Koha që t’i hedhim në erë tregjet e energjisë elektrike

Spread the love

Është koha për të mbyllur tregjet e simuluara të energjisë elektrike. Ajo që na nevojitet, në vend të kësaj, janë rrjetet publike të energjisë në të cilat çmimet e energjisë elektrike përfaqësojnë kosto mesatare, plus një rritje të vogël. Ne kemi nevojë për një taksë karboni, të ardhurat e së cilës duhet të kompensojnë qytetarët më të varfër. Ne kemi nevojë për një investim në shkallë të gjerë si Projekti Manhattan në teknologjitë e gjelbra të së ardhmes (si hidrogjeni i gjelbër dhe fermat e erës lundruese në shkallë të gjerë në det të hapur). Dhe, së fundi, ne kemi nevojë për rrjete lokale në pronësi komunale të burimeve të rinovueshme ekzistuese (solare, erë dhe bateri) që i kthejnë komunitetet në pronarë, menaxherë dhe përfitues të energjisë që u nevojitet

Nga Dr Yanis Varoufakis

Flatrat e turbinave të erës në malin përballë dritares sime po rrotullohen fort sot. Stuhia e mbrëmshme ka kaluar, por erërat e fuqishme po vazhdojnë, duke kontribuar me kilovatë shtesë energjie në rrjet pa asnjë cent (ose me çmim margjinal, thënë me gjuhën ekonomike). Por njerëzit që po kanë telashe të mbulojnë shpenzimet elementare gjatë krizës së ngritjes së paprekshme të çmimeve të jetesës duhet të paguajnë për këta kilovatë sikur të ishin prodhuar prej gazit të lëngshëm të kushtueshëm të transportuar në brigjet e Greqisë nga Teksasi. Ky absurditet, që po mbisundon përtej Greqisë dhe Evropës, duhet të marrë fund njëherë e mirë.

Absurditeti buron prej deluzionit se shtetet mund të simulojnë konkurrencë dhe rrjedhimisht tregun e energjisë elektrike. Meqë vetëm një kabllo elektrike zgjatet deri në shtëpi a biznese, duke ia lënë çështjet tregut do të shpinte drejt monopolit të madh – rezultat që askush nuk e dëshiron. Por qeveritë vendosën se mund të simulojnë treg konkurrues për të zëvendësuar përfitimet publike që gjeneronin dhe shpërndanin rrymë. Por ato nuk munden.

Sektori i pushtetit i Bashkimit Evropian është shembull i mirë i asaj çfarë fundamentalizmi i tregut u ka bërë rrjeteve elektrike anembanë botës. BE-ja detyroi shtetet e saj anëtare të ndajnë rrjetin elektrik nga stacionet e gjenerimit të energjisë dhe privatizoi stacionet energjetike për të krijuar firma të reja, që do të garonin me njëra-tjetrën për të ofruar energji elektrike një kompanie tjetër në pronësi të rrjetit. Kjo kompani, në këmbim, do të jepte me qira rrjetin një tjetër kompanie që do të blinte krejt energjinë dhe do të garonin ndërmjet vete për të shtrirë shpërndarjen në shtëpi dhe firma. Konkurrenca në mesin e prodhuesve do ta minimizojë çmimin e përgjithshëm, derisa konkurrenca ndërmjet tregtarëve do të siguronte se konsumatorët finalë do të përfitonin prej çmimeve të lira dhe shërbimit me cilësi të lartë.

Rrjedhimisht, asnjëra prej këtyre nuk do të mund të realizohej në teori, e lëre më në praktikë.

Tregu i simuluar u përball me imperativë kundërthënës: për të siguruar sasi minimale të elektricitetit brenda rrjetit në çdo pikë, në çdo kohë, dhe për të kanalizuar investime në energjinë e gjelbër. Zgjidhja e propozuar prej fundamentalistëve të tregut ishte e dyfishtë: krijoni një treg tjetër për leje për të emetuar gazrat serrë dhe paraqitni çmimore margjinale, që nënkupton se çmimi i përgjithshëm i çdo kilovati të jetë i barabartë me atë të kilovatit më të kushtueshëm.

Tregu i lejimit të emetimit ishte menduar për të motivuar prodhuesit e energjisë elektrike për të kaluar drejt derivateve më pak ndotëse. Ndryshe prej një takse fikse, kostoja e emetimit të një tonelate dyoksid karboni do të përcaktohej prej tregut. Në teori, sa më shumë që industria mbështetet në derivate të tmerrshme, si linjiti, aq më e madhe do të jetë kërkesa për leje emetimi të lëshuara nga BE-ja. Kjo do të rriste çmimet, do të fuqizonte nismat për të kaluar në gaz natyror dhe në fund në energji të ripërtërishme.

