Finlanda ‘optimiste’ për anëtarësimin në NATO, pavarësisht kundërshtimit të Turqisë

Spread the love

Finlanda ‘optimiste’ për anëtarësimin në NATO, pavarësisht kundërshtimit të Turqisë

Nga Hamdi Firat Buyuk

Presidenti finlandez Sauli Niinisto tha në një fjalim në parlamentin suedez të martën se dy vendet skandinave duhet të jenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje me Turqinë mbi kundërshtimet e Ankarasë ndaj aplikimeve të tyre të pritshme për t’u bashkuar me NATO-n.

“Deklaratat nga Turqia kanë ndryshuar shumë shpejt dhe janë bërë më të vështira gjatë ditëve të fundit. Por jam i sigurt se, me ndihmën e diskutimeve konstruktive, ne do ta zgjidhim situatën”, tha Niinistro, raportoi Reuters.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha më 13 maj se Turqia nuk është pozitive për anëtarësimin e dy vendeve në NATO, duke i akuzuar ato për strehim të organizatave terroriste. Ai i referohej mbështetjes së Suedisë për forcat kurde YPG në Siri, të cilat Turqia i konsideron një degë të Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit, PKK.

Deklarata e Erdogan-it erdhi si befasi për shumë anëtarë të aleancës ushtarake perëndimore. Niinisto i Finlandës tha se ai foli me telefon me Presidentin turk një muaj më parë dhe se mesazhi i atëhershëm kishte qenë mbështetës për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.

“Por javën e fundit ai ka thënë  një ‘jo të favorshme’. Kjo do të thotë se ne duhet të vazhdojmë diskutimet tona. Jam optimist”, shtoi Niinsto.

Megjithatë, Erdogan tha të hënën në mbrëmje se delegacionet suedeze dhe finlandeze nuk duhet të shqetësohen të vijnë në Ankara për të bindur Turqinë që të miratojë ofertat e tyre në NATO.

“Si mund të na bindin ata?” pyeti Erdogan. Pas deklaratave të tij, ministrat e jashtëm suedez dhe finlandez anuluan udhëtimet e tyre në Turqi dhe vendosën të dërgojnë delegacione të nivelit të lartë.

Të dy vendet ndoqën më parë politika neutraliteti prej dekadash, por pas pushtimit rus të Ukrainës sinjalizuan synimin e tyre për t’u bashkuar me NATO-n.

Suedia paraqiti kërkesën e saj të hënën dhe parlamenti finlandez votoi me shumicë dërrmuese të martën për të mbështetur propozimin për t’u bashkuar, me 188 vota pro dhe vetëm tetë kundër.

Duke iu përgjigjur lëvizjeve finlandeze dhe suedeze drejt anëtarësimit në NATO, presidenti rus Vladimir Putin tha se “zgjerimi i infrastrukturës ushtarake në këtë territor sigurisht që do të provokonte përgjigjen tonë”. Shumica e vendeve të NATO-s e kanë mirëpritur idenë, përveç Turqisë.

Ekspertët besojnë se Turqia do të pranojë përfundimisht anëtarësimin finlandez dhe suedez në NATO, por kritikuan strategjinë e komunikimit të Presidentit Erdogan.

“Me sa di unë një pazar i tillë bëhet me dyer të mbyllura,” tha Soli Ozel, një ekspert veteran i politikës së jashtme nga Universiteti Kadir Has në Stamboll, për websajtin turk të lajmeve T24 të martën.

“Të gjithë janë dakord që masa e Turqisë është bërë për pazare dhe opinioni i përgjithshëm është se Ankaraja dëshiron të ketë një mjet pazaresh kundër SHBA-së,” tha Ozel.

Ekspertët kanë sugjeruar se Erdogan po kërkon të bëjë pazare për shitjen e avionëve luftarakë amerikanë në Turqi dhe sanksionet e vendosura ndaj Ankarasë për shkak të afrimit të saj me Rusinë dhe blerjes së sistemeve raketore ruse S-400. Ai po kërkon gjithashtu të zvogëlojë mbështetjen e vendeve të Evropës veriore për grupet kurde, të cilën ai mund ta shfaqë si një fitore në politikën e brendshme.

Vendet mund t’i bashkohen NATO-s vetëm nëse të gjithë anëtarët e saj bien dakord njëzëri, gjë që në fakt i jep Turqisë të drejtën e vetos për çdo zgjerim të mundshëm.

Turqia ka qenë anëtare e NATO-s që nga viti 1952, duke ruajtur krahun lindor dhe jugor të aleancës, si dhe ngushticat shumë strategjike turke.

Turqia është forca e dytë më e madhe ushtarake e NATO-s pas SHBA-së. Por marrëdhëniet midis Ankarasë dhe aleatëve të saj në NATO janë përkeqësuar vitet e fundit për shkak të zgjedhjeve të politikës së jashtme të Presidentit Erdogan, afrimit me Rusinë dhe sundimit gjithnjë e më autoritar.

                                                                        [https://www.eurasiareview.com// Përktheu: ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply