Ballkani i Hapur: Një stisje për të zëvendësuar integrimin në BE

Spread the love

E ardhmja e BE-së është e ndërlidhur edhe me Ballkanin Perëndimor. Prandaj konkluzioni se BE-ja tashmë ndodhet para mundësisë së fundit për t’i shpëtuar vendet e Ballkanit Perëndimor nga ndikimi rus, kinez apo turk, është real.

Nga Dr Sadri RAMABAJA

Një lagje politikanësh brenda BE-së ka kohë që shtetet e Ballkanit Prendimor i trajton nga pozitat e “njerkës së ligë”. Ky trajtim do të ishte në logjikën e mendimit gjeopolitik që të ndryshonte pas agresionit të paprovokuar rus ndaj ukrainës. Pikërisht për këtë është ngritur dilema relativisht e bazuar se, mos vallë Brukseli ka hequr dorë fare nga projekti i proklamuar nëntëmbëdhjetë vite më parë, në takimin e njohur të Selanikut, për pranimin e vendeve t Ballkanit Perendimor (Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinën dhe Kosovën. ) në kuadër të BE-së.

Në një analizë të gjaët rreth kësaj teme Instituti slloven IFIMES, i njohur tashmë për shërbimin që I bën projektit serb për Ballkanin e Hapur, shtron pyetjen kështu:

“Nëse BE-ja do të kishte një synim për të pranuar vendet e listuara në anëtarësimin e saj, pyetja që shtrohet është se si mund ta bëjë këtë?” [1] Konkluza e IFIMES-it është po ajo që e dëgjojmë nga sunduesit autoritarë dhe inicuesit e Ballkanit të Hapur se , “përveç premtimeve për perspektivën evropiane të vendeve përkatëse, asgjë konkrete nuk ka ndodhur në lidhje me anëtarësimin e tyre në BE.”[2]

Ndërkaq konstatimi i IFIMES se gjoja, fakti që Ukrainës dhe Moldavisë iu dha statusi i kandidatit vetëm tre muaj pasi kishin dorëzuar aplikimin e tyre për anëtarësim në BE, paska shkaktuar “zhgënjim të madh tek vendet e Ballkanit Perendimor”, duket se shkon në dobi të tezës për përparësitë që paska Balkani I Hapur në raport me Procesin e Berlinit dhe fundja vetë idenë për aderim në BE!

Do të ishte në logjikën e gjërave që pikërisht një Institucion hulumtues slloven ta trajtonte me obektivitet arsyen reale përse po ndodhë bllokimi i procesit të hapjes së bisedimeve për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë, tani nga ana e Bullgarisë. Pala bullgare ka dhënë shjegimet e veta se, çështja nuk ka të bëjë fare me Shqipërinë dhe shqiptarët. Shqipëria në këtë rast është duke pësuar atë të famshmin “dëm kolateral” meqë ndodhet në një opaket bisedimesh me Maqedoninë e Veriut.
Kërkesat e parashtruara nga pala bullgare jo rastësisht janë trajtuar me seriozitetin e duhur nga Brukseli, duke i parë ashtu si janë: në përputhje të plotë me interesat nacionale të saj dhe të rajonit në tërësi. Insistimi si nga ekstremi kuazinacionalist maqedon në protestat në Shkup, edhe nga avokatët e tyre të hapur e të fshehur, se me këto kërkesa de fakto pala bullgare po e mohoka ekzistencën e Maqedonisë së Veriut si shtet, popullin e saj dhe gjuhën e tij, nuk qëndron. Maqedonia e Veriut edhe duke përmbushur kërkesat e palës bulgare, mbetet ajo që është: një shtet multietnik. Pranimi i kërkesave bullgare vetëm sa do t’i jipte mundësi korrekturës së domosdoshme të historisë së stisur nga ana e Titos, që gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur kishte projektuar krijimin e Maqedonisë si Republikë e gjashtë brenda Federatës Jugosllave të ngritur në një hapësirë gjeografike që de fakto i përkiste dhe ju përket dy popujve fqinjë: bullgarëve (pjesa lindore) dhe shqiptarëve (pjesa perendimore).

Avokatia pro mbajtjes në këmbë të “bllokadës” bullgare, respektivisht mospranimit të vendimit të Parlamentit bullgar, që u tumir nga Brukseli dhe u cilësua si hap drejt “zhbllokimit” të procesit, flet shumë për pozicionimin prorus të krijimit të ngërçeve aty ku më pak priteshin.

Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, respektivisht pjesa e saj lindore, për që për shumëçka janë Një, nuk kanë nevojë për kompromise në përputhje me zgjidhjen e propozuar nga presidenti francez Emmanuel Macron, aq sa kanë nevojë për rikthim tek vetëvetja dhe pranimi i realitetit. Ky konflikt për shumëçka I stisur, edhe mund të shërbejë si alibi për kërkim t rrugëve tjera që do ta shpjenin aderimin e Ballkanit Perendimor në BE në kalendrat greke.

Iniciativa e presidentit francez, Emmanuel Macron, prandaj duket se ka diçka të përbashkët me Ballkanin e Hapur, meqë tok pamundësojnë aderimin dhe integrimin e plotë të rajonit në BE.

Por nëse për iniciativën e Ballkanit të Hapur avokatët e saj nuk parashtrojnë pikëpyetjet e ligjshme lidhur me krijimin e një aleance politike evropiane që do të përfshinte edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, madje as tashti kur po krijohet një rend I ri botëror, duke e lënë sërish Europën Juglindore pa përspektivë të qartë.

Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE — çështje gjeopolitike

Samiti i mbajtur së fundmi BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel risolli në vëmendjen e politikanëve faktin real — se çështja e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, para dhe pas çdo gjëje tjetër, është çështje gjeopolitike.
Madje që nga themelimi i BE-së, me theks nga fundi i Luftës së Ftohtë, pra kur filloi zgjerimi i saj drejt Lindjes e Juglindjes së Europës, gjeopolitika ishte në themel të të gjithë raundeve të zgjerimit. Nuk bën përjashtim tashti Ballkani Perendimor. Ndërkaq miratimi i parimeve dhe standardeve të saj në sfera të ndryshme të jetës shoqërore, si: kuadri ligjor, standardizimi i ekonomive dhe fusha të tjera, ishin e mbeten faktor të rendit të dytë.

Ngjashëm siç ju hapë rruga për aderim të Findlandës dhe Suedisë në NATO, duke tejkaluar me kompromis pengesat që dolën në rrugë nga ana e Turqisë, ndërkaq në anën tjetër të Ukrainës dhe Molldavisë, në BE, duke ju dhënë statusi i vendit kandidat, pikërisht duke marrë në konsideratë rrezikun rus, edhe gjashtëshes së Ballkanit Perendimor në bllok, tani do të duhej t’i hapej rruga e integrimit me shpejtësinë që kërkon qasti historik. Po, nëse Serbia vazhdon të insistojë për adaptim të ideve të reja rreth krijimit de fakto të “Botës Serbe” heër me emrin “Minishengen” e heër me atë “Ballkan i Hapur”, ajo duhet izoluar tërësisht, duke i dhënë leksionin e merituar historik.

Shih për këtë mbështetja e heshtur e disa vendeve të BE-së për idenë e “Ballkanit të Hapur”, dhe afishimi publik i idesë nga disa vende tjera si “mundësi reale për zhvillimin e rajonit”, janë pengesat reale politike të procesit të integrimit të rajonit në BE.

Këto qëndrime madje mund të cilësohen edhe si pjesë e agjendës ruse për mbajtjen tutje të Serbisë si satelitin e saj besnik në Ballkan.

Duke qenë realist dhe duke e pranuar faktin se egzistojnë “teori që Ballkani i Hapur është një version i “botës serbe”, duke pasur parasysh se Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe pjesërisht Mali i Zi pretendojnë se ky është një projekt që promovon politikën serbe dhe e lidhë atë me presidentin serb Aleksandar Vuçiç [3], avokatët e Ballkanit të Hapur nuk kanë se si të mos pajtohen se është pikërisht gjeopolitika postmoderne serbe pengesa më serioze e integrimit të rajonit në BE. Ky fakt u bë publik në formë të kërcnimit nga ana e vet presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, madje në konferencën për media në Bruksel. Aty ai Kosovën, në sy të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, e quajti jo pa ngjyresa pezhorative “i ashtuquajturi shtet”, duke rrezikuar të marrë përgjegjen e merituar, mjafton që mesazhi për zyrtarët e Brukselit të ishte i qartë, duke paralajmëruar Unionin Europian se, “nëse donin të shihnin luftën në Ukrainë edhe në Ballkan, duhet të mbështesnin të gjitha nismat për bashkëpunimin rajonal”.[4]

Prandaj avokatët e projektit serb, si puna e Institutit slloven IFIMES, edhe pse nuk e pohojnë këtë fakt, janë të vetëdijshëm se “Ballkani i Hapur”, duke mos qenë gjithëpërfshirës (pa Malin e Zi, pa Bosnjën e sidomos pa Kosovën) “do të jetë i dënuar me dështim”.

