Keqinterpretimi i gjeografisë politike

Spread the love

Keqinterpretimi i gjeografisë politike

Dr Selim IBRAIMI

Gjeografinë politike shumë pak e kemi hasur në të kaluarën për arsye të ndarjeve ideologjike të botës, dhe më pak në botimet apo ligjërimet universitare tek ne. E gjithë çështja kishte të bënte se gjeografia politike lidhej me imperalizmin ose me idenë që e shfrytëzoi Adolf Hitleri për hapësirën gjeografike gjermane (Lebensraum) e cila kishte nevojë të zgjerohej. Koncepti i gjeografisë politike sot keqpërdoret më shumë në Ballkanin Perëndimor nga shtetet me prirje hegjemoniste që tentojnë të shfrytëzojnë territorin dhe popullatën për kufij dhe qëllime të zgjerimit. Në të kaluarën gjatë fund shek. 19-të-dhe fillim shek. 20-të, shumë udhëheqës politikë të kohës filluan disa projekteve që lidheshin me dëbimet e popullatës vendase, duke i justifikuar veprimet pikërisht në specifikat e gjeografisë politike. Pavarësisht projekteve kundër njerëzimit dhe keqpërdorimit të konceptit të gjeografisë politike, sot gjeografia politike zë vend të konsiderueshëm në universitete, teknologjinë informative dhe në politikëbërje.

Për më shumë edhe Inteligjenca Artificiale (IA) e përcakton gjeografinë politike si “një faktor kyç që ndikon në mënyrën e të jetuarit të njerëzve në një rajon të caktuar të botës”. “Burimet vendore përcaktojnë ushqimin që hanë njerëzit, i cili nga ana tjetër ndikon në shëndetin dhe ushqimin e përgjithshëm të një popullate”. Nga ana tjetër vendndodhja gjeografike e një shteti apo kombi prek popullatën që jeton aty. Disa shtete të vogla që gjenden apo kanë rëndësi strategjike kanë gjasa të pushtohen më shpejt ose të luajnë një rol të rëndësishëm në politikën ndërkombëtare. Shumë shtete në botë kanë disa bariera gjeografike dhe pushtimi i tyre është më i vështirë, e disa të tjera nuk i kanë këto pengesa dhe shtetet fqinjë ose më të forta nuk kanë vështirësi për t’i sulmuar ose pushtuar. Pra këto janë disa karakteristika të gjeografisë politike që vendosin për fatin e një kombi dhe që kanë pasur rol vendimtar që nga lashtësia.

Në kohën bashkëkohore, mënyra e studimit të gjeografisë politike ka ndryshuar. Kështu në qytetin Springfiled të shtetit Virxhinia, dhe në St. Louis të shtetit Mizuri të SHBA-së, ndodhen dy qendrat më të mëdha të ‘Agjencisë Kombëtare të Gjeohapësirës’ e njohur si ‘National Geospatial Agency’ (NGA), e cila bën procesimin e imazheve gjeografike dhe prodhon analiza të gatshme për politikëbërësit amerikanë. Dikur gjatë Luftës së Dytë Botërore NGA-ja e sotme quhej ‘Agjencia Kombëtare e Hartave’ nën kompetencat e Departamentit të Mbrojtjes. Sipas Enciklopedisë Gjeografike, gjeografia politike “është studimi i mënyrave të organizimit të hapësirës gjeografike të ndërlidhura me proceset politike”. Kufijtë qofshin të së kalurës apo ato të tashmes që vendosen nga shtetet, konfliktet për burimet natyrore midis shteteve dhe shumë çështje tjera etnike dhe ekonomike vlerësohet të kenë dimensione politike dhe gjeografike. Sipas botimeve perëndimore gjeografia politike thekson në fund “natyrën për territor të njeriut”.

Gjeografia politike konkretisht gjeografia kritike ka të bëjë me “qasjen kritike ndaj mënyrës sesi ne e organizojmë dhe e administrojmë hapësirën”. Hapësira politike lidhet me shtetin dhe me individin. Gjeografia politike i merr parasysh të gjithë etnitë, fetë dhe racat, pasi gjeografia politike ka për analizë shqetësimet politike të një etnie, të kombi dhe të një komuniteti. Në nivel global gjeografia politike fokusohet në gjeopolitikën e rajoneve. Sipas autorit Flin, gjeografia politike në Evropën Perëndinore dhe Amerikën Veriore është zhvilluar në dy faza. Faza e parë fillon me kulmin e imperializmit aty në fundi i viteve 1800 deri në vitet 1970 dhe faza e dytë fillon në vitet 1970 dhe vazhdon deri në ditët e sotit. Në fund, siç dihet çdo kush nga ne qoftë në zyrë apo në shtëpi kemi nga një glob të botës apo një hartë. Prej këtu fillon analiza gjeopolitike pra nga një hartë politike e botës që tregon emrat e shteteve, kufijtë, liqenet dhe lumenjtë deri tek zbërthimi i karakteristikave gjeografike të shteteve që ndikojnë në vendimmarrjet e qeverive. Përshtypjeta e para që krijon njeriu është se çdo gjë është në ndryshim kur flasim për gjeografinë politike. Për lexuesit tonë duket të theksojmë se përveç gjeografisë politike, kemi edhe gjeografinë kritike, rajonale, kulturore, ekonomike etj. Gjeografia politike në Ballkanin Perëndimor vazhdon të ketë ndikimin e saj në formulimin e politikave shtetërore dhe përtej saj. Përkundër që shtetet e Ballkanit janë zotuar se dëshirojnë aderimin në BE, përsëri në kokat e drejtuesve politikë mbeten ide dhe plane të shek. 19-20-të për të keqinterpretuar rolin e gjeografisë politike për qëllime etnike.


Spread the love


Leave a Reply