DIPLOMATËT PERENDIMOR, NË KURTHIN E PËRDORIMIT JOPROPORCIONAL TË “ARTILERISË” TERMINOLOGJIKE MBI KOSOVËN!

Spread the love

DIPLOMATËT PERENDIMOR, NË KURTHIN E PËRDORIMIT JOPROPORCIONAL TË “ARTILERISË” TERMINOLOGJIKE MBI KOSOVËN!

Të “dënosh veprimet e autoriteteve të Kosovës për të hyrë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës”, i bie që të dënosh shtetin e Kosovës që të mos ushtrojë të drejtën e shtrirjes së sovranitetit në gjithë territorin. Madje, i bie që gjithë ai aksion fenomenal ndërkombëtar në vitin 1999, që rezultoi me dëbimin e aparatit represiv të Serbisë nga Kosova, të konsiderohet një farsë (!)

Nga Emin AZEMI

Parlamentet dhe senatet e katër shtetet me superfuqi botërore ( Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar) do të duhej të alarmohen pas deklaratave skandaloze të diplomatëve të tyre, të cilët “dënojnë veprimet e autoriteteve të Kosovës për të hyrë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës”. Këto deklarata vinë në kohën kur Presidenti i Serbisë, Vuçiq, urdhëroi ngritjen e nivelit të gatishmërisë së Forcave të saj të Armatosura në kufirin me Kosovën. Ky vendim i Serbisë nuk dënohet nga diplomatët e katër shteteve me superfuqi botërore. Ky vendim tek ata shkakton vetëm shqetësim. “Jemi të shqetësuar nga vendimi i Serbisë për të ngritur nivelin e gatishmërisë së Forcave të saj të Armatosura në kufirin me Kosovën…”

Në gjuhën diplomatike, të dënosh diçka dhe të jesh i shqetësuar për diçka, paraqet dallim të madh semantik. Është një përdorim joproporcional i “artilerisë” terminologjike dhe diplomatët që operojnë në këtë mënyrë me këto nocione, mund të konsiderohen nxitës të tensioneve të mëtejme dhe përshkallëzues të situatës konfliktuoze. Kosova në veriun e saj po e refuzon kategorikisht zbatimin e formulave të Putinit për përvetësimin arbitrar të tokave të huaja. Kosova në veriun e saj po e mbron Evropën dhe Amerikën nga kërcënimi që del prej këtyre formulave të çmendura. Serbia në anën tjetër, e cila ende vazhdon të jetë një aleate e denjë e Putinit dhe një konsumator i zellshëm i mjeteve të sofistikuara të luftës hibride, po e kërcënon hapur Kosovën, duke e detyruar këtë të fundit të vetëmbrohet prej bandave që hapur shantazhojnë institucionet e dala nga zgjedhjet e fundit lokale (23 prill) në katër komunat veriore.

Diplomatët perëndimor që “dënojnë veprimet e autoriteteve të Kosovës për të hyrë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës”, në fakt po ia lehtësojnë punët Putinit bukur mirë që të jetë më komod në planet e tij për të ukrainizuar gjithë Ballkanin me aventurat e tij të rrezikshme luftënxitëse. Diplomatët perendimorë nuk po e dënojnë aleancën e Serbisë me Kremlinin, por po e dënojnë një proces legjitim zgjedhor në një pjesë të Evropës.

Për shumicën e këtyre diplomatëve këto zgjedhje ishin legjitime dhe nuk e kemi të qartë se si mund të jetë një proces zgjedhor njëkohësisht edhe legjitim dhe i dënueshëm.

Këtë dilemë është mirë ta sqarojnë parlamentet dhe senatet e katër shtetetve superfuqi botërore ( Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuara). Sepse konfuzionet që kanë shkaktuar deklaratat e këtyre diplomatëve tejkalojnë kufijt normal të logjikës së gjërave.

