Agresioni rus në Ukrainë: Mësimet që duhet të nxjerrë Shqipëria dhe Kosova

Spread the love

Agresioni rus në Ukrainë: Mësimet që duhet të nxjerrë Shqipëria dhe Kosova

Nga Dritan Demiraj, Ph.D*

Ndërkohë që kemi hyrë në javën e gjashtë të përpjekjes së dështuar të Rusisë për të pushtuar Ukrainën, mendoj se duhen analizuar shkaqet, rrethanat të cilat po ndikojnë në këtë pushtim të jashtëligjshëm dhe kriminal.

Në përpjekje për të mbajtur ritmin e operacioneve luftarake në Ukrainë, Vladimir Putini se fundi firmosi një dekret presidencial për mobilizimin e shpejtë të 134.500 rekrutëve të rinj të moshës 18-27 vjeç, kryesisht studentë nga universitetet dhe nga zonat rurale të Rusisë.

Por si mund të ‘lexohet’ kjo?

Tashmë pamjet e videove të tankeve, helikopterëve luftarakë, mjeteve të blinduara, transportit dhe logjistikës të shkatërruara me shumicë nga sulmet e vazhdueshme, intensive, ditën, natën në zona urbane dhe rurale të ushtrisë dhe të njësive të rezistencës Ukrainase po bëjnë xhirot e Botës.

Këtyre videove u mungonin vetëm pamjet e rekrutëve studentë rusë të frikësuar, të pamotivuar, të papajisur, të pastërvitur, etj të cilët po merren me forcë në universitete, duke i çuar drejt vdekjes në një mision tashmë të pamundur. Janë vetë këta studentë, të cilët kanë denoncuar me zë dhe figurë dërgimin e tyre me forcë në Ukrainë, duke kërkuar që ato video të shpërndahen në mënyrë që t’i shohë e gjithë bota.

Kjo tregon qartë se popullsia i Rusisë nuk është në armiqësi me popullin e Ukrainës, por është pushteti korruptiv tashmë krejtësisht i izoluar nga ndërkombëtarët i Putinit dhe i stafit të tij të ngushtë, të cilët duan shkatërrimin dhe nënshtrimin e Ukrainës.

Askush nuk e kishte menduar se rezistenca e Ukrainës do të ishte kaq e suksesshme, e qëndrueshme dhe e lëvizëshme. Deri në ditën e sotme ushtria ruse përveç dinjitetit, forcës së ‘pathyeshmërisë’, luftës psikologjike, luftës informative, luftës së parregullt dhe luftës asimetrike, etj ka humbur më shumë se 30.000 ushtarë (të vrarë, plagosur, kapur peng, dezertuar nga posti luftarak) një numër shumë i lartë ky që pasqyron jo më pak 1/5 e sasisë së përgjithshme të trupave të angazhuara në luftime në Ukrainë.

Kjo pasqyrohet qartë tek urdhëri i fundit për t’u tërhequr nga rrethinat e Kievit, rajonet e Çernobilit, në frontin e Kharkiv-it, Irpin, Chernihiv  Zaporizhia, etj për tu përqëndruar më tepër tek dy republikat e shpallura të pavarura të Luhanskut dhe Donetskit.

Është e qartë për çdo ekspert ushtarak se kjo tërheqje e detyruar vjen pas kundërsulmeve të suksesshme të njësive speciale ukrainase rreth kryeqytetit, pas humbjeve të turpshme dhe ky mobilizim i sforcuar tregon qartë situatën drastike në të cilën ndodhet ushtria ruse.

Ky konflikt duhet të shërbejë për të nxjerrë mësime për ushtritë e NATO-s, përfshirë këtu edhe ushtritë tona në Shqipëri dhe në Kosovë, se duhet të ridimencionojmë sa më parë strukturat e njësive luftarake, pajisjet, armatimin dhe stërvitjen me qëllim përballjen me sukses të konflikteve të ngjashme në të ardhmen.

Në këtë këndvështrim, pamjet e konfliktit në Ukraninë të kujtojnë vitet 1986-1989 kur muxhahedinët afganë në Afganistan shkatërruan hiç më pak se 333 helikopterë luftarakë dhe 113 aeroplanë sovjetikë me më pak se 1000 raketa ‘Stinger’.

