Influenca ruse në Ballkan

Spread the love

Influenca ruse në Ballkan

Serbia nën gurin rus

Nga Tomislav Marković

Kur filloi pushtimi rus i Ukrainës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbrojti strategjinë e fshehjes nën gur. Jemi të vegjël, të parëndësishëm, një fije kashte në shakullimë, më së miri është të shtiremi si të vdekur dhe të përpiqemi të mos biem në sy. Shpejt u bë e qartë se kamuflimi me gurë nuk ishte aq i realizueshëm në praktikë. Vështirë të mos e shohësh të vetmin vend në Evropë që nuk vendos sanksione ndaj Rusisë, ashtu si dhe mitingjet dhe auto-procesionet me të cilat mbështetet agresioni rus ose propaganda e Kremlinit nëpër media. Kësaj nuk i ndihmoi gjithashtu  as ngazëllimi masiv për qytetet e shkatërruara të Ukrainës.

Me dekada të tëra përpiqemi ta bindim botën e tërë përmes tellallëve tanë të autorizuar nacionalë sikur ne jemi të veçantë, ndryshe nga gjithë të tjerët, popull hyjnor, inokos dhe elegantë, një shfaqje unikale në gjithësi dhe në zonën përreth. Vetëlavdërime të tilla deri më tani kanë ndeshur në murin e moskuptimit, jo rrallë edhe në një nënqeshje të hapur ironike, mirëpo më në fund ia kemi dalë që e vërteta mbi Serbinë të dalë jashtë kufijve të shtetit tonë.  “Gardiani” britanik shkruan se Serbia e ka dyfishuar numrin e fluturimeve për në Moskë, dhe se rusët tani po e shfrytëzojnë Serbinë për t’u futur në Evropë përmes “kapixhikut” duke shmangur kështu ndalim-fluturimet për në Rusi dhe prej saj. Serbia ka mbetur “i vetmi korridor ajror evropian i hapur për Rusinë”. Këtë e nënvizoi edhe Emine Xhepar, zëvendësja e parë e Ministrit të Punëve të Jashtme të Ukrainës, ashtu si dhe zyrtarë të tjerë evropianë.

Kisha ortodokse serbe

Parlamenti evropian nxori rezolutën mbi përzierjen e jashtme në proceset demokratike evropiane në Bashkimin Evropian, me të cilën dënohen përpjekjet e Rusisë në shfrytëzimin e tensioneve etnike në Ballkanin perëndimor, “me qëllimin e ndezjes së konflikteve dhe përçarjes së komuniteteve” duke tërhequr vërejtjen për një destabilizim eventual të rajonit. Në rezolutë konstatohet se Kisha ortodokse serbe në Serbi, Mal të Zi dhe në Bosnjë-Hercegovinë, veçanërisht në entitetin e Republikës Srbska, po tenton ta promovojë Rusinë si një mbrojtëse të vlerave tradicionale familjare dhe po i forcon raportet midis shtetit dhe kishës“. SPC akuzat e tilla i ka demantuar me ashpërsi, mirëpo komunikatën e tyre akoma më rreptë e kanë demantuar zyrtarët kishtarë në terren.

Mitropoliti i Malit të Zi me bregdet, Joanikije, akuzoi për luftën në Ukrainë Evropën protestane nga e cila na ka ardhur e keqja e “zot-mohimit, ateizmit dhe komunizmit”, ndërsa në rrugë e sipër nënvizoi se “Mali i Zi ishte projektuar ashtu që të jetë një Ukrainë e vogël.” Në homazhet ravnagorase për Drazha Mihajloviqin në Drazhevinë afër Vishegradit, mitropoliti i thërriti ndjekësit e grumbulluar të këtij krimineli çetnik që të thërrisnin tri herë “Urra!” për Ramzan Kadirovin, për të dëshmuar kështu se si ca njerëz të ligj po i akuzonin pa të drejtë për diskriminim dhe urrejtje nacionale ndaj myslimanëve. Për çetnikët dhe priftërinjtë ortodoksë janë të pranueshme të gjitha fetë dhe kombet, me kushtin që t’i shërbejnë Putinit dhe që t’i vrasin civilët nëpër Ukrainë.

