Konsolidimi i sovranitetit shtetëror të Kosovës përmes forcimit të kapaciteteve ushtarake

Spread the love

Nga Dr. Avdylkadër Muçaj

Prishtinë, 24 gusht – Ditë më parë u publikua raporti i Wilson Center me bazë në Washington D.C. të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qendër kjo që merret me hulumtimin dhe analizimin e politikave globale, rreth konsolidimit të sovranitetit të Kosovës. Lehtësisht mund të kualifikohet si njëri nga raportet më domethënës mbi tematikat e elaboruara, për shkak të qartësisë, argumentimit, si dhe mesazheve që ky raport mbart.

Që në krye të herës, raporti vë në spikamë përkushtimin e shtetit të Kosovës për një shoqëri të pavarur, demokratike, multietnike dhe e gatshme për bashkëjetesë paqësore në Ballkanin Perëndimor. Kurse në anën tjetër, qeverisja autoritare dhe destruktive në Serbi nuk ka përkushtim të ngjashëm, përkundrazi.

Përveç të tjerash, si çështjet politike dhe qasjen e re në dialogun Kosovë Serbi, ku palët duhet të jenë të barabarta dhe njohin sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës, raporti një vëmendje të posaçme ua kushton edhe çështjeve ushtarake.

Rrugët që Kosova duhet ndjekur në konsolidimin dhe ruajtjen e sovranitetit shtetëror, sipas rekomandimeve të raportit janë më se të qarta: (i) Forcat e Sigurisë së Kosovës duhet arritur kapacitetet e plota të një ushtrie moderne deri në vitin 2027; (ii) angazhimi i shtetit të Kosovës me synim që deri në vitin 2027 të anëtarësohet në NATO; dhe (iii) në alternativë, në rast të kundërshtimit të pakalueshëm të anëtarësimit në NATO, Kosova të nënshkruajë Traktat të Mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe disa shtete evropiane.

Sidoqoftë, ky raport duhet parë dhe analizuar edhe mbi dritën e zhvillimeve të fundit në Afganistan, pas largimit të trupave amerikane pas njëzet vjetëve qëndrimit atje, dhe rrënimit të të gjitha përpjekjeve dhe investimeve që ishin bërë për dy dekada nga vendet e NATO-s, me në krye SHBA-në. Referuar publikimit të vitit 2019 të “The New York Times”, investimet apo shpenzimet e përgjithshme të SHBA-së në Afganistan prekin shumën e 2 trilionë dollarëve amerikanë. Ky investim dhe përkushtimi i bërë për 20 vjet u rrënua në më pak se 20 ditë, fatkeqësisht.

Shumëkush me të drejtë pyet këto ditë se i kujt është ky dështim kolosal? Përgjigjet janë të ndryshme, si vendimin për tërheqje dhe veçanërisht mënyrën e tërheqjes së trupave amerikane. Mirëpo, dështimi duhet faturuar para së gjithash dhe mbi të gjitha, pushtetarëve afganë që udhëhoqën vendin e tyre për këta 20 vjet. Përkundër të gjitha atyre investimeve diplomatike, ushtarake dhe financiare, nuk arritën të dalin nga top-lista e vendeve më të korruptuara në botë.

Sido që të jetë, mësimi që vende të ndryshme anë e kënd botës duhet të marrin, e veçanërisht Kosova, është se pavarësisht përkushtimit, ndihmës dhe përkrahjes shumëdimensionale që aleatët kanë dhënë në të kaluarën dhe mund të japin edhe në të ardhmen, përgjegjësia kryesore në fund të ditës për dështimin apo suksesin e një vendi në transicion, bie mbi vendorët.

Vendet të cilat janë çliruar nga një regjim si rezultat i ndërhyrjes ushtarake nga jashtë, këtë ndihmë duhet parë të kufizuar në kohë. Vetëm vendasit nuk janë të kufizuar në kohë, në raport me përkushtimin dhe ruajtjen e vendit të tyre.

Bashkudhëtarët e regjimit të Milosheviçit, siç duket janë ekzaltuar nga rasti i Afganistanit, duke shpresuar në skenarë të ngjashëm edhe në Kosovë. Nuk duhet të habitemi aspak me një qasje të tillë në Serbi, sepse kjo ka qenë, është dhe do të jetë ëndrra dhe përkushtimi i tyre. Ajo që në themel duhet neve të na preokupojë është angazhimi dhe përkushtimi ynë që Kosova të qëndrojë në këmbë dhe e pacenuar, në cilindo skenar, qoftë me prezencë të NATO-s, qoftë pa të.

Ashtu siç e konfirmon rasti i Afganistanit, por jo vetëm, asnjë vend në botë, duke mos përjashtuar as Kosovën, nuk duhet mjegulluar nga iluzioni se ekzistenca si shtet i lirë dhe demokratik, pafundësisht do të sigurohet nga të tjerët, kështu, duke “amnistuar” veten nga përgjegjësia kryesore shtetërore, konsolidimi dhe ruajtja e sovranitetit shtetëror.

në mënyrë që të mos ngjizet iluzioni te fqinjët tanë i një skenari të ngjashëm edhe në Kosovë, shteti ynë ka disa rrugë për të ndjekur, por vetëm njëra është e paalternativë.

Opsioni i parë, ngjashëm siç rekomandohet nga raporti i Wilson Center është arritje e kapaciteteve të plota ushtarake të FSK-së dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO, brenda një periudhe relativisht të shkurtër. Anëtarësimi eventual i Kosovës në NATO do të konsolidonte mjaftueshëm sovranitetin e Kosovës, sa për të mbajtur larg çdo opsion për cenim të sovranitetit.

Opsion i dytë, në koordinim me aleatët tanë strategjik, duhet konsiderohet nënshkrimi i Traktatit të Mbrojtjes mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe disa vendeve tjera evropiane. Një opsion i tillë është treguar i suksesshëm në Azi, si në rastin me Korenë e Jugut dhe Japoninë.

Opsioni i tretë, i cili duhet të jetë kryefjala në cilindo skenar, është forcimi i Ushtrisë së Kosovës. Nëse dy opsionet e para janë alternative, forcimi i Ushtrisë së Kosovës është i paalternativë. Edhe sikurse të ndodhte njëri nga dy opsionet e lartcekura, pra anëtarësimi në NATO ose Traktati i Mbrojtjes, një ushtri e mirëfilltë e Kosovës është parakusht. Ushtri e mirëfilltë, mes të tjerash, nënkupton një forcë të mirëtrajnuar dhe të mirëpajisur.

Pasja e një ushtrie të gatshme për të mbrojtur dhe garantuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, me shumë gjasë do të ndikonte në frenimin e ambicieve të shteteve të tjera për të cenuar në një formë apo tjetër sovranitetin e vendit tonë. [Koha / ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply