BALLKANI I HAPUR APO MASHTRIMI I MADH

Spread the love

BALLKANI I HAPUR APO MASHTRIMI I MADH

Nga Melazim KOCI

Në Shkup e pagëzuan Open Ballkan. Ishte gabim, sepse forma e vetme e drejtë në gjuhën angleze është Open Ballkan(S).  E bënë qëllimisht apo jo, këtë nuk mund ta dijmë.  Por, ajo që me siguri dihet është fakti që ideja e Ballkanit të Hapur, nuk është asgjë tjetër, pos një projekt bizar dhe tinzar,  që i prezentuar si angazhim për bashkëpunim rajonal,  synim të fundit ka dominimin ekonomik, politik dhe gjeopolitik të Serbisë (si dorë e zgjatur e Rusisë) në këtë pjesë të Evropës Juglindore.

Ballkani i Hapur nuk mund të elaborohet pa analizimin e zhvillimeve që i kishin paraprirë. Vendet e Ballkanit Perëndimor tash sa vite janë në rrugëtimin drejtë integrimit në Bashkimin Evropian.  Ishte kancelarja gjermane, Angela Merkel, që në vitin 2014 kishte nisur Procesin e Berlinit, si fazë kalimtare dhe përgatitore të integrimit të vendeve të kësaj pjese të Evropës në BE.

Cili është synimi i procesit të Berlinit?

Ai supozoi miratimin e normave dhe standardeve të Bashkimit Evropian, modernizimin dhe fuqizimin e ekonomive dhe ndërlidhjen e tyre në shumë segmente. Një nga qëllimet eshtë edhe Tregu i Përbashkët Rajonal, por mbi parimet e BE-së.  Procesi i Berlinit synon gjithashtu t’i kontribuoj pajtimit dhe zgjidhjes së të gjitha problemeve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.  Dhe, mbi të gjitha Procesi i Berlimit parasheh gjashtë subjekte të barabarta shtetërore.  Në jetësimin e këtij projekti janë të angazhuar shumë faktorë të BE-së. Fillimisht, Komisioni Evropian, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia, Austria, Sllovenia dhe Kroacia.  Të angazhuara janë edhe institucionet ndërkombëtare: Banka Evropiane për Rimkëmbje dhe Zhvillim, Banka Evropiane për Investime dhe institucionet tjera të specializuara për bashkëpunim rajonal.  Projektet konkrete që dalin nga procesi i Berlinit kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, sigurinë, migrimin, zhvillimin ekonomik dhe ndërlidhjen infrastrukturore. Të gjitha këto projekte do të financoheshin dhe mbikqyreshin nga Bashkimi Evropian.

Procesi i Berlinit është nënshkruar nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, por pastaj është minuar nga Serbia.

Pse?

Sepse Procesi i Berlinit në themel ka barazinë e gjashtë shteteve anëtare dhe drejtpërdrejtë ose tërthorazi njohjen e shumë segmenteve të shtetësisë së Kosovës.

Për të shmangur obligimet që dilnin nga procesi i Berlinit, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq,  projektoi fillimisht Mini-Shengenin dhe pastaj Ballkanin e Hapur, të cilit thënë më së buti naivisht iu bashku kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev.  Duke promovuar Ballkanin e Hapur, presidenti serb arriti të minimizoj përkatësisht të relativizoj përgjegjësinë e Serbisë për minimin e procesit të Berlinit. Ballkani i Hapur u refuzua jo vetëm nga Kosova dhe Bosna, por madje edhe nga Qeveria proserbe e Malit të Zi.

Disa ditë pas takimit të Shkupit (fundi i korrikut 2021) ku Mini-Shengeni u pagëzuar me emërtimin Ballkani i Hapur,  kryeministri i Shqipërisë Edri Rama do të deklaronte se kjo nismë gëzonte mbështetjen e Gjermanisë. E vërteta ishte krejt ndryshe. Berlini, Uashingtonti dhe Brukseli në deklarimet zyrtare menjëherë pas takimit në Tiranë e bënë të qartë të mbështesin Procesin e Berlinit e jo Ballkanin e Hapur.

Departamenti Amerikan i Shtetit: “ShBA mbështesin fuqimisht vijimin e përpjekjeve në Ballkanin Perëndimor për të thelluar dhe forcuar integrimin gjithëpërfshirës rajonal, në bazë të rregullave dhe standardeve të BE-së.”

