Fqinjët virtualë në luftën e rregullt

Spread the love

Fqinjët virtualë në luftën e rregullt

Nga Dr Selim Ibraimi

Për sulmet kibernetike dhe dezinformimin ruso- kinez kemi shkruar qysh më herët kur pandemia filloi në vitin 2020. Tash kur kemi hyrë në javën e katërt të sulmit rus mbi Ukrainë, duhet të shohim se cila nga palët në konflikt ka qenë më e suksesshme në ekzekutimin e sulmeve kibernetike në luftën e rregullt. Që nga viti 2011, pritjet kanë qenë dhe ishin të mëdha për Rusinë që të kryejë me sukses sulme kibernetike. Lufta në Ukrainë dëshmoi diçka tjetër për Rusinë e Putinit. Në vend të aksioneve kibernetike kundër infrastrukturës kritike të Ukrainës dhe Perëndimit, Moska ndoqi një vijë tjetër, ashtu njëjtë si në Siri dhe në Afganistan, duke shkatërruar objekte civile dhe organizuar sulme mbi njerëz të pafajshëm.

Padyshim se në fushën e dezinformimit, Moska ka arritur të manipulojë masën, por jo në proces afatgjatë. Dhe këtu përveç Ballkanit, në mjediset e përziera etnike si në Moldavi, në ditën e sulmit rus në Ukrainë, shumë të rinj morën mesazhe në telefon që  bënte thirrje për një rekrutim të përgjithshëm kombëtarë të moshës aktive në Moldavi. Ky ishte sulmi i parë që i takon fushës së sulmeve kibernetike të rrjetit telefonik (celular) dhe mban në vete fushatën e vjetër ruse të dezinformimit ndaj fqinjëve. Qeveria e Moldavisë më vonë njoftoi se mesazhi ishte i rremë dhe pas kësaj qëndrojnë grupe ruse të hakerëve.

Kur jemi te siguria evropiane dhe transatlantike, sulmi rus ndaj Ukrainës ka ndryshuar ambientin e sigurisë dhe NATO do të ndryshojë gjithashtu, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg gjatë një takimi të ministrave të mbrojtjes të aleancës në Bruksel. Këtu sekretari i aleancës e ka fjalën për fushën kibernetike dhe armatimin e vendeve që mund të preken në të ardhmen nga armiqtë e demokracisë.

Në këtë drejtim anëtarët e “Qendrës Kibernetike të Ekselencës të NATO-s” (CCDCOE), kanë votuar njëzëri para dy javëve për të lejuar Ukrainën të marrë pjesë në punën e saj të vazhdueshme. Vendimi i zyrtarëve në Bruksel për të lejuar Kievin zyrtarë të marrë pjesë në mbledhjet e (CCDCOE-së), ishte si rezultat i vendimit të Uashingtonit për të zvogëluar përpjekjet e Moskës që të dëmtojë me sulme kibernetike infrastrukturën kritike ukrainase. Në disa pjesë të vendit kjo është dëmtuar dhe këtu do të duhet kohë që rrjetet të riparohen. Megjithatë rrjeti energjetik i Ukrainës (ai perëndimor dhe qendror) është i lidhur me atë të Evropës perëndimore, duke u shkëputur përfundimisht nga ai rus.

Ritmi i peisazhit të rrezikut po ndryshon me shpejtësi, pasi kërcënimet dhe sulmet kibernetike janë bërë të zakonshme. Dhe këtu lind nevoja që vendet anëtare të NATO-s, e sidomos ato të rejat të përgatiten për një kohë sfiduese në dekadën që kemi hyrë. Në Samitin e Uellsit në shtator të vitit 2014, NATO miratoi një politikë kibernetike kundër armiqëve të dukshëm dhe të padukshëm.

Prioriteti kryesor është mbrojtja e sistemeve të komunikimit dhe informacionit në pronësi dhe që operohen nga NATO-ja. Politika e mbrojtjes parashikon një nxitje bashkëpunimi të NATO-s me industrinë, duke përfshirë shkëmbimin e informacionit, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe eksplorimin e teknologjive inovative për të përmirësuar mbrojtjen kibernetike. Mos të harrojmë se pas agresionit rus, gjërat kanë ndryshuar, NATO-ja dhe vendet nga rajoni i Ballkanit kanë një tablo më të qartë se çfarë i pret nga Rusia dhe si duhet të mbrohen nga aktorët tjerë. Shtetet e Ballkanit në NATO dhe ato jashtë, tash e tutje duhet urgjentisht të bëjnë forcimin e kapaciteteve të brendshme. Në rrezik janë shtetet jashtë NATO-s dhe ato neutrale.

Sulmi rus në Ukrainë detyrimisht duhet perceptuar ndryshe nga qeveritë e Ballkanit dhe shtetet neutrale. Ndryshe e nesërmja mund të jetë me mjaft të papritura për shtetet që kanë zgjedhur pozicionin neutral dhe qëndrojnë si tampon zonë.

Për lexuesit tanë duhet të nënvizojmë se “Qendra e Ekselencës e Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s” (CCDCOE), është e vendosur në kryeqytetin e Estonisë në Talin, aty afër ku Rusia me vite tenton të shkaktojë një destabilizim të ri të të gjitha formave.

Në Rusi “Agjencia e Kërkimeve në Internet” e njohur gjithashtu si “Glavset” ka organizuar dhjetëra sulme kibernetike dhe qëndron pas fushatës së dezinformimit në shumë shtete. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe organizatat sekrete ruse dhe individë që mbështeten nga shteti rus. Në fushën e vëzhgimit hapësinorë dhe luftës së dronëve, ukrainasit të angazhuar në “Aerorozvidka”, një njësi e specializuar e zbulimit ajror brenda ushtrisë ukrainase, ka realizuar sulme të karakterit jo kibernetik duke shkatërruar automjete ruse që mbanin pajisje elektronike dhe që mund të shfrytëzohen për sulme kibernetike në betejat që diku janë virtuale, të kombinuara dhe tradicionale. [ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply