Doktrina ruse dhe ofensiva ukrainase

Spread the love

Doktrina ruse dhe ofensiva ukrainase

Nga Dritan Goxhaj

Pas Luftës së Dytë Botërore, historinë e kësaj lufte për Perëndimin e shkruajtën ish-oficerët e lartë të ushtrisë së mundur gjermane. Ata u lanë të shkruajnë kujtimet e tyre dhe ato ishin i vetmi version i luftës së Rusisë kundër Nazizmit. Dhe ai version e portretizonte ushtrinë Sovjetike “si një masë e madhe njerëzore me mjete të ndërtuara keq, pa asnjë doktrinë dhe që vetëm me anë të valëve të mëdha njerëzore arriti të mundte ushtrinë naziste, e cila ishte edhe më e aftë dhe më moderne se ajo sovjetike”.

Interesante është se edhe sot pas 30 viteve të mbarimit të Luftës së Ftohtë, kur Perëndimi pati totalisht mundësinë për të parë të gjitha arkivat ruse të asaj kohe dhe edhe pasi i pa ato, sërish edhe sot vazhdon t’i bjerë fyellit të historisë të vjetër.

Edhe sot një vit e ca pas fillimit të luftës në Ukrainë, jo vetëm mediat dhe deklaratat zyrtare të Ukrainës, por edhe mediat në Perëndim vazhdojnë me avazin e historisë së shkruar nga oficerët nazistë pas Luftës së Dytë, se “ushtria ruse sot në Ukrianë është një ushtri pa moral, e paorganizuar dhe që përdor për sulme valë të mëdha njerëzore duke pasur kështu humbje të mëdha në radhët e saj”.

Kur kjo luftë të mbarojë dhe të shkruhet historia e saj, një vend me rëndësi do të zërë në të pjesa e bombardimeve të këtij fillim maji të 2023.

Në këtë 10 ditëshin e parë të këtij muaji dhe në kohën e publikimit të këtij shkrimi, ushtria ruse ka ndërrmarë një fushatë të pashoqe bombardimi ajror me bomba të drejtuara të kapaciteteve të ndryshme që nga 250 kg e deri në 3000 kg. Duke angazhuar për herë të parë që nga fillimi i kësaj lufte pjesën më të madhe të avionëve të saj bombardues me rreze të mesme e të gjatë veprimi. Duke goditur depo armatimi, vënde grumbullimi të mjeteve dhe personelit ushtarak, vëndkomanda brigadash dhe batalionesh të ushtrisë ukrainase në gjithë territorin e saj. Duke mos e lënë kështu Ukrainën që të arrijë të grumbullojë mjete, municion dhe njerëz për të ndërrmarrë një ofensivë ushtarake. Ofensivë kjo për të cilën jo vetëm zyrtarët ukrainas por edhe ata perëndimorë kanë disa muaj që po e propagandojnë sikur kjo do të sjellë fitoren aq të dëshiruar dhe do t’i japë fund jo vetëm luftës, por edhe vetë Rusisë.

Por nëse do të shohim mirë historinë e kësaj lufte në Ukrainë, do të vëmë re se në fillim të saj ushtria ukrainase i tejkalonte për nga numri forcat ruse në këtë operacion me një raport forcash 3 me 1 në favor të Ukrainës, por edhe me këtë avantazh numerik, sërish ushtria ukrainase e asaj kohe nuk mundi të ndalonte ofensivën ruse dhe nuk mundi të mbante territorin. Dhe ushtria

ukrainase e para një viti ishte një ushtri pothuajse profesionale, e armatosur dhe përgatitur shumë mirë. Ndërsa kjo e sotmja është një ushtri e papërgatitur, e patrajnuar (pasi 3 muaj trajnim të 30,000 forcave nuk quhen trajnim për luftë) dhe e pajisur si të mundet e me çfarë të mundet nga vëndet anëtare të NATO-s.

Është e vërtetë se procesi i transformimit të teorive operacionale nga letra në realitetin e fushëbetejës është i vështirë, derisa të krijohet ai që quhet “Arti Operacional”. Mbi këtë eksperiencë lufte ushtritë krijojnë doktrinat e tyre. Dhe rusët dolën pas Luftës së Dytë Botërore me një doktrinë që quhet “Betejë e thellë”. Doktrinë kjo që po e përdorin në mënyrë të suksesshme sot në Ukrainë.

Kjo lloj doktine konsiston në “sulm i njëkohëshëm ndaj mbrojtjes së armikut nga aviacioni dhe artileria deri në thellësi të mbrojtjes, depërtim i zonës taktike të mbrojtjes duke sulmuar njësitë me përdorim të gjerë të forcave dhe të atyre të motorrizuara dhe zhvillim i dhunshëm i suksesit taktik në sukses operacional me qëllim të rrethimit të plotë dhe asgjësimit të armikut”.

E shkruar në këtë mënyrë është diçka abstrakte, por le ta shohim pak më në detaje për të kuptuar këtë doktrinë.