Në gjykimin tim por jo vetëm, ky konflikt do të shërbejë për rishikimin e taktikave të përdorimit të mjeteve të blinduara në fushëbetejë, të mbështetjes ajrore, të operacioneve luftarake nga ajri dhe rritjes së përdorimit të forcave të operacioneve speciale në luftim.

Rritja e asistencës ushtarake në Ukrainë me mbi 3 miliardë dollarë, dërgimi i më shumë se 20.000 raketave moderne kundërtanke dhe kundërajrore, blerja e më shumë se 40 droneve Bajraktar TB-2, investimi serioz për tetë vite i forcave speciale ukrainase me taktikat e fundit të luftës asimetrike, operacioneve guerrile, operacioneve psikologjike, etj ka bërë që qëndra e gravitetit të luftës të ndryshojë në favor të Ukrainës.

Në respekt të lexuesit, dëshiroj të bëjmë disa analiza të thjeshta. Investimi i ushtrive tona në të ardhmen e afërt duhet të jetë ‘smart’. Një tank T-90 që kushton 5 milionë dollarë, mposhtet lehtësisht nga një raketë ‘Javelin’ 160.000 dollarë, nga një raketë ‘Carl Gustav’ 6.000 dollarë ose nga një predhë ‘RPG-7’ që gjendet me shumicë dhe ka kosto të lirë.

Një helikopter sulmues rus MI-24, MI-25, MI-28, MI-35M, KA-52, etj të cilat kushtojnë 18-30 milionë dollarë, mposhten nga një raketë ‘Stinger’ që kushton vetëm 120.000 dollarë. Por këtu duhet të shtojmë edhe kostot e trajnimit të pilotëve që shkon nga 5-7 milionë dollarë dhe kohën e gjatë që duhet për t’i zëvendësuar ata, duke shkaktuar pothuajse 30 milionë dollarë dëme nëpërmjet përdorimit të një sistemi të lirë dhe të lëvizshëm luftimi.

Në të njëjtën kohë, duhet shtuar edhe përdorimi efektiv i mjeteve të shkëlqyera ajrore turke ‘Bayraktar TB-2’, të cilat njëlloj si në konfliktin në Nagorni Karabakh, jo vetëm që kanë shkatërruar dhjetëra konvoja të mekanizuara dhe të blinduara ruse, por në të njëjtën kohë kanë mundësuar edhe informacione inteligjence në lidhje me pozicionet luftarake,  vendndodhjen e trupave ruse, në të njëjtën kohë kanë ulur në ‘tokë’ moralin e ushtrisë ruse.

MESIMET E NXJERRA PER SHQIPERINE DHE KOSOVEN.

Në këtë kontekst, në pamundësi të blerjes së avionëve modernë ose të helikopterëve të sulmit me vlerë 15-30 milionë dollarë, ushtritë tona në Shqipëri dhe në Kosovë duhet të zbatojnë qasjet e NATO-s “smart defense” dhe “qasjen gjithëpërfshirëse” duke u pajisur me dronë sulmi, kostoja financiare e të cilave është disa herë më e vogël, por në njëjtën kohë ofrojnë kapacitete të larta inteligjence dhe sulmi.

Një sasi prej 6-12 dronësh ‘Bayraktar TB-2’ dhe 6 copë ‘Bayraktar Akinci B’, do të rrisnin ndjeshëm kapacitetet operacionale të ushtrive tona, të cilat jo vetëm do të rrisnin sigurinë tonë kombëtare, por në të njëjtën kohë do t’i ofronin SHBA-ve dhe NATO-s një forcë të gatshme efektive në mbështetje të operacioneve të ndryshme luftarake në luftën kundër terrorizmit global.

Kjo kërkon që në të ardhmen e afërt, Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës në pamundësi për të patur në dispozicion buxhete të larta ushtarake, duhet sa më parë të planifikojnë së bashku Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, Strategjinë Ushtarake dhe të fillojnë zbatimin e një plani afatmesëm dhe afatgjatë për krijimin e njësive moderne të operacioneve speciale, modernizimin me dronë të armatosur, armë moderne kundërajrore, kundërtanke dhe krijimin e kapaciteve të qënësishme të inteligjencës.

________________________

Kolonel (Ret) SF, Dritan Demiraj, Ph.D.
Ish komandant i Forcave Speciale Shqiptare (2007-2013).


Spread the love


Leave a Reply