BE: “Një proces me përfshirje të gjithë rajonit të Ballkanit Perendimor është thelbësor. Është e rëndësishme që rajoni të përparojë në krijimin e një Tregu të  Përbashkët Rajonal,  një angazhim politik i marrë nga gjashtë udheheqësit e rajonit në  Samitin e Sofjes vjeshtën e kaluar (2020 – Procesi i Berlinit).

Gjermania: “Krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor e riafirmuan angazhimin për këtë projekt historik (Procesi i Berlinit) në samitin e fundit me 5 korrik në Sofje.”

Në deklarimet e qendrave perëndimore të vendosjes potencohej Tregu i Përbashkët Rajonal, gjithëpërfshirja dhe rregullat e standardt të BE-së,  të gjitha të përfshira në procesin e Berlinit, por jo edhe në Ballkanin e Hapur.

Eksperti i njohur për çështjet e Ballkanit, Franz – Lotar Altman, pas takimit të Shkupit kishte deklaruar se Mini Shengeni ose Ballkani i Hapur, nuk ka lidhje me Procesin e Berlinit. Ai kishte potencuar se nën ombrellën e Procesit të Berlinit janë të përfshira edhe shtetet anëtare të BE-së, gjë që do të sillte vendosjen e një zone të gjerë ekonomike ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor,  me lidhje ekonomike të ngjashmë me atë që ka BE-ja me Irlandën dhe Norvegjinë.

Rrjedhimisht dhe logjikshëm shtrohet pyetja: pse Rama dhe Vuçiq anashkalojnë Procesin e Berlinit dhe avancojnë  Ballkanin e Hapur që nuk ka asnjë lidhje me Bashkimin Evropian!?

A është i saktë dyshimi se Procesi i Berlinit është sabotuar nga  Beogradi, Tirana dhe Shkupi, sepse me te Serbia obligohej të njihte segmente të caktuara të shtetësisë së Kosovës?

A është Ballkani i Hapur tentim për të izoluar Kosovën dhe për të goditur shtetësinë e saj?

A është Ballkani i Hapur reinkarnim i sherreve dhe politikave të vjetra “Ballkani – ballkanasve” dhe tentim për të margjinalizuar rolin e Perëndimit në këtë hapsirë?

Ballkani i hapur është vetëm një segment i politiëks serbe ndaj Kosovës dhe pse jo edhe Shqipërisë. Beogradi tash e 12 vite zbaton strategjinë e minimit të shtetësisë së Kosovës në disa rrafshe:  në Bruksel përmes dialogut synon të shantazhoj Kosovën dhe këtë e bënë përmes Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndonëse qëllim përfundimtar ka ndarjen e Kosovës. Këtë pohim e konfirmon  kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko, e cila në vitin 2018 kishte deklaruar: “…. Vuçiq dhe Thaçi në Bruksel kanë hapur kanalin për të biseduar për ndarjen e Kosovës, ndërsa në këtë zhvillim për shkak të ambicjeve personale është kyqyr edhe Federika Mogerini… Beogradi gjatë gjithë kohës ka kërkuar partner në Tiranë dhe në fund e ka gjetër ate: është kryeministri shqiptar Edi Rama.  Bisedimet për ndarjen filluan para dy vitesh kur Rama ishte në Nish (2016), por këto atë botë u zbualuan nga Uashingtoni dhe Londra.”  Biserko shton se –“ ideja për ndarjen e Kosovës vjen nga Beogradi:  ajo ka qenë përherë në qarkullim, në tavolinë dhe nën tavolinë. Gjithëçka varej vetëm nga rrethanat ndërkombëtare.”

Ideja e ndarjes së Kosovës nuk ka asnjë dyshim ishte dhe mbetet e mbështetur fuqishëm nga Moska, sepse Beogradi një gjë të tillë nuk mund ta qoj përpara pa mbështetjen politike, diplomatike dhe ushtarake të Rusisë. 

Por, pse i duhet Moskës ndarja e Kosovës?

Mbase për të përligjur veprime te tilla në të gjitha vendet fqinje që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik. Nëse Perëndimi do të miratonte ndarjen e Kosovës, Moska do të dispononte argumentin më të fuqishëm për destabilizimin e vendeve në kufinjtë e saj me popullatë ruse, gjithnjë sipas modelit (presedanit) të Kosovës.

