraterritorialiteti i dollarit (një aluzion ndaj faktit që SHBA-të shpesh ndëshkojnë firma europiane kur ato përdorin dollarin me shtete nën sanksione amerikane siç është rasti me Iranin).

REAGIMET NË BOTË NDAJ DEKLARATAVE TË MAKRONIT

Deklaratat e Makronit në shtypin francez për një “jo” ndaj SHBA-ve nëse ato e tërheqin Europën në konflikt me Kinën, ngjan pak a shumë me distancimin e Francës ndaj SHBA-ve në 2003 në momentin e luftës në Irak. Asaj kohe, kur Shirak i tha “jo” Bush-it, reagimet qenë pro Francës në vendet antiamerikane dhe antifranceze në SHBA dhe në vendet proamerikane. Para Makronit dhe Shirakut, në vitet ‘60, ishte De Gol që i pari u tregoi “limitet” amerikanëve, ndonëse vetëm dy dekada më parë Amerika kishte çliruar Francën nga Hitleri. Më 1964, De Gol u be udhëheqësi i parë i një vendi anëtar të NATO-s që njohu Republikën Popullore të Kinës së Maos, kur amerikanët njihnin vetëm Kinën e Çiang Kaisheksit të strehuar në Tajvan. Një vit më pas, me 1965 De Gol u bë edhe më radikal, duke e nxjerrë fare Francën nga strukturat e Nato-s (por Franca qëndroi në aleancë). Asaj kohe po ashtu, arsyeja ishte refuzimi i Francës që Amerika të përdorte dollarin që e shtypte vetë në shkëmbimet tregtare, ndërkohë që vendeve të tjera u kërkohej ar.

Kina asaj kohe e mburri me tone superlative gjestin shumë të rëndësishëm të De Golit sipas Maos në njohjen e Kikës komuniste. Pa surpriza edhe kësaj here është shtypi kinez që i bën lëvdata intervistës së Makronit, që tingëllon për kinezët si një qëndrim antiamerikan. E përditshmja e kontrolluar nga pushteti kinez “Global Times” e titullon editorialin e saj me fjalët “Vizita e Makronit ne Kinë si domethënie e autonomisë strategjike”. Në shkrim mund të lexohet se “Populli kinez e ka vlerësuar gjithmonë autonominë strategjike të Francës dhe frymën e pavarur diplomatike të saj në një peizazh ndërkombëtar në ndryshim. Në atë kohë, ish-Presidenti francez Sharl De Gol përqafoi ndjekjen e një politike të jashtme të pavarur për të mbrojtur sovranitetin dhe interesat kombëtare të Francës. … Është e qartë për të gjithë se të qenit një vasal strategjik i Uashingtonit është një rrugë pa krye. Bërja e marrëdhënieve Kinë-Francë një urë për bashkëpunimin Kinë-BE është e dobishme për të dyja palët dhe për botën”.

Por pa surpriza po ashtu, edhe në SHBA, si në kohen e jo–së së Shirakut kundër luftës në Irak, reagimet kanë qenë të ashpra ndaj deklaratave të Makronit. Mund të veçohen komentet e senatorit të Florida, Marco Rubio, ish-kandidat republikan i primareve për President (rival i Donald Trump me 2016) që deklaron: “Pas vizitës në Kinë, Makron u tha gazetarëve se Europa duhet të krijojë distancë me SHBA dhe se nuk duhet t’i japë mbështetje Amerikës në konfliktin me Kinën në dosjen e Tajvanit. Na duhet të dimë nëse Makron flet ne emër të Makronit apo nëse ai flet në emër të Europës. Duhet ta dimë sa më shpejt, sepse Kina është shumë e gëzuar me deklaratat e Makronit”. Po në SHBA, disidenti rus Gari Kasparov, ish-kampion i shahut që ka gjetur aty azil, deklaron po ashtu: “Një Makron patetik si zakonisht. Europa është në luftë sot pikërisht për arsye të kundërta, sepse nuk deshi të implikohej në krizën që provokoi Rusia, kur Vladimir Putini pushtoi më 2014 Krimenë. Europa duhet të qëndrojë në krah të SHBA-ve përballë Kinës”, sipas Kasparovit. Një deputet estonian që kryeson komisionin parlamentar të punëve të jashtme po ashtu pyet publikisht: “Përse kështu, President Makron, përse? Europa duhet të qëndrojë në krah të SHBA-ve për të ekuilibruar fuqinë kineze”…

Në mënyrë që gjithsekush të krijojë vetë opinionin e tij, nëse Makron është vërtet “antiamerikan” apo thjesht një pro-europian i vendosur, tek rubrika Intervista po sjellim intervistën e tij e plotë. [Panorama]


Spread the love


Leave a Reply