Kosova e pas vitit 1999 nuk është njësoj si ajo e para vitit 1999. Që Kosova të jetë krejt ndryshe dhe të sillet si shtet sovran, kanë kontribuuar edhe katër shtetet superfuqi botërore ( Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar). Madje Kosova është krejt më ndryshe pas vititi 2008 kur atë e kanë njohur si shtet sovran mbi 100 shtete të botës. Tani, ne që nuk marrim vesh nga diplomacia e stërholluar, a mund të na sqarohet se çfarë problemi ka Kosova të organizoj zgjedhje vendore e parlamentare në gjithë territorin e saj, nëse ajo që nga viti 2008 qenka shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombtarisht nga mbi 100 shtete të botës? Pse vetëm në Kosovë efektet e zgjedhjeve legjitime nuk po mundkan të prodhojnë vendimarrje përmes kryetarëve të zgjedhur legalisht dhe si është e mundur të kontestohet ky process kaq i rëndësishëm, pa të cilin demokracia nuk ka kurrfarë kuptimi?! Spanja ka kohë që nuk e njeh legjitimitetin e referndumit të Katalonisë për pavarësi, ndërkohë që burokratët e këtij shteti në Bruksel duan një Kataloni të re në Kosovë (!). Çdo shtet që “dënon veprimet e autoriteteve të Kosovës për të hyrë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës”, në fakt do të vepronte ndryshe nëse në shtetet e tyre dikush nga jashtë iu dikton receta se si duhet të dizajnohet pushteti lokal!

Të “dënosh veprimet e autoriteteve të Kosovës për të hyrë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës”, i bie që të dënosh shtetin e Kosovës që të mos ushtrojë të drejtën e shtrirjes së sovranitetit në gjithë territorin. Madje, i bie që gjithë ai aksion fenomenal ndërkombëtar në vitin 1999 që rezultoi me dëbimin e aparatit represiv të Serbisë nga Kosova, të konsiderohet një farsë. Leximi mbrapsht i realitetit të krijuar pas vitit 1999 e ka vendosur Kosovën në një pozitë të vështirë, duke ia lidhur asaj duart para bandave që hapur e shantazhojnë sovranitetin e saj në veri të vendit. Zgjedhjet e 23 prillit në veri, sikundër dihet, janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, një instalacion ky jodemokratik i mbështetur fuqishëm nga Beogradit zyrtar. Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kanë dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar. Ata janë larguar nga institucionet në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës që ka obliguar qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës. Pra Lista Serbe ka kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Ksovës i cili ka qenë pjesë e marrëveshjeve të negocuara në Bruksel. Dhe ku është këtu problemi? Si do të duhej të sillet një shtet sovran, siç është Kosova, kundrejt një situate të tillë, e krijuar artificialisht nga një subjekt politik i cili direktivat nuk i merr nga baza, nga serbët lokal të Kosovës, por nga Beogradi? Edhe çka duhet të ndodhë që diplomatët e QUINT-it ta kuptojnë se halli i Vuçiqit nuk është zgjidhja e problemeve të serbëve lokal, por tendenca për ta bërë shtetin e Kosovës sa më jofunksional, një rekomandim ky që buron edhe nga Mdemorandumi II i Akadmisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë.

A po i bie që sipas këtij rekomandimi po punojnë edhe disa dipolmatë të huaj në Kosovë?! Duke e fuqizuar aleatin e Putinit në Ballkan, presidentin serb Vuçiq, diplomatët perendimorë po ia hapin një front të ri telashesh Evropës dhe Amerikës dhe po e shantazhojnë demokracinë në Kosovë. Kësaj të fundit po ia mohojnë kënaqësinë e të qenit shtet me mbështetje perëndimore (!).

Duke zbatuar standarde të dyfishta përmes përdorimit joproporcional të “artilerisë” terminologjike, diplomatët perëndimorë do ta ken vështirë t’i mbrojnë dhe arsyetojnë qëndrimet e tyre joparimore sa i përket Kosovës në vendet e tyre dhe sidomos në parlamenet dhe senatet e vendeve të tyre.

Shkup, 27 maj, 2023


Spread the love


Leave a Reply