Deputetja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën, Viola von Kramon, akuzoi tabloidët serbë për pjesëmarrje në fushatën ruse të dezinformimit. „Si një kandidat për anëtarësim në BE, pres nga udhëheqja serbe që të dënojë luftën brutale ruse në Ukrainë dhe të pranojë sanksionet e BE-së. Ky është minimumi të cilin e presim prej jush”, shkruajti ajo në Twitter. Von Kramon iu referua konkretisht ballinës së gazetës “Vecernje novosti” me lajmin e fundit të mbitheksuar „Caqe – korridoret në Ukrainë: rafalët e neonacistëve mbi shpinën e civilëve“. Ç’mund të pritet tjetër prej gazetës së Milorad Vuceliqit, se sa që t’i kthehet rrënjëve të tij të viteve 90 dhe përrallave mbi atë se si boshnjakët po granatonin dhe po vrisnin vetveten? Sot është akoma më e kollajshme të prodhosh propagandë, sepse nuk ke nevojë ta lodhësh mendjen, zyrtarët e Kremlinit tashmë kanë trilluar gjithçka, mjafton që gënjeshtrat e tyre të përkthehen në serbisht.

Etja për totalitarizëm

Më së shumti u kemi rënë në sy deputetëve të Parlamentit Evropian nga grupimi liberal Renew Europe. Të nëntë anëtarët e tij i kanë dërguar një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Lajen, si dhe përfaqësuesit të lartë Josep Borell, në të cilën ata kërkojnë ngrirjen e përkohshme të bisedimeve me Serbinë dhe ndërprerjen e ndihmave financiare nga Bashkimi Evropian, së paku deri atëherë kur Serbia të harmonizojë politikën e saj ndaj Rusisë me politikën e Bashkimit Evropian. Europarlamentarët kishin shkruar fare bukur se „Serbia, nëse dëshiron, ka të drejtën e plotë që të ndjekë modelin putinist, mirëpo duhet të jetë e qartë në qëllimet e saj dhe të pushojë të shtiret sikur ka aspirata serioze për anëtarësim në BE“.

Ndershmërisht. Çfarë do të na detyronte të hyjmë në BE nëse nuk duam? Duke marrë parasysh popullaritetin që këtu gëzon Putini me shtetin e tij privat, mund të thuhet se më parë do të na përgjigjej autoritarizmi që synon totalitarizmin se sa ndonjë demokraci e vajtueshme prej ku di unë se ku. Arrestimi dhe keqtrajtimi i demonstruesve, ndalimi i medias së lirë, persekutimi i intelektualëve të pavarur, etiketimi i kritikëve të regjimit si agjentë të huaj, zhveshja e qytetarëve nga të drejtat, izolimi nga bota, shtypja e mendimit ndryshe, ëndrrat perandorake, mospranimi i kufijve, invazioni në vendet fqinje – këto janë cilësitë e një shteti në të cilin do të donin të jetonte një numër i madh njerëzish. Vuçiqi përpiqet me të gjitha fuqitë që të na imponojë diçka të ngjashme, mirëpo duket qartë se kjo nuk mjafton për të kënaqur nevojat e shpirtrave të skllavëruar. Ata do të lumturoheshin vetëm me statusin e një guberne ruse.

Peizazhistët mediatikë

Këta janë vetëm ca shembuj më të dukshëm të vënies së Serbisë në shtyllën e turpit për shkak të zgjedhjes kundërqytetëruese që ka bërë ajo me rastin e agresionit mbi Ukrainën, duke u vendosur në krahun e asgjësuesve dhe kriminelëve. Gjithnjë e më i madh është numri i zërave të ngjashëm nga qarqet me ndikim politik, diplomatik e intelektual të Evropës që tregojnë me gisht turpin tonë. Në letrën e lartpërmendur deputetët e Parlamentit Evropian apostrofojnë në mënyrë të veçantë median serbe. “Vërtetë është e pabesueshme të shohësh se si pas kaq vitesh mbështetjeje para anëtarësimit dhe bisedimeve intensive mbi anëtarësimin, peizazhi mediatik serb – që është nën kontrollin e rreptë të partisë në pushtet SNS – e madhëron Putinin dhe përhap lajme të rrejshme mbi BE-në dhe mbi agresionin rus në Ukrainë në baza ditore.”

Me të vërtetë duket sikur peizazhin mediatik serb ta kishte pikturuar me dorën e vet Putini, mirëpo ai na sjell ndërmend ngapak edhe ditët më të lavdishme të propagandës luftënxitëse të viteve 90 të shekullit të kaluar. Radiotelevizioni serb i është kthyer rrënjëve të tij millosheviqiste, prandaj në TV-Ditarin e Dytë, emision kryesor informativ, mund të dëgjojmë se si në Mariupol “nacionalistët ukrainas po mbajnë mijëra të huaj si një mur të gjallë mbrojtës, dhe nuk i lejojnë civilët të braktisin zonat me rrezik”.

Prej ku po u vijnë informacione të tilla të mendermethënshme Spomenka Jovićit dhe Milorad Komrakovit? Natyrisht që nga pala ruse, e cila hem është agresor, hem shkatërron Ukrainën duke tentuar ta kthejë në tokë të djegur, hem bën rrafsh me tokën objekte civile duke vrarë dhe fëmijë, hem është e njohur në përhapjen e dezinformatave që s’do t’i hante as qeni të mbështjella me sallam. Mirëpo ajo që s’bën as për barkun e qenit, gazetarët e shërbimit publik e gllabërojnë si ëmbëlsirën më të shijshme. Siç do të thoshte Sergej Lavrov, Ministër i Puneve të Jashtme i Rusisë, dhe shpresoj edhe i dënuari i ardhshëm për krime lufte: „Nuk planifikojmë sulme mbi shtetet tjera dhe nuk e kemi sulmuar as Ukrainën“. Kush do të vinte në dyshim informacionet e një shteti, njërën ndër ministritë kryesore të të cilit e drejton një adhurues i tillë i së vërtetës?

“Syri i tretë” i politikës

Gazeta shtetkrijuese “Politika” nën titullin intrigues “Kush po hulumton ADN-në e rusëve etnikë” publikoi tekstin për laboratorët fantazmagorikë të armëve biologjike në Ukrainë. Se nuk bëhej fjalë për ndonjë tekst që redaksia të mund ta kishte përshkruar nga “Syri i tretë” apo nga “Zona e mugëtirës” (Treće oko, Zona sumraka – revista serbe që merren me dukuritë paranormale e mistike BE), e shpjegoi redaktori i “Politikës”, Bojan Bilbija, si mysafir i studios së një televizioni. “Qysh para 5-6 vitesh doli informacioni se po mblidheshin të dhëna mbi ADN-në ruse, kështu thuhej në atë kohë. Me qëllim që të prodhohej një virus i tillë, ose një patogjen, që do të targetonte vetëm rusët, sipas ADN-së së tyre. Gjë që nënkupton se të gjithë rusët kanë një segment të ADN-së që është i njëjtë për të gjithë, dmth., një ADN etnike, dhe që në bazë të këtij segmenti të prodhohej një virus i tillë i cili do t’i godiste vetëm ata“ deklaroi ky farë redaktori duke iluminuar kështu të gjithë shikuesit serbë që kishin ikur nga orët e biologjisë në shkollën fillore.

