Kufijtë e miqësisë “Pa kufi” të Rusisë dhe Kinës

Spread the love

Kufijtë e miqësisë “Pa kufi” të Rusisë dhe Kinës

Nga Anna Kireeva*

Samiti në fillim të shkurtit midis presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij kinez Xi Jinping gjatë Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 erdhi në mes të një krize tjetër në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin. Putin dhe Xi nuk ishin takuar që nga fillimi i pandemisë COVID-19, por takimi theksoi një dëshirë të përbashkët për të thelluar bashkëpunimin. Arritjet kryesore ishin në gjeopolitikë dhe energji. Kina demonstroi një kuptim të fortë të shqetësimeve të sigurisë së Rusisë mbi NATO-n, por nuk pati zhvillime thelbësore.

Kina shprehu miratimin e saj për politikën e Moskës përballë NATO-s dhe Perëndimit – kryesisht për shkak të shqetësimeve të përbashkëta rreth politikës së SHBA-së. Deklarata e përbashkët Rusi-Kinë potencoi se marrëdhënia tejkalon një aleancë dhe se nuk ka fusha të ndaluara bashkëpunimi. Të dy shtetet demonstruan mbështetje diplomatike dhe politike për njëri-tjetrin për të përforcuar pozicionin e tyre ndërkombëtar në sfondin e dinamikave të trazuara globale dhe rajonale. Në bilanc, samiti ishte tregues i shtrirjes në rritje të bashkëpunimit midis Moskës dhe Pekinit, por ai nuk arriti të sjellë një ndryshim drastik në marrëdhënie.

Retorika e kundërshtimit të aleancave ushtarake, blloqeve dhe institucioneve ekskluzive, si dhe rregullave dhe normave të artikuluara nga disa të zgjedhur – si dhe sistemi i mbrojtjes raketore të SHBA-së – nuk është aspak e re për deklaratat e përbashkëta Rusi-Kinë. Nuk është e re as kritika jo aq e mbuluar ndaj Shteteve të Bashkuara për veprimin  hegjemon dhe strategjinë e ndjekur nga ana e tyre për Indo-Paqësorin. Duke ndjekur këtë logjikë, nuk është për t’u habitur që Moska dhe Pekini artikuluan shqetësimin e tyre për AUKUS-in, të cilin ata e shohin si përkeqësim të sigurisë rajonale, duke shkaktuar një garë armësh dhe duke krijuar rreziqe serioze për regjimin e mospërhapjes.

Deklarata e përbashkët përfshinte gjithashtu pozicionimin e qartë të mbështetjes ruse për politikën e “një Kine”, duke deklaruar se Tajvani është pjesë e patjetërsueshme e Kinës. Por ky pozicion ka precedent që daton që nga deklaratat e përbashkëta të viteve 1990-ta dhe Traktati i 2001 për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim miqësor.

Ajo që ishte vërtet e re ishte mbështetja e Kinës për qëndrimin e Rusisë kundër zgjerimit të NATO-s. Në deklaratë thuhet se Kina respekton dhe mbështet propozimet e Rusisë për garanci afatgjata ligjërisht të detyrueshme të sigurisë në Evropë, një referencë e qartë për dokumentin që Rusia i dorëzoi Shteteve të Bashkuara dhe Evropës në dhjetor 2021. Edhe pse një hap i tillë nga udhëheqja e Kinës tregon qartë një niveli më të madh të mbështetjes diplomatike për Moskën, nuk ka gjasa të zhvillohet në ndonjë gjë më të thellë.

Ndërsa Moska dhe Pekini ndiejnë presion nga Perëndimi në të njëjtën kohë, ata priren të jenë më mbështetës për njëri-tjetrin. Megjithatë, kjo nuk mund të transformojë marrëdhënien në diçka më formale.

Në vend që të hyjnë në një aleancë të plotë ushtarake, duket më e mundshme që Moska dhe Pekini mund të përmirësojnë bashkëpunimin e tyre të sigurisë dhe të përmirësojnë ndërveprueshmërinë pa ndonjë detyrim formal. Rusia nuk ka dëshirë të përfshihet në konfliktet e shumta të Kinës në Azi dhe preferon të mbajë një qëndrim neutral. E njëjta gjë është e vërtetë për konfliktet e Kinës dhe Rusisë me NATO-n – Pekini vlerëson bashkëpunimin e tij ekonomik me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara dhe nuk ka dëshirë të futet në kurth në konfliktin për Ukrainën.

Kriza ushtarake në Ukrainë e vendos Kinën në një pozitë të vështirë pasi ajo përpiqet të shmangë miratimin ose dënimin e veprimeve të Moskës duke theksuar zgjidhjen paqësore, nuk kritikon Rusinë ose i quan veprimet e saj me emrin e vet, kundërshton sanksionet perëndimore dhe ia vë fajin Shteteve të Bashkuara për dështimin e marrëveshjes së Minskut. Këto deklarata përfaqësojnë mirëkuptimin e Kinës për veprimet e Rusisë, por nuk janë shenja të mbështetjes së drejtpërdrejtë ose asgjë tjetër përveç vullnetit të mirë diplomatik. Mbetet për t’u