Vendosja e çmimit margjinal kishte për qëllim të siguronte nivel minimal të furnizimit të energjisë elektrike, duke ua parandaluar prodhuesve me kosto të ulët minimin e kompanive energjetike me kosto më të lartë. Çmimet do t’u jepnin prodhuesve me kosto të ulët përfitime dhe arsye të mjaftueshme për të investuar në burime energjetike me më pak ndotje.

Për të parë se çfarë kanë në mendje rregullatorët, kini parasysh një hidrocentral dhe një termocentral. Kostoja fikse e ndërtimit të një hidrocentrali është e madhe, por kostoja margjinale është zero: kur uji të rrotullojë turbinat, kilovati i radhës që e prodhon nuk kushton asnjë cent. Përkundrazi, termocentrali është më i lirë për ta ndërtuar, por kostoja margjinale është pozitive, duke reflektuar sasinë fikse të linjitit të kushtueshëm për çdo kilovat të prodhuar.

Duke caktuar çmimin e çdo kilovati të prodhuar në hidrocentrale që të jetë më i ulët se kostoja margjinale e prodhimit të çdo kilovati me linjit, BE-ja synonte të shpërblente kompaninë hidroelektrike me përfitim të madh, që, shpresonin regullatorët, do të investohej në kapacitete të energjisë së ripërtërishme. Njëherësh, termocentralet me linjit nuk do të sillnin kurrfarë përfitimi pasues (derisa çmimi vetëm do të mbulonte kostot e tij margjinale) dhe faturë të ngritur për lejet e nevojshme për të blerë për shkak të ndotjes.

Por realiteti ishte më pak i mëshirshëm sesa teoria. Ndërsa pandemia shkaktoi kërdi në zinxhirët e furnizimit global, çmimi i gazit natyror u rrit, përpara se të trefishohej pasi Rusia pushtoi Ukrainën. Papritur, karburanti më ndotës (linjiti) nuk ishte më i shtrenjti, duke motivuar më shumë investime afatgjata në lëndët djegëse fosile dhe infrastrukturën për LNG. Çmimi me kosto margjinale i ndihmoi kompanitë e energjisë të fitojnë shuma të mëdha nga konsumatorët e indinjuar me pakicë, të cilët e kuptuan se po paguanin shumë më tepër se kostoja mesatare e energjisë elektrike. Nuk është për t’u habitur që publiku, duke mos parë asnjë përfitim – për ta apo për mjedisin – nga faturat që u rrotullohen mbi kokat e tyre, u kthye kundër turbinave me erë.

Rritja e çmimeve të gazit natyror ka ekspozuar dështimet endemike që ndodhin kur një treg i simuluar shartohet në një monopol natyror. Ne i kemi parë të gjitha: Sa lehtë mund të bashkëpunonin prodhuesit për të rregulluar çmimin e shitjes me shumicë. Si fitimet e tyre të turpshme, veçanërisht nga burimet e rinovueshme, i kthyen qytetarët kundër tranzicionit të gjelbër. Se si regjimi i simuluar i tregut pengoi prokurimin e përbashkët që do të kishte lehtësuar kostot e energjisë së vendeve më të varfra. Se si tregu me pakicë i energjisë elektrike u shndërrua në një kazino me kompani që spekulonin mbi çmimet e ardhshme të energjisë elektrike, duke përfituar gjatë kohëve të mira dhe duke kërkuar paketa shpëtimi nga shteti kur bastet e tyre shkojnë keq.

Është koha për të mbyllur tregjet e simuluara të energjisë elektrike. Ajo që na nevojitet, në vend të kësaj, janë rrjetet publike të energjisë në të cilat çmimet e energjisë elektrike përfaqësojnë kosto mesatare, plus një rritje të vogël. Ne kemi nevojë për një taksë karboni, të ardhurat e së cilës duhet të kompensojnë qytetarët më të varfër. Ne kemi nevojë për një investim në shkallë të gjerë si Projekti Manhattan në teknologjitë e gjelbra të së ardhmes (si hidrogjeni i gjelbër dhe fermat e erës lundruese në shkallë të gjerë në det të hapur). Dhe, së fundi, ne kemi nevojë për rrjete lokale në pronësi komunale të burimeve të rinovueshme ekzistuese (solare, erë dhe bateri) që i kthejnë komunitetet në pronarë, menaxherë dhe përfitues të energjisë që u nevojitet.


Spread the love


Leave a Reply