Janë lajmëruar dhe shkencëtarë seriozë, edhe tek ne edhe nga bota, për të shpjeguar se kjo shpikje e Kremlinit nuk ka lidhje me trurin e shëndoshë, se nuk ekziston një ADN etnike, se kombi është një produkt artificial, ndërsa ADN-ja një kategori natyrale e biologjike. Ja deri ku kemi arritur, biologët duhet të shpjegojnë lëndë për filloristët, sepse ka të tillë që besojnë ato që i trillon makineria propagandistike cinike e Putinit, sado të pakuptimta e idiote të jenë ato. Si mundet që një redaktor apo i ashtuquajtur gazetar të përfytyrojë një ADN etnike? A ndryshon vallë ADN-ja nëse dikush ndërron nacionalitetin?

Ç’do të bëhet me qytetarë të Ukrainës që kanë pasur identitet nacional të dyfishtë, së paku deri atëherë kur vrasësit e Putinit nuk vendosën t’ua shkatërrojnë gjysmën e përkatësisë nacionale? A mos ajo armë biologjike shkatërron vetëm gjysmën ruse të ADN-së, ndërsa gjysmën ukrainase e lë të paprekur? Ç’do të bëhet, ta zëmë, në rastin e ngjashëm, me disa pjesëtarë të gjeneratës së tretë të gastarbajterëve tanë të cilët nuk flasin më serbisht dhe deklarohen si gjermanë, suedezë, norvegjezë, amerikanë? E kuptoj faktin se ka njerëz që duan të bëhen shërbëtorë të Putinit, e kuptoj edhe se ka rrogtarë  medialë që urrejnë të vërtetën dhe faktet, mirëpo do të duhej që sadopak të përpiqeshin, gjersa shefat në Moskë ndjekësit e tyre i trajtojnë si idiotë.

Lakuriqët, një armë vdekjeprurëse

As “Večernje novosti” nuk mbeten prapa Politikës, as Vučelić nuk është një përshkrues më i keq i fantazmagorive ruse se sa Bilbija. „Lakuriqët të gatshëm për sulm kundër Rusisë“ – çirret titulli në tabloidin e Vučelićit, ndërsa nën titull njëfarë R. Dragović (përkthyes nga rusishtja?) shpjegon se si pala ruse është e shqetësuar deri në dhimbje për shkak të „një arme biologjike specifike, cak i së cilës do të ishte – populli rus“. Dragović-i na thotë se bëhet fjalë për „formën më të re të bioterrorizmit, e cila nënkupton zhvillimin e agjensëve që do të ishin vdekjeprurës vetëm për pjesëtarë të një grupi etnik, ndërsa për të tjerët do të ishin pothuajse të padëmshëm.” Lakuriqët do të duhej të shërbenin si bartës të gjallë të kësaj arme misterioze nga universi paralel. Dëm i madh që ky gazetar nuk ka shpjeguar se si ky gjitar fluturues mund të veçojë rusët prej të tjerëve, që të mund t’i sulmojë vetëm ata. Më mirë të kishin shpikur ndonjë histori me vampirë apo lugetër ukrainas, kjo do të tingëllonte më bindëse!

Nuk ka dyshim se mediat serbe do të vazhdojnë me daktilografimin e propagandës ruse, sepse opinioni është i gatshëm të pranojë përmbajtje të tilla, për shkak se për vite të tëra ia kanë mbushur kokën me broçkulla të ngjashme. Është e qartë edhe se elita politike do të vazhdojë lojën e saj të turpshme, duke refuzuar me këmbëngulje që të marrë anën e viktimës. Është e kuptueshme, nuk janë mësuar njerëzit të bëhen me ata që vuajnë, më afër zemrës  e kanë palën që shkatërron, që zhduk, që shfaros dhe që vret. Mirëpo tingëllon bizar fakti që të presësh se askush në botë nuk do ta regjistrojë këtë sjellje dhe se spërdredhjet e tilla do të mbeten pa pasoja. Sidomos në një botë rrënjësisht të polarizuar. Nëse Vučić tashmë ka vendosur ta kamuflojë Serbinë, ndoshta nuk është dashur ta fshehë atë pikërisht nën gurin e Putinit.

https://zurnal.info/clanak/srbija-pod-putinovim-kamenom/24822

Përktheu: Bislim Elshani


Spread the love


Leave a Reply