Konferenca e Londrës – “Kazino Politike” sui generis

Spread the love

Shkruan: Dr Koço Danaj

Nuk ka pasur Konferencë të Londrës; ka pasur një “Kazino Politike”. Në Tavolinën e kësaj kazinoje ishin vendosur Trojet Shqiptare.

Abstrakt

Fakte dhe dokumente se si u coptua kombi shqiptar ne vitet 1912-1913 nga 6 fuqitë e mëdha europiane (Britani e Madhe, Francë, Rusi, Itali, Gjermani, Austro-Hungari).

Coptimi i parë ndodhi  në ate që deri më sot është emërtuar si Konferenca e Londrës 1912-1913, por që nga pohimet e pjesmarrësve rezulton të ketë qenë, çdo gjë, me përjashtim të fjalës Konferencë. Emri më i saktë për atë është: Kazino Politikë mbi të cilën ishin vendosur trojet shqiptare.

Coptimi i dytë dhe më makabër ndodhi në 25 prill 1915, kur përsëri, po në Londër, me firmat e katër përfaqësuesve të Londrës 1913, u ricoptuan përsëri trojet  shqiptare vetëm që Italia të bëhej pjesë e treshes Britani e Madhe, Francë dhe Rusi. 

Hyrje

Në pamundësi për të studjuar Proces-verbalin e kësaj mbledhje për shkak se ajo vendimin e parë që mori, ishte që të mos mbante proces verbal, janë shfrytëzuar librat e pjesmarrësve të shkruara më vonë. Në këta libra, ata flasin  hapur se si e coptuan kombin shqiptar, që sapo kishte shpallur pavarsinë e Shqipërisë Natyrale.

Më kryesori është ai mbi Kujtimet e Drejtuesit të mbledhjes Edwards Grey, botuar  në vitin 1927 nga shtëpia botuese Payot. Po keshtu janë shfrytëzuar libri i ambasadorit francez Pol Kambon mbi Luftën ballkanike, Telegramet e ambasadorit rus Becnkendorff si dhe Ditarët e ambasadorit italian Imperiali.

Të gjithë bashkohen në dy çështje kryesore:

E para: Të mos njihet Kuvendi i   Vlorës i 28 Nëntorit 1912,  që 18 ditë para fillimit të takimit të Londrës, shpalli Pavarsinë e Shqipërisë Natyrale;

E dyta: Trojet shqiptare të përdoren si plaçkë tregu për të kënaqur fituesit e Luftës së Dytë Ballkanike – Sërbisë, Greqisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë.

Konkluzioni i analizës është: Nuk ka pasur Konferencë të Londrës. Ka pasur një “Kazino Politikë”. Në Tavolinën e Kazinosë ishin vendosur Trojet Shqiptare.

Ja disa fakte:

… “Traktati i vendosur pas Luftës Ballkanike ishte një rregullim force dhe jo drejtësie.

                                                                                                            Edward Grey

….Më takoi përgjegjësia e drejtimit, por ne vendosëm t`i thjeshtojmë procedurat dhe të bënim një Komitet Miqsh, ashtu siç edhe ishim. Ne mblidheshim pasditeve, zakonisht rreth orës 4 dhe diskutonim deri rreth orës 6 ose shtatë me një pushim të vogël çaji……..

                                                                                                            Edward Grey

            (…) Po ta mendosh mirë, roli im personal në këtë Konferencë dukej pa ngjyra dhe shumë banal (…)

            (…) Ne nuk kishim përcaktuar asgjë, as detajet e kufijve shqiptarë, e megjithatë ne kishim bërë një punë të dobishme: ne kishim qenë mjeti i mbajtjes së gjashtë fuqive të mëdha në kontakt direkt dhe miqësor (…)

                                                                                    Edward Grey

            (…) Ballkanikët tanë ikën, por mbetën pa u zgjidhur problemet më të rënda, kufijtë e Shqipërisë dhe ishujt e Detit Egje (…)

                                                 (Pol Cambon, Correspondance, faqe 51)

            (…)     Në Shqipëri nuk më duket se situata po qartësohet….Beckendorf që e njeh mirë familjen e Princ Vidit, mbretit të ardhshëm të Shqipërisë, thotë se ai e ka humbur pasurinë, i ka apo nuk i ka 30 mijë marka të ardhura. Ai shton gjithashtu se Vidët prej brezash  nuk janë shquar për  inteligjencë. Kjo shpiegon edhe pranimin e menjëhershëm të Fronit të Shqipërisë (…)

                                                (Kambon, Correspondance, faqe 37,)

(…)     Në qoftë se Italia merr Trentinon dhe Istrinë në përputhje me nenin 4, Dalmacinë dhe ishujt e Adriatikut brënda kufijve të shenuar në nenin 5 dhe Gjirin e Vlorës, dhe nëqoftëse pjesa qëndrore e Shqipërisë rezervohet për të formuar një shtet të vogël autonom të neutralizuar, ajo nuk do të ketë kundërshtim që pjesët veriore dhe jugore të Shqipërisë të ndahen po qe se këtë e dëshirojnë Franca, Britania e Madhe dhe Rusia, midis Malit të Zi, Sërbisë dhe Greqisë (…)

(…)     Italia do të ngarkohet të përfaqesojë shtetin e Shqipërisë në marrdhëniet e saj me botën e jashtme (…)

Italia pranon nga ana tjetër të lërë në çdo rast në lindje të Shqipërisë një teritor të mjaftueshëm për të siguruar qënien e një kufiri të përbashkët midis Greqisë dhe Sërbisë në perëndim të Liqenit të Ohrit (…)

Neni 6

Italia do të marrë sovranitetin e plotë mbi Vloren, Ishullin e Sazanit dhe territorin përreth.

Neni 7

Pjesa qendrore e Shqipërisë është e rezervuar për krijimin e një shteti të vogël të pavarur autonom dhe Italia nuk do të kundërshtojë ndarjen e Shqipërisë së Veriut dhe Jugut midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë.

Traktati i fshehtë i Londrës, 1915, që coptoi tërësisht kombin shqiptar, vetëm që Italia të hynte në luftë përkrah Anglisë, Francës dhe Rusisë.

Firmosur nga Grey, Kambon, Benckendorff dhe Imperiali më 25 Prill 1915

Memorandum i qeverisë së përkohshme të Vlorës drejtuar

“Konferencës” së Londrës

2 Janar 1913

Të nënshkruarit, përfaqësues të Qeverisë së Përkohshme Shqiptare, kanë nderin ti parashtrojnë Mbledhjes së Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër pikëpamjen shqiptare dhe të vënë në dijeni të tyre kërkesat e ligjshme të Shqipërisë. Eshtë një fakt historikisht i pranuar se populli shqiptar përbën grupimin etnik më kompakt, më homogjen dhe më të rëndësishëm të Gadishullit Ballkanik. Prejardhja dhe gjuha e tij, zakonet dhe karakteri i tij e dallojnë plotësisht nga racat që janë fqinjë me të…
Populli shqiptar… frymëzohet nga nevojat lokale dhe nga ndjenjat e popullsive fqinje në Ballkan për të deklaruar se paqja dhe qetësia e gadishullit do të sigurohen vetëm nëqoftëse do ti jepet Shqipërisë së ardhëshme një konfiguracion homogjen. Duke u nisur nga kjo, populli shqiptar kërkon për vendin e vet, kufijtë që janë për të të natyrshëm dhe që imponohen si nga kushtet etnike ashtu edhe nga e drejta e tij si banues i parë…
Kufijtë që ne rivendikojmë janë ata që do të shkojnë gjatë një vije demarkacioni që niset nga kufijtë e tanishëm të mbretërisë malazeze dhe që përfshijnë sidomos bashkë me hinterlandet e tyre, qytetet e Pejës, të Mitrovicës, të Prishtinës, të Shkupit dhe të Manastirit deri në Mecovë duke ruajtur kufijtë e tanishëm deri në Prevezë. Populli shqiptar duke rivendikuar këtë caktim kufijsh ka vetëm një qëllim: të ketë me fqinjët e tij marrëdhenie sa të përzëmërta aq edhe të qëndrueshme…

Pikërisht këtë të ardhme Shqipëria, duke dëshiruar edhe ajo të bashkëpunojë në veprën e përparimit të përgjithshëm dhe të zërë vëndin e saj në bashkësinë e popujve të qytetëruar, kërkon me këmbëngulje që t’ia garantojnë Fuqitë e Mëdha të Evropës.

Nënshkruar nga Rashih Dino, Mehmet Konica, Filip Noga.

Preambula e Kushtetutës së Shqipërisë, miratuar me Referendum Popullor në nëntor 1998 dhe  e miratuar nga nga SHBA, BE dhe  Komisioni i Venecias

Ne, Populli i Shqipërisë, krenar dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut,

me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror;

me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar;

me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit;

Vendosim këtë Kushtetutë…

Rezolutë e Konferencës së Bujanit

31 dhjetor 1943 -2 janar 1944

1. Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit janë të banuar kryesisht me shqiptarë.

2. Shqiptarët e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, si gjithmonë, dëshirojnë bashkimin me Shqipërinë.

3. Rruga më e mirë për shqiptarët që të bashkohen me Shqipërinë është lufta e përbashkët me popujt tjerë të Jugosllavisë.

4. Populli shqiptar i Kosovës do të ketë mundësi të caktojë fatin e vetë si rezultat i luftës kundër pushtuesit.

5.Përcaktimi i fatit të vetë përfshin edhe të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje.

6. Kjo e drejtë garantohet nga LNÇ e Jugosllavisë, Shqipërisë dhe nga aleatët e mëdhenj antifashist, ashtu siç është premtuar nga Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe Teheranit.

Betimi i luftëtarit të UÇK

1996

“Unë, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre. Do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë, pa kursyer as jetën time, të luftoj për t`i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe në se tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im. Betohem! Betohem! Betohem!”


Spread the love