Në rrethanat e reja që po prodhon efekti I luftës në Ukrainë dhe pozicionimmet gjeopolitike të superfuqive rreth Ballkanit Perendimor, rikthimi i vëmendjes së Bruselit ndaj rajonit merrë peshë specifike. BE-ja nuk mund të jetë e plotë pa Ballkanin Perendimor, ndërkaq Ballkani Perendimor jashtë BE-së, siç po e dëshmon koha, lehtësisht shndërrohet në sferë të interesit të fuqive jashtëeuropiane (Rusisë, Kinës, Turqisë…).

Zgjidhja e shpejtë e kontesteve mes shteteve të Ballkanit Perendimor, aderimi me procedura të përshpejtuara të Kosoëvs në NATO, e më pas i të gjitha vendeve të Ballkanit Perendimor në bllok në BE, do të ishte veprimi më i duhur e plotësisht në përputhje me interesat gjeopolitike si të popujve të rajonit ashtu edhe të Perendimit.

Vlerësimi realist i pozitave të Beogradit — është çelësi për sigurimin e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon

Pozicionimi i Brukselit ndaj Serbisë edhe pas gjenocidit në Bosnjë e Kosovë, mbetet ai që ishte — Serbia është motori i normalizimit të Ballkanit Perëndimor, gjykojnë në Bruksel ende! Ndërkaq integrimi i saj në BE është parakushti që Europa të kultivojë tutje raporte të mira me Rusinë. Lufta në Ukrainë këtë konstantë të mendimit gjeopolitik europian tashmë e ka përmbysur. Sidoqoftë Brukseli vazhdon ta cilësojë Serbinë tutje si “motori i integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Shih për këtë procesi i integrimit të Serbisë në BE ishte intensifikuar gjatë disa viteve të fundit. Ajo kishte shqyrtuar kapituj të tërë të procesit, duke dalë në krye të vendeve të Ballkanit Perendimor edhe në këtë rrafsh! Megjithatë, Serbia që pas mbylljes së “kapitullit” të rishikimit të kufijve me Kosovën (2018), nuk ka hapur një kapitull të ri në negociata. Përmbysja e atij projekti, që de fakto nënkuptonte aneksimin e veriut të Kosovës Serbisë, ka vënë në pikëpyetje synimet reale të Serbisë për aderim në BE.

Serbia edhe pa Ballkanin e Hapur, nëse nuk do ët kishim vëmendjen e shtuar të Brukselit, vetëm duke i shfrytëzuar mekanizmat lehtësues që i garanton tregu I lirë dhe katër liritë e njohura të Marrëveshjes së Kopenhagen-it, ta shndërrojë rajonin në një lloj neokolonie të saj.

Finalizimi i dialogut ndërmjet Beogradit zyrtar dhe Prishtinës me nënshkrimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke sjellë në qendër të saj aktin e njohjes së ndërsjelltë, siç sugjeron edhe rezoluta e djeshme e Parlamentit Europian, është me rëndësi relevante për të ardhmen e rajonit, pasi vetëm kështu do të sigurohej paqa dhe stabiliteti i qëndrueshëm në Europën Juglindore. Por që të ndodhë ky hap historik, ka nevojë urgjente për një vlerësim realist të pozicioneve aktuale të Beogradit ndaj Kosovës edhe nga ana e Brukselit. Ky vlerësim është çelësi për sigurimin e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon. Një hap i mirë i Brukselit drejt këtij rivlerësimi të pozicionit të Beogradit ndaj Kosovës ishte rezoluta e miruatuar ditë më parë nga Parlamenti Evropian.[5] Në këtë rezolutë thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohje të ndërsjelltë”. Nëdrkaq autoriteteve të Beogradit, më shqeto se kurrë, u rikujtohet përmes rezolutës që “progresi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën do të përcaktojë ritmin e negociatave për anëtarësim”.[6] E ardhmja e BE-së është e ndërlidhur edhe me Ballkanin Perëndimor. Prandaj konkluzioni se BE-ja tashmë ndodhet para mundësisë së fundit për t’i shpëtuar vendet e Ballkanit Perëndimor nga ndikimi rus, kinez apo turk, është real. Në këtë plan, angazhimi më i madhë i SHBA-ve do të jetë i një rëndësie vendimtare.

____________________________

1. https://www.eurasiareview.com/07072022-open-balkan-future-belongs-to-the-people-analysis/

2. Po aty

3. Po aty

4. https://www.youtube.com/watch?v=wEq-fjKXdxk

5. https://www.dw.com/sq/parlamenti-evropian-b%C3%ABn-thirrje-p%C3%ABr-njohje- reciproke-mes-kosov%C3%ABs-e-serbis%C3%AB/a-62386358

6. Po aty


Spread the love


Leave a Reply