G-20-ta, lufta, ekonomia, politika në fokus

Spread the love

G-20-ta, lufta, ekonomia, politika në fokus

AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI

Me moton “Një tokë-një familje-një e ardhme”, India, kryesuesja e radhës e G-20 ishte mikpritëse e Samitit të këtij grupimi për takimin e ministrave të Financës dhe Guvernatorëve të Bankave Qendrore (gjatë fundjavës që lamë pas) dhe në përfundim dhe të ministrave të Jashtëm (1 dhe 2 mars). Ky Samit i zhvilloi punimet, ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë ka hyrë në vitin e dytë duke u shoqëruar me pasoja të jashtëzakonshme humane, ekonomike e sociale dhe ndryshime të mëdha gjeopolitike dhe gjeokonomike.

Takimi i Ministrave të Financave dhe Guvernatorëve të Bankave Qendrore të Grupit të 20 të ekonomive kryesore botërore u zhvillua në qendrën teknologjike indiane të Bengaluru, gjatë të premtes dhe të shtunës së kaluar. Ky takim, i zhvilluar në një periudhë ku lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e dytë të saj, nuk mund të mos ndikohej nga ky fakt. Dhe me të vërtetë, e gjithë veprimtaria politike, ekonomike, sociale në planin rajonal dhe në atë global nuk mund të konsiderohet e shkëputur nga kjo luftë. E para më përmasa të tilla në kontinentin evropian që nga përfundimi i Luftës së dytë Botërore. Ky takim i ministrave të Financave të G20 përfundoi të shtunën pa një konsensus për deklaratën përfundimtare, me Rusinë dhe Kinën, që kundërshtuan përmendjen e luftës në Ukrainë në një dokument përfundimtar. Vetoja kineze pengoi përfshirjen në deklaratën e përbashkët të grupit G20 të dënimit të luftës në Ukrainë. Në periudha të tjera, kjo gjë mund të kalohej edhe pa u vënë re, por si pasojë e seriozitetit të situatës, ky konsensus i munguar tregon edhe një herë që ekzistojnë jo pak mosmarrëveshje, jo vetëm ndërmjet perëndimit dhe Federatës Rusë, por edhe ndërmjet perëndimit dhe një blloku të ri që po krijohet ndërmjet Federatës Ruse, Republikës Popullore të Kinës dhe Indisë. Sigurisht që për momentin nuk mund të flitet për një koalicion të pastër politik dhe ushtarak por megjithatë duket se situata është serioze dhe e komplikuar dhe se ndoshta lufta në Ukrainë e ka ndryshuar shumë situatën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ministrat e financave të G20 dhe guvernatorët e Bankave Qendrore, pas takimit në Bangalore të shtunën, miratuan një dokument, i cili nuk përmban terma që dënon veprimet e Rusisë në Ukrainë.

Sipas tekstit të dokumentit: “Të gjithë ministrat e Financave të G20 dhe Guvernatorët e Bankës Qendrore ranë dakord për paragrafët 1, 2 dhe paragrafët 5 deri në 17 së bashku me anekset 1 dhe 2”. Paragrafët 3 dhe 4 dënuan veprimet e Rusisë në Ukrainë, por nuk u miratuan nga përfaqësuesit e Rusisë dhe Kinës. “Paragrafët 3 dhe 4 të këtij dokumenti, të

përshtatura nga Deklarata e Liderëve të Balit të G20 (15-16 nëntor 2022), u ranë dakord nga të gjitha vendet anëtare, përveç Rusisë dhe Kinës”, thuhet në tekst.

Paragrafi mbi situatën në Ukrainë përfshin, për shembull, që shumica e zyrtarëve dënojnë “në termat më të fortë” veprimet e Rusisë në Ukrainë, duke shtuar se kriza ukrainase po ndikon negativisht në ekonominë globale. Teksti thekson se “ka pasur mendime të tjera dhe vlerësime të ndryshme për situatën dhe sanksionet”. “Duke pranuar se G20 nuk është forumi për zgjidhjen e çështjeve të sigurisë, ne e pranojmë se çështjet e sigurisë mund të kenë pasoja të rëndësishme për ekonominë globale”, thuhej në paragrafin e pamiratuar.