Bazuar në Fjalorin Enciklopedik Ushtarak Shqiptar:

Zone e mbrojtjes quhet një pjesë terreni e përgatitur nga ana xheniere në të cilën vendosen elementët e ndërtimit operativ për të zhvilluar operacionet mbrojtëse. Përbëhet nga tre breza mbrojtjeje. Brezi i parë përbën zonën taktike. Brezi i dytë dhe i tretë përbëjnë zonën operative (operacionale). Zona taktike është pjesë e terrenit e përbërë nga një sistem i gjërë pozicionesh, transhesh e hendeklidhjesh ku vendosen mjetet dhe forcat e skalionit të parë. Zona operative (operacionale) përbën pjesën më të rëndësishme në të cilën ndërtohen pozicione e breza mbrojtjeje të nivelit strategjik ku shtrihen dy skalionet e tjera të mbrojtjes.

Pra sipas doktrinës ruse, duke asgjësuar zonën taktike me forca kur njëkohësisht godet forcat dhe skalionet e dyta dhe të treta me anë të aviacionit dhe artilerisë dhe pasi kalon skalionin e parë dhe merr nën kontroll zonën taktike, me gjithë fuqinë e mjeteve dhe forcave në maksimum (zhvillim i dhunshëm) jep goditje për të eleminuar zonën operative. Dhe eleminimi i zonës operative sjell eleminimin e armikut duke arritur kështu objektivin strategjik.

Kjo është ajo që po ndodh sot në Ukrainë në të gjithë vijën e kontaktik të luftës prej 1000 km, ku forcat ukrainase po pësojnë disa rrethime si ai në qytetin Bakhmut (Artemovsk), ku ukrainasit po harxhojnë fuqinë e tyre ushtarake për të tentuar të mbajnë këto territore me çdo kusht, duke konsumuar forcat e mundshme për një ofensivë pranverore. Një ofensivë që për nga niveli operacional nuk mund të konceptohet. Dhe kjo vetëm duke u bazuar mbi raportin e forcave në dispozicion.

Ashtu si e ceka pak më lart, në fillim të kësaj lufte raporti i forcave ishte 3 me 1 në favor të Ukrainës. Ndërsa tani ky raport ka ndryshuar në mënyrë drastike. Tani ukrainasit pretendojnë që të arrijnë të grumbullojnë për ofensivën e tyre të fort propaganduar rreth 200 mijë forca në total. Ndërsa rusët aktualisht kanë në vijën e frontit 135 mijë forca të cilat po luftojnë kundër 125 mijë forcave ukrainase. Por rusët kanë në vijën e dytë brënda zonës operacionale 300 mijë forca të gatshme për luftë, të cilat i mobilizuan në shtatorin e vitit që shkoi dhe që të gjitha këto foca kanë

kaluar me rotacion nga 2 javë deri në 5 javë në front në vijë të parë, pasi janë ritrajnuar më parë. Plus, rusët kanë edhe 200 mijë forca të tjera të gatshme të cilat ndodhen të pozicionuara jashtë zonës operacionale, por në kufijtë e saj. Gjithashtu rusët kanë edhe 100 mijë forca vullnetare të cilat ndodhen aktualisht të pozicionuara në kufijtë e zonës operacionale. Pra raporti i forcave tani është 3 me 1 në favor të rusëve e jo më në favor të ukrainasve.

Përveç kësaj, ukrainasit nuk kanë asnjë kapacitet ajror për të mbështetur një ofensivë. Dhe ashtu siç e ka treguar edhe realiteti i këtyre ditëve, përveç dronëve, Ukraina nuk ka kapacitete të tjera ajrore. Por përdorimi i këtyre dronëve na tregoi edhe kapacitetin e mbrojtjes kundërajrore të Rusisë duke eleminuar pothuajse 98% të dronëve të lëshuar. Për të ndërrmarrë një ofensivë të efektshme Ukrainës i mungon edhe artileria tokësore e cila në raport me atë ruse sipas vetë Perëndimit qëndron në një raport 1 me 10 në favor të rusëve.

E parë në një pikpamje ushtarake, çfarëdo ofensive që ukrainasit do të tentojnë, jo vetëm që nuk do të sjellë asnjë ndryshim operacional dhe strategjik të kësaj lufte, por vetëm do të shtonte gjakderdhjen nga ana e ukrainasve, duke e çuar ushtrinë e saj drejt qëllimit të objektivit operacional të Rusisë, “demilitarizimin e ushtrisë ukrainase”.

Kjo ofensivë ndoshta mund të ketë diku ndonjë sukses taktik të përkohshëm, sukses të cilin presidenti ukrainas dhe Perëndimi do ta propagandojnë si një fitore të luftës kundër Rusisë, por që realiteti në terren do të jetë shkatërrues jo vetëm për ushtrinë ukrainase por edhe për vetë Ukrainën si shtet dhe si shoqëri.

P.S. E di që shumë nga ju që do lexoni këtë shkrim do pyesni: “Po çfarë të bëjnë ukrainasit sipas teje”? Unë po ju përgjigjem që duhet të bëjnë atë që ka propozuar Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ukrainase, të tërhiqen nga të gjitha ato vende ku rrezikojnë të asgjësohen në rrethim dhe të ndërtojnë kapacitete mbrojtëse pozicionale si dhe të vazhdojnë rekrutimin dhe stërvitjen e trupave dhe grumbullim armatimi derisa të kenë gati një forcë të mirëpërgatitur nga të gjitha anët. Propozim ky që presidenti ukrainas nuk e ka marrë aspak në konsideratë duke anulluar urdhërin e tërheqjes.

© Dritan Goxha


Spread the love


Leave a Reply