Në këtë kontekst, profesori amerikan në Universitetin Hopkins, Eduard Joseph thote:

“Sebia nën drejtimin e presidentit Vuçiq promovon rendin e Rusisë dhe Kinës. Tregu i Përbashkët Rajonal për Ballkanin, si pjesë e strategjisë për hyrjen në BE, është gjë e mirë, por jo edhe Ballkani i Hapur.  Kjo nismë (Ballkani i Hapur) shton epërsinë relative të Serbisë dhe abstrahon vlerat antidemorkatike dhe joliberale të regjimit serb. Trazirat në rajon i dëshiron Rusia. Ne nuk rekomandojmë Ballkanin e Hapur. “

Në këtë frymë gazeta prestigjioze austriale “Der Standard” këto ditë Ballkanin e Hapur e cilëson ide të rrezikshme që pason nisma të mëhershem për ndarjen e Kosovës.

“Është interesant se nisma përfshinë ato forca që u përpoqën vite më parë të shtyenin përpara një këmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ballkani i Hapur po shkakton sërish ndarje dhe mosbesim në rajon.”

Ideja e Ballkanit të Hapur në rajonin e Evropës Juglindore nuk gjeti mbështetje. Mosbesimi ndaj këtij projekti është i madh në Prishtinë, Sarajevë,  Podgoricë dhe Zagreb.

Analisti politik nga Novi Sadi, Boris Varga, në një shkrim për “Al Jazira Balkans” pohon: “Te Ballkani i Hapur është shpërngulur ‘bota serbe’ dhe ‘popullistët prorus’. Ideja e Trampit që autokratëve t’u lihet Ballkani është kundërthënëse dhe e dëmshme, ndërkohë që u fillua edhe me një ide tjetër edhe më të rrezikshme që problemet të zgjidhen me ndryshimin e kufinjëve sipas çelsit etnik. Rusia edhe në këtë pikë është konsistente, sepse e ka interes minimin e Marrëveshjes së Dejtonit si simbol i fuqisë amerikane në Ballkan, dhe që njëkohësisht Kosova të mbetet çështje e pazgjidhur, sepse Moskës kjo i garanton prani afatgjate në këtë pjesë të botës. Ballkani i  Hapur nuk mud të realiziohet  derisa me te administrojnë kreatorët e idesë serbomadhe sipas modelit të ‘botës ruse’.”

Kryesuesi i Institutit për Studime Evropiane dhe Globale në Zagreb, Angjelko  Milardoviq, Ballkanin e Hapur e sheh si rrumbullksim të Serbisë së Madhe:

“Nuk kam njohuri se cili është qëllimi i vërtetë i Ballkanit të Hapur, pos idesë së ‘botës serbe’. Kjo ide e ka statusin e testit sipas modelit ‘nëse kalon – kalon’.  Do të ishte më e sinqertë që Serbia të heqë dorë nga ideologjia serbomadhe e Ilia Garashaninit. Evropa nuk do të lejojë që eksperimentet e ballkanasve të përfundojnë me kriza që kërcënojnë kontinentin.”

Deklarimet e shumicës së njohësve ndërkombëtar dhe rajonal, që gati në unanimitet hedhin poshtë këtë nismë, nxerrin konkludimin se të njëjtit autorë që ideuan ndarjen e Kosovës, minuan Procesin e Berlinit dhe pastaj inauguruan Ballkanin e Hapur.

Pra, Kosovën duhej ndarë në favor të Serbisë së Madhe dhe nëse kjo nuk kalon, pason Ballkani i Hapur me të gjithë serbët në “botën serbe” ashtu si  koncepti i Rusisë për “botën ruse”.

Zhvillimet dramatike dhe agresioni mbi Ukrainen dëshmojën  katërcipërisht se kemi të bëjmë me skenar të ideuar në Moskë dhe Beograd.  Në Ballkan duhej ndarë Kosovën, si eksperiment për ndarje tjera mbi baza etnike në pjesë tjera në shtetet në fqinjësi të Rusisë.

Në Evropën Juglindore, Ballkani është kompensim për pamundësinë aktuale të ndarjes së Kosovës. Zhvillimet në Ukrajinë përfundimisht kanë varrosur idenë e Ballkanit të Hapur, sepse do të jetë më shumë se vetëvrasje politike të bashkëpunosh me autoritetet e Beogradit, që mbase e vetmja në Evropë refuzoi të dënojë agresionin brutal ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës dhe të zbatojnë sanksione kundër Moskës.

A e mbylli lufta në Ukrainë kapitullin e Ballkanit të Hapur?  Çdo tentim eventual për ta mbajtur të gjallë idenë e Ballkanit të Hapur do të ishte  komprimitues dhe politikisht shumë i  rrezikshëm për pozicionimimin politik dhe gjeopolitik të Kosovës dhe Shqipërisë.


Spread the love


Leave a Reply