Në lidhje me situatën ekonomike globale në dokument theksohet se “Që nga takimi i fundit në tetor 2022, perspektiva ekonomike globale është përmirësuar në mënyrë modeste. Megjithatë, rritja globale mbetet e ngadaltë dhe rreziqet negative për perspektivën vazhdojnë, duke përfshirë inflacionin e lartë, një rigjallërim të pandemisë dhe kushte më të shtrënguara financimi që mund të përkeqësojnë dobësitë e borxhit në shumë tregje në zhvillim dhe Ekonomitë në Zhvillim. Prandaj, ne ritheksojmë nevojën për politika monetare, fiskale, financiare dhe strukturore të mirëkalibruara për të nxitur rritjen dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar. Ne do të vazhdojmë të përmirësojmë bashkëpunimin e politikave makro dhe të mbështesim progresin drejt Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm”.

Në lidhje me arkitekturën ndërkombëtare financiare në tekst theksohet: “Ne ritheksojmë angazhimin tonë për të siguruar një Rrjet të Sigurisë Financiare Globale të fortë dhe efektiv me një FMN të fortë, të bazuar në kuota dhe me burime adekuate në qendër të tij. Ne mbetemi të përkushtuar për të rishikuar përshtatshmërinë e kuotave të FMN-së dhe do të vazhdojmë procesin e reformës së qeverisjes së FMN-së sipas Rishikimit të 16-të të Përgjithshëm të Kuotave, duke përfshirë një formulë të re kuotash si udhëzues, që do të përfundojë deri më 15 dhjetor 2023”.

Në lidhje me çështjen e borxhit, liderët vlerësuan se “Ne e njohim urgjencën për të trajtuar dobësitë e borxhit në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Forcimi i koordinimit shumëpalësh nga kreditorët zyrtarë dypalësh dhe privatë është i nevojshëm për të trajtuar situatën e përkeqësuar të borxhit dhe për të lehtësuar trajtimin e koordinuar të borxhit për vendet me probleme borxhi. Ne qëndrojmë pranë të gjitha angazhimeve të marra në ‘Kornizën e Përbashkët për Trajtimet e Borxhit përtej DSSI’, duke përfshirë ato në paragrafët e dytë dhe të fundit, siç është rënë dakord më 13 nëntor 2020″.

Çështja e ndryshimeve klimatike është një temë gjithmonë e prekur në çdo takim të zhvilluar në kuadrin e samiteve të G20. Edhe në dokument theksohet se: “Ne riafirmojmë angazhimin tonë të palëkundur për të forcuar zbatimin e plotë dhe efektiv të Konventës

Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike dhe Marrëveshjes së Parisit. Kujtojmë dhe riafirmojmë angazhimin e bërë nga vendet e zhvilluara për qëllimin e mobilizimit të 100 miliardë dollarëve financim për klimën në vit deri në vitin 2020 dhe çdo vit deri në vitin 2025 të adresojë nevojat e vendeve në zhvillim, në kontekstin e veprimeve zbutëse domethënëse dhe transparencës në zbatim dhe të theksojë rëndësinë e përmbushjes së këtij objektivi plotësisht sa më shpejt të jetë e mundur”.

Një çështje tjetër e diskutuar gjatë dy ditëve të samitit ishte edhe ajo e shëndetit në nivel global. “Ne mbetemi të përkushtuar për forcimin e arkitekturës globale shëndetësore për parandalimin, gatishmërinë dhe reagimin ndaj pandemisë përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe dialogut të zgjeruar midis Ministrive të Financave dhe Shëndetësisë në kuadër të Financave të Përbashkëta dhe Task Forcës së Shëndetësisë”.

