Kriza e autokracive

Spread the love

Kriza e autokracive

Nga Roberto Fabbri

Është një fakt i trishtë që shumë mendje të thjeshta (dhe fatkeqësisht edhe shumë që nuk janë të tillë) tundohen nga rruga e shkurtër e Njeriut të Fortë që zgjidh çdo problem: një iluzion ky i bazuar në gabimin e rëndë të të dëshiruarit të modeleve alternative për demokratët në vendin tonë.

Por ata do të bënin mirë t’i hidhnin një sy se çfarë po ndodh, këtu dhe tani, me popujt që varen tërësisht nga vullneti dhe teka e dikujt. Lajmi kërkon që ne ta nisim analizën nga Kina, ku intoleranca e banorëve të qyteteve të mëdha ndaj bllokimeve të vazhdueshme dhe tejet të ashpra të vendosura për të kontrolluar Covid-19, po ndez protesta të papritura.

Dhe pikërisht në një vend ku për të përfunduar në burg mjafton që të aludosh një kritikë ndaj pushtetit të përjetshëm absolut të Partisë Komuniste, mijëra njerëz guxojnë të dalin në rrugë për të kërkuar edhe dorëheqjen e presidentit Xi Jinping.

Në fillim do të ishin mjaftuar vetëm me lehtësimin e masave mbytëse të sigurisë. Tani kush e di. E sigurt është se për regjimin po bien kambanat e alarmit, dhe është me vend të thuhet se mund të ketë një gjakderdhje të madhe si në Tiananmen në vitin 1989.

Në Rusi, 9 muajt e një lufte të keq-konceptuar kundër Ukrainës po prodhojnë, përveç 100 mijë të vdekurve dhe të plagosurve, telashe të papritura për autokracinë e Vladimir Putinit. Ashtu si në Kinë, atje mungojnë opinioni publik i informuar dhe opozita e organizuar.

Por diktatori mund të rrëzohet për shkak të pakënaqësisë në rritje në rrethin e tij të brendshëm, që po humbet privilegjet e tij luksoze. Në Bjellorusinë vasale, asimilimi nga Rusia e Putinit, në një formë që ai ka në mendje edhe për Ukrainën (por dhe më gjerë) ka ndodhur tashmë pa luftë, dhe “vdekja misterioze” e Ministrit të Jashtëm Makei duket si një paralajmërim i keq për diktatorin Llukashenko: merrni njerëzit tuaj të pahijshëm: fut në luftë popullin tënd ose do të përfundosh si ai.

Në Iran, pas 43 vitesh sundim obskurantist dhe fanatik shiit, një vend aleat i Kinës dhe Rusisë, brezave të rinj po i soset durimi: ashtu si ukrainasit, ata preferojnë vdekjen duke  luftuar kundër skllavërimit ndaj një pushteti shumë të korruptuar dhe të dhunshëm.

Ajatollah Khamenei rrezikon që të përfundojë si Shah Reza Pahlevi, i cili u arratis jashtë vendit në vitin 1979 për t’i shpëtuar dallgës së zemërimit popullor. Dhe pastaj është Kuba, një vend i varfër dhe pa liri prej 60 e ca vitesh.

Askush nuk flet për të, por një revoltë e vazhdueshme me intensitet të ulët ka vazhduar për muaj të tërë, me protesta në rrugë të shtypura me dhunë nga policia, dhe me arratisje masive nga deti drejt Floridës. Diktatori Diaz-Kanel, trashëgimtar i vëllezërve Kastro, varet nga donacionet e Putin dhe Xi Jinping. [Il Giornale – Bota.al]


Spread the love


Leave a Reply