Agresioni rus ndaj Ukrainës dhe rikthimi tek Dilema e Huntingtonit

Spread the love

Agresioni rus ndaj Ukrainës dhe rikthimi tek Dilema e Huntingtonit

Nga Bislim ELSHANI*

Gjersa po shikoja një film rus, mu kujtua vërejtja e një analisti perëndimor që kritikonte putinizmin dhe agresionin rus mbi Ukrainën. Duke i rishikuar zhvillimet ruse të dekadave të fundit, ai nënvizonte në mes tjerash se gabimi rus konsistonte në faktin që në vend se t’i imponoheshin botës me art dhe kulturë, rusët zgjodhën shembullin e Hitlerit. Më habiti ky fakt dhe më nxiti të mendoja se ç’vend mund të kishte arti në pozitën dhe në autoritetin global të një shteti. Pastaj më ra ndër mend se jo rastësisht filozofët e kishin cilësuar “Estetikën” si kryeveprën e Hegelit. Sepse, sipas tij, e bukura është mbi të gjitha vlerat njerëzore. Filmi rus që po shikoja titullohej “Akull” dhe bënte fjalë për një patinazhiste ruse e cila pas një lëndimi të rëndë në shtyllën kurrizore duhej të bënte përpjekje mbinjerëzore për t’u ringritur në këmbë e për t’iu rikthyer pasionit të saj artistik, gjë që me përpjekje të jashtëzakonshme dhe me ndihmën e një partneri të ri edhe ia del. Kthimi dhe ringritja e saj në skenë realizohet përmes një incidenti: partneri i saj i ri thyen të gjitha rregullat dhe futet në një skenë prestigjioze duke bërë një kundërvajtje. Drejtuesit e spektaklit ndalojnë muzikën dhe urdhërojnë çiftin të lerë skenën. Publiku rus i sallës bën një gjest të jashtëzakonshëm: përmes një polifonie zërash të panumërt zëvendësojnë muzikën e ndërprerë instrumentale me një korale të gjallë. Çifti nis të vallëzojë duke marrë zemrat e të gjithë spektatorëve. Triumfi i tyre artistik është i padiskutueshëm dhe madhështor. Metafora që rezulton imponohet vetvetiu: Vetëm vlerat e vërteta intelektuale mund të pushtojnë zemrat e botës dhe të sigurojnë prestigjin. Kjo vlen si për individët, ashtu edhe për kombet.

Kombi rus nisi të “ringjallej/formohej” gjatë shekullit XIX me ndikimin e kulturës evropiane. Duke lexuar në moshën time të re veprat e Tolstoit, Gogolit, Turgenjevit, Çehovit, Gonçarovit, por edhe të Gorkit, Leonovit e Majakovskit, m’u bë e qartë se ringjallja ruse nga prapambetja e muzhikëve ortodoksë analfabetë me tipare feudale mesjetare, por edhe me elemente të lashta të skllavërisë, mund të vinte, ashtu si tek ne shqiptarët, duke shikuar nga Perëndimi. Jo rastësisht një vepër si “Lufta dhe Paqja” e Tostojit është e mbushur me tekste në frëngjisht. Edhe aventura leniniste e Tetorit të vitit 1917 kishte një synim të vetëm: ta evropeizonte me një ritëm më të shpejtuar botën e prapambetur ruse, gjë që vërtetë u kushtoi rusëve miliona viktima, mirëpo nuk mohohet fakti edhe që u siguroi statusin e superfuqisë.

Me shembjen e perandorisë sovjetike, rusët, krahas disa territoreve nga të cilat duhej të hiqnin dorë, duhej të hiqnin dorë edhe nga një ideologji me vlera globale me ndikim në të gjitha anët e botës. Kufizimi i tyre në filozofitë subjektive nacionale dhe në rishkrimin e historisë sipas formulës së Hobsbaumit (shiko: “Shpikja e traditës”), nuk mund t’u lejonte edhe më tej statusin e superfuqisë. Këtë fakt e nënvizon edhe Ukshin Hoti në analizat e tij mbi botën sovjetike. Mirëpo Hoti kishte vënë re edhe një gjë, se kolonitë, më parë se faktor zhvillimi, me kohë ishin shndërruar në ballast dhe frenues zhvillimorë, kështu që si Franca e De-Golit, ashtu edhe gjermanët, kishin ardhur në konkluzionin se duhej të merreshin me rritjen e brendshme në vend të zgjerimit të jashtëm territorial. Në rastin e gjermanëve kjo qasje e re kishte rezultuar me sukses të plotë, duke e kthyer vendin e tyre në një superfuqi ekonomike botërore. Rusët nën Putinin pas viteve 90 zgjodhën rrugën e kundërt: në vend të koncentrimit në fuqitë e brendshme dhe në talentin rus, zgjodhën rikthimin tek ëndrrat perandorake mesjetare dhe tek filozofia e mongolëve të Xhengis Kanit. Prandaj, cilësimi i invazionit më të ri rus mbi Ukrainën me metaforën e “marshit më të ri të mongolëve” nga kryeministri britanik, nuk duhet marrë si një shprehje raciste anti-ruse, por si një metaforë e qëlluar që më parë se urrejtje, duhet të ngjallë keqardhje për këtë orientim të gabuar rus në fillim të këtij shekulli që do t’i kushtojë apo mund t’i kushtojë shumë si atyre vetë, ashtu edhe gjithë globit. Putinizmi, duke vrarë e plagosur fqinjët, ka vrarë në mënyrë të egër e brutale ëndrrën për një Rusi evropiane duke i dhënë fund kështu edhe dilemës së Huntingtonit, nëse ortodoksizmi mund të inkludohej ose jo në vlerat qytetërimore të Perëndimit.

_____________________________________

* Publikuar fillimisht më 25 mars në murin e tij në fb.


Spread the love


Leave a Reply