Vend në dokumentin e shpallur zuri edhe çështja e tatimit ndërkombëtar: “Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë për një sistem tatimor ndërkombëtar globalisht të drejtë, të qëndrueshëm dhe modern të përshtatshëm për qëllimin e shekullit të 21-të. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj zbatimit të shpejtë të paketës tatimore ndërkombëtare me dy shtylla, OECD/G20. Ne nxisim Kornizën Gjithëpërfshirëse të OECD/G20 (“Korniza Gjithëpërfshirëse”) për të finalizuar Shtyllën e Parë, duke përfshirë çështjet e mbetura në mënyrë që Konventa Shumëpalëshe të nënshkruhet në gjysmën e parë të vitit 2023. Ne mirëpresim publikimin e Kornizës së Zbatimit të GloBE që lehtëson zbatimin e Rregullave GloBE si një qasje e përbashkët”.

Duket se edhe në takimet që do të zhvillohen gjatë këtij viti që presidencën e G20 e ka India, lufta në Ukrainë do të vazhdojë të jetë si një hije mbi punimet e samiteve. Diferencat në mendime dhe qëndrime politike që u shfaqën gjatë punimeve të takimit të ministrave të Financave të G20 do të shfaqen edhe me të mëdha në muajt në vazhdim, pavarësisht situatës tragjike në Ukrainë.

Kjo gjë u duk qartë edhe në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të G20 që u zhvillua në datat 1-2 mars në Nju Delhi. Klima e tensionuar si pasojë e luftës në Ukrainë ndikoi si takimet dypalëshe të zhvilluara ndërmjet liderëve, ashtu edhe mbledhjet e përbashkëta. Në takimin që Sekretari i Shtetit, Blinken, pati me homologun e tij rus, Lavrov, u dukën edhe një herë qartazi këndvështrimet dimetralisht të kundërta të dy vendeve, me SHBA të vendosur të ndihmojë Ukrainën për sa kohë të jetë e nevojshme dhe me Rusinë që e konsideron këtë politike si destruktive dhe si arsye që shton mundësitë për një zgjerim të konfliktit. Pamundësia e daljes me një deklaratë të përbashkët ishte diçka e pritshme. Dokumenti i publikuar në përfundim të takimit dyditor ishte i ngjashëm me atë të ministrave të Financave të një jave më parë. Edhe në këtë deklaratë, Rusia dhe Kina nuk pranuan të përmendnin Rusinë si shkaktar i konfliktit, gjë që u përmend saktë në këtë

deklaratë. “Lufta në Ukrainë ka ndikuar më tej negativisht në ekonominë globale. Pati një diskutim për këtë çështje. Ne përsëritëm qëndrimet tona kombëtare të shprehura në forume të tjera, duke përfshirë Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, të cilat, në Rezolutën Nr. ES-11/1 e datës 2 mars 2022, e miratuar me shumicë votash (141 vota për, 5 kundër, 35 abstenime, 12 mungojnë) dënon në terma më të fortë agresionin e Federatës Ruse kundër Ukrainës dhe kërkon tërheqjen e saj të plotë dhe të pakushtëzuar nga territorin e Ukrainës. Shumica e anëtarëve e dënuan fuqishëm luftën në Ukrainë dhe theksuan se ajo po shkakton vuajtje të jashtëzakonshme njerëzore dhe po përkeqëson brishtësinë ekzistuese në ekonominë globale – duke kufizuar rritjen, rritjen e inflacionit, ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit, rritjen e pasigurisë së energjisë dhe ushqimit dhe duke rritur rreziqet e stabilitetit financiar”. Megjithatë, në lidhje me këtë paragraf në deklaratë specifikohet saktësisht se: “Paragrafët 3 dhe 4 të këtij dokumenti, siç janë marrë nga Deklarata e Liderëve të Balit të G20 (15-16 nëntor 2022), u ranë dakord nga të gjitha vendet anëtare, përveç Rusisë dhe Kinës”.

Motoja që presidenca indiane e G20 ka zgjedhur për këtë vit “Një tokë-një familje-një e ardhme”, edhe pse mjaft simbolike dhe kuptimplote, duket disi “ironike” krahasuar me kontekstin politik ekonomik, human dhe ushtarak, brenda të cilit do të zhvillohen të gjitha takimet e liderëve të G20 këtë vit. E ardhmja e afërt duket se nuk premton optimizëm të tepruar.


Spread the love


Leave a Reply