AustroHungaria, SHBA, Ballkani dhe çështja shqiptare

Spread the love

AustroHungaria, SHBA, Ballkani dhe çështja shqiptare

Nga Dr Dritan Hoti

Çdo zhvillim aktual i politikës ndërkombëtare përfshin në vetvete ndryshimet si dhe realitetet e reja gjeopolitike, të cilat e kanë si të pashmangshme referencën historike. Kështu jo rrallëherë, historianët dhe ekspertët e ndryshëm të diplomacisë e marrëdhënieve ndërkombëtare marrin për krahasim rrethana, sfida apo gjendje të caktuara, të cilat kishin shënjuar ecurinë e perandorisë romake me konjuktura, konstelacione apo përafërsi sfidash nëpër të cilat heraherës kalojnë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë që pas ndërhyrjes amerikane në Ballkan, 20-vite më parë, e cila ndër të tjera rezultoi e favorshme,për sa i përket çështjes shqiptare, u ngrit një paralelizëm ndërmjet rolit të ri të SHBA-ve me atë që pati luajtur perandoria austriake në shekullin XIX, si dhe vitet e para të shekullit të shkuar në juglindje të Europës.

Mirëpo, simetritë historike janë larg të qenit identike, ato ngërthejnë ne vetvete diferenca thelbësore, të cilat ndërlidhen me gjenezën dhe evolucionin, natyrën institucionale, përbërjen etnike, shtrirjen gjeografike si dhe kompleksitetin e sistemit ndërkombëtar, ku ato janë të përcaktuara të veprojnë. Duke shtuar edhe përparimin e përsosmërinë e teknologjisë e shkencës, si dhe efektet e ndërhyrjet e tyre në marrëdhëniet ndërmjet shteteve si dhe në performancat e tyre. E shtrirë në qendër te Europës, e rrethuar nga fuqi të tjera europiane, jo detyrimisht dhe aq miqësore me të, perandoria austriake ishte e ndryshme sa i përket evoluimit të saj, krahasimisht me perandoritë koloniale europiane, të cilat arritën apogjeun e tyre në shekullin XIX. Ndërsa në rastin e perandorisë austriake bëhej fjalë për një strukturë perandorake, e cila ishte ngritur duke përshkruar etapat e duhura në përputhshmëri me kohën, duke i dhënë shtat e formë një perandorie të zhveshur nga kufijtë natyralë, por të populluar vetëm nga etnitë europiane, të tillë, gjermanët, maxharët (hungarezët), sllavët dhe një pjesë e italianëve, të gjithë të përbashkuar nën kurorën e perandorit me qendër në Vjenë.

Ndryshe nga perandoritë koloniale europiane, i tillë rasti i perandorisë koloniale franceze, e cila marrëdhëniet me subjektet e saj përtej metropolit i kishte ndërtuar mbi bazën e detyrimit dhe posesivitetit kolonial, duke mos përjetuar as edhe një etapë reformuese deri në shpërbërjen e saj, për më tepër duke mos pasur, veçmas “injektimit” të gjuhës frënge në ato hapësira e popullsi, asnjë lloj arritje domethënëse për t’u mburrur në lidhje me trashëgiminë institucionale, emancipimit kulturor apo progresit industrial. Perandoria austriake përjetoi të gjitha etapat e evoluimit të një perandorie poliglote europiane, duke filluar nga zhvillimi i një ekonomie monetare, e cila përshpejtoi njëkohësisht shthurjen e strukturave feudale, duke vazhduar me progresin e sistemit të komunikacionit përbrenda hapësirave të perandorisë, synimi i së cilës ishte mundësia e një shpërndarjeje të njëtrajtshme të zhvillimit. Nuk është e rastësishme që disa pjesë përbërëse të perandorisë në momentin kur u përfshinë në struktura të tjera federative shumëkombëshe diferencoheshin për nga shkalla e zhvillimit, industrializimit, korpuset ligjore nga pjesa tjetër e federatës, siç ishte rasti i Sllovenisë apo Kroacisë përbrenda Jugosllavisë.

Sensi i historisë së SHBA-ve ndryshonte sa i përket dinamikës dhe sensit të saj kohor jo vetëm nga perandoria austriake, por nga të gjitha perandoritë, fuqitë europiane të shekullit XIX. SHBA-të kanë një histori pak më shumë se 200-vjeçare, një realizim i ri shtetëror, zanafillën e të cilit Edmond Burke e shquante te kolonët, të cilët kishin eksportuar “lirinë sipas ideve angleze tek të cilat versionet divergjuese fetare përbashkoheshin në shpirtin e lirisë”. Për më tepër, SHBAtë përjetuan një vrull të gjithanshëm zhvillimi përbrenda një strukture ligjore e demokratike, e cila përsosej paralelisht me këtë zhvillim duke e zhvendosur SHBA-në në pararojën e evolucionit teknologjiko-shkencor dhe ekonomik, pozitë që e ruan ende në ditët tona. Perandoria austriake, veçmas shtrirjes së saj gjeografike, ishte pjesë thelbësore e sistemit europian. Ajo stopoi perandorinë uniforme otomane në kërkim të një dominimi mbi Europën si dhe tundoi një pjesë të fuqive europiane dhe mbi të gjitha Francën, me përpjekjet e saj për rivendosjen e autoritetit të Kishës Katolike në të gjithë Europën Qendrore, duke parë Austrinë si një fuqi hegjemonike në rritje.

Diplomacia e Vjenës me shfaqjen e nacionalizmit linguistik që nënkuptonte vendosjen e lidhjeje kombëtare ndërmjet etnive të ndryshme përbërëse të perandorisë me pjesën e ngjashme të tyre, të ndodhur në kufijtë e perandorisë, rasti i Serbisë, që i dha edhe shtysën kryesore elaborimit të strategjive përkundrejt çështjes shqiptare. SHBA-të, të cilat deri në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore kishin qëndruar të baraslarguara nga skena e zhvillimeve të vrullshme europiane, u përfshinë ne konfliktin botëror me synimin e pengimit që një fuqi europiane të dominonte kontinentin e vjetër dhe të zotëronte detet. Të nesërmen e luftës, presidenti Willson hodhi poshtë një ricopëtim të mëtejshëm të Shqipërisë mbështetur mbi pikëpamjen e vetëvendosjes se kombeve si dhe të drejtave të tyre legjitime. Sa i përket perandorisë austriake, aktivizimi politik gjithnjë e në rritje i Serbisë në Ballkan, nëpërmjet së cilës synohej një organizim i ri politik i sllavëve të jugut si një sferë e influencës ruse në Ballkan, e vendosi atë përballë një realiteti ndaj të cilit duhej reaguar.

Klement von Mettenich, me kthjelltësinë e një shtetari të jashtëzakonshëm, i ishte shprehur menjëherë pas revolucionit grek princit Eugen të Savojes se: “Nëse Serbia nuk do të ishte nën influencën austriake, atëherë do të ishte e preferueshme që ajo të qëndrojë turke” ( shih: Le probleme albanais, La Serbie et l’Autriche-Hongri, Balkanicus, p.62, 1913). Mirëpo, pavarësimi i Serbisë si dhe integrimi i saj në një sistem aleancash kundërshtare të Monarkisë së dyfishtë, e vendosi çështjen si dhe hapësirën shqiptare në epiqendër të diplomacisë vjeneze për Ballkanin. Ndërsa diplomacia austriake e konsideronte sfidën ballkanike si ekzistenciale për të, SHBA-të e peshonin dhe ende i përmbahen vlerësimit gjeostrategjik për këtë rajon. Në këndvështrimin e tyre, Ballkani problematik, për nga koncepti gjeohistorik shquhet si pjesa qendrore e një fragmenti kryesor të Evropës, që shtrihet midis vendeve gjermanike e rusofone, pra me pikënisje brigjet e detit Baltik, duke mbërritur në ato të Detit të Zi si dhe atij Adriatik; rajon i cili njëkohësisht ndërlidh 3 kontinente, Europën me pjesën veriore të Afrikës si dhe Azinë nëpërmjet Turqisë e Lindjes së Mesme.

Që të dyja etnitet e fuqishme shtetërore, Austro-Hungaria dhe SHBA-ja, konvergjonin në një pikë: veçantia që paraqiste e përfaqëson hapësira shqiptare dhe popullsitë e saj, të kërcënuara në ekzistencën e tyre nga fqinjët sllavërrethues, aleatë historikë të Rusisë dhe për rrjedhojë e padepërtuar nga rusofilia. Perandoria austriake e vlerësonte çështjen shqiptare paralelisht me etapat e ecurisë së zhvillimeve në Ballkan, duke e bërë atë në një farë mënyre të lidhur me fatin e saj. U arrit deri aty saqë njëkohësisht me konferencën e Londrës 1912-1913, nëpërmjet një analizë strategjike të botuar në shtypin e Vjenës, të mareshallit austriak Otto von Gernster, u sugjerua kërkesa më maksimaliste, ajo e shfaqjes së një Shqipërie të përbërë prej 70.000.km2 ( shih: Neue Freie Presse, 14.10.1913, zur Abgrenzung Albaniens).

Mirëpo, meqenëse formulimet maksimaliste qofshin ato strategjike apo diplomatike kanë pasur pak gjasa të realizoheshin, rezultoi për kontekstin e atëhershëm një Shqipëri, e cila përfshinte pak më shumë se 28.000.km2, për pranimin e së cilës Vjena luajti një rol kryesor. SHBA-të, të cilat zhvillimet e Luftës II Botërore i kishin nxjerrë si një prej dy superfuqive që ushtronin një politikë të jashtme me objektiva universalë, të gjendura përballë një realiteti tashmë të imponuar në Ballkan, i përbërë prej shtetesh anëtare të universit leninist, e tillë Bullgaria, Rumania, Jugosllavia, kjo e fundit e ngritur pikërisht mbi zotërimet e perandorisë Habsburge, tashmë e konvertuar në një Jugosllavi socialiste, Shqipëria si dhe Greqia, e cila pas një lufte civile përzgjodhi një drejtim tjetër. Në këto rrethana, përkrahja e çështjes shqiptare do të thoshte çelja e “kutisë së pandorës” për sa u përket pretendimeve dhe konflikteve etnike, të cilat shkonin edhe në kundërshtim me natyrën e sfidave të botës bipolare, si dhe do t’i shkëpuste një krahinë, Kosovën, një federative socialiste, Jugosllavisë dhe do t’ia bashkëngjiste vendit amë, Shqipërisë, të drejtuar tashmë nga një elitë staliniste.

Diplomacia amerikane sipas stilit pragmatist anglo-sakson e shihte refraktarizmin e Jugosllavisë se Titos përkundrejt Rusisë sovjetike, në një optikë strategjike edhe me të gjerë se Ballkani, prandaj e përkrahu atë, bazuar mbi ekuilibrin e forcave, por njëkohësisht iu kundërvu çdo synimi e tentative për të reduktuar edhe më tej Shqipërinë ekzistuese. Fokusimi i diplomacisë austriake mbi çështjen shqiptare nisi kur hapësira e populluar nga shqiptarët ishte veçse një provincë e perandorisë otomane, fryt i diplomacisë së të cilës ishte shfaqja e një shteti të pavarur shqiptar, e njohur ndryshe nën emërtimin Shqipëria Londoniane, 1912-1913, si një rrjedhojë ekuilibri të imponuar, ndonëse projeksionet austriake përkundrejt madhësisë së shtetit të ri shqiptar favorizonin një zgjidhje më të favorshme për shqiptarët. Diplomacia austriake ushtroi aksionin e saj në Ballkan në një kontekst që karakterizohej nga një rivalitet në rritje ndërmjet fuqive europiane, pikërisht për çështjet nacionale të kombeve më të vogla, të cilat përbënin njëkohësisht klientelën e tyre politike, prirje që çoi pashmangshmërisht në një konfrontim më të madh dhe të përgjithshëm, si dhe shpërbërjen e vetë perandorisë austriake.

SHBA-të, të cilat dolën si superfuqia triumfuese nga Lufta e Ftohtë, me ndërhyrjen ushtarake kundër Serbisë, e cila kombinonte reagimin ndaj planeve për spastrim etnik, riparimin e një padrejtësie historike, si dhe në funksion te një projeksioni të ri gjeopolitik ne Ballkan, duke e ravijëzuar kësodore shfaqjen e të dy shteteve-kombe shqiptare në Ballkan, Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe zhvendosjen e çështjes shqiptare në një dimension të ri, si një ndër elementet kyçe të pashmangshme të konstelacionit ballkanik, i cili mund të shërbejë edhe si një mekanizëm në projektimin e realiteteve të reja gjeopolitike po në Ballkan, proces në të cilin SHBA-të do të kenë rolin kryesor.

Aksioni i perandorisë austriake në Ballkan dhe përkundrejt çështjes shqiptare spikati me një veçanti, ajo e një veprimtarie të gjithanshme shkencore, rezultatet e së cilës shkonin në përligjjen po të skemave të diplomacisë austriake. Për më tepër, ky aksion, i cili asociohet me të shkuarën historike, e cila ndryshe nga një ligj fizik që shpjegon dhe nuk përshkruan, na transmeton mësimet e saj nëpërmjet analogjisë dhe jo identifikimit, trashëgoi një sërë arsyesh e motivesh gjeopolitike e strategjike, të cilat përbashkohen në një formulë të vetme: Pse duhet investuar mbi çështjen shqiptare…? Dhe ky është postulati që ngelet i pandryshuar edhe në ditët tona.

Pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe zëvendësdrejtor i ISHGJ.


Spread the love


Leave a Reply