Disa përparësi dhe mangësi të Uashingtonit në luftën kundër korrupsionit në Ballkan

Spread the love

Disa përparësi dhe mangësi të Uashingtonit në luftën kundër korrupsionit në Ballkan

Shkruan: Dr Selim Ibraimi

Për sa kohë që korrupsioni shihet si institucioni më i suksesshëm në këtë vend, zëri i qytetarëve nuk do të dëgjohet dhe nevojat e tyre nuk do të plotësohen, “ -tha në një takim më zyrtarë të lartë qeveritarë dhe nga fushat tjera, ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut Kejti Bërns. Një javë më parë, Departamenti Amerikan i Thesarit shpalli listën e aktorëve të korruptuar të lidhur me organizatat kriminale trans-nacionale në shtetin e El- Salvadorit, në Kosovë dhe në Serbi. Sipas zyrtarëve amerikanë, këto aktivitete të ashpra janë pjesë e politikës së Uashingtonit për të thyer lidhjet e korrupsionit, ato kriminale dhe lëvizjet  tjera të paligjshme në Ballkanin Perëndimor dhe në tërë globin. Nuk voni shumë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price, shpalli themelimin e pozitës Koordinator Kundër Korrupsionit Global. Sipas tij, koordinatori do të udhëheqë zbatimin e Strategjisë së ShBA-së në luftën kundër korrupsionit global. Presidenti amerikan Xhozef Bajden gjithashtu e ka quajtur korrupsionin si “sfida e kohës sonë”.

Me këto veprime ShBA duket se po bëhet më serioze në angazhimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor. Ka ndërmarrë disa aksione globale dhe rajonale duke nisur me DEA-n, për të goditur personat e pushtetit dhe jashtë që veprojnë si aktorë jo shtetëror dhe trans-nacional që ndikojnë në sigurinë nacionale të shteteve dhe të vetë të ShBA-ve. Shpallja e personave non-grata, ngrirja e financave të personave të përfshirë në korrupsion, të politikanëve dhe hapja e proceseve gjyqësore ndaj zyrtarëve të dyshuar për korrupsion, janë një ndër strategjitë e luftës ligjore amerikane në Ballkan.

Realisht ShBA-të që kur përfundoi konflikti në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, u tërhoqën nga angazhimet për një Ballkan me qeveri të pa-korruptuara. Çështja e shtetit ligjor u la në duart e organizatave jo qeveritare dhe të politikanëve autokratë dhe që në fund rezultoi me një dështim total të rendit ligjor dhe me qeveri të korruptuara. Një pjesë e mirë e organizatave vendore nuk kishin raportuar mirë rreth korrupsionit dhe ndërgjegjësimit të opinionit, pasi kishin vazhduar të qëndronin rreth pushtetarëve të dyshuar për lidhje me korrupsionin. Zakonisht fondet e huaja akumulohen dhe shpërndahen në rajonet e krizave nga paratë e taksapaguesëve euro- amerikanë. Rrethanat tjera politike, rajonale dhe mungesa e raportimeve profesionale, ndikuan në rritjen e figurave autoritare në Ballkan dhe në zhvillimin e korrupsionit duke rrezikuar shoqëritë/shtetet multi-etnike si në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnjë.

Duhet thënë se Uashingtoni nuk është si më parë, pavarësisht se në taktikë mund t’i bëhen vërejtje në politikën e jashtme selektive ndaj shteteve se kush duhet të shpallet non-grata dhe pse disa politikanë nga Maqedonia e Veriut nuk janë në listën e re amerikane. Megjithatë, këto lëshime amerikane me siguri do të plotësohen në 2022, ashtu siç theksoi diplomati i larët i DASH-it Gabriel Eskobar. Një mision të vlefshëm rreth luftës serioze amerikane kundër krimit dhe korrupsionit, mund të bëjnë përfaqësitë diplomatike amerikane në rajon, duke përgatitur lista të reja me persona të involvuar në raste dhe çështje të dyshuara politike dhe kriminale. Ose duke i azhuruar emrat e individëve në listat e vjetra të 2001 që realisht nuk kanë efekte në sigurinë e rajonit. Dhe jo vetëm kaq, duke i shpallur vetëm si non-grata nuk bëhet gjë dhe as më pak duke mos i lejuar të udhëtojnë drejt ShBA-së. Duhet të bllokohen të gjitha llogaritë bankare në shtetet e BE-së dhe ne vendete ashtuquajtura “Off-shore”. Kurse shtetet përkatëse, duhet të bëjnë konfiskimin e pasurive të paligjshme dhe nisjen e procedurave për të dyshuarit dhe atyre tashmë të njohur për korrupsion dhe shkelje të rendit. Në fund, ambasadorja Bërns, dhe të ngarkuarit tjerë në Ballkan, tash e tutje duhet të tregohen më aktivë dhe të parandalojnë edhe ashtu rënien e shteteve të brishta ballkanike në duart e kleptokratëve, oligarkëve lokal dhe atyre të huaj si rusë dhe kinezë. Pavarësisht përpjekjeve për ndërtimin e shteteve ligjore, ShBA po vazhdon të jetë më aktive dhe të luaj rol vendimtar në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së ose marrëveshjeve me Rusinë që do të kenë ndikim dhe pasoja për Evropën Qendrore dhe Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë, Uashingtoni po bën presion që vendet kandidate të WB-6 të mbetura jashtë unionit, t’i fillojnë bisedimet me BE-në.


Spread the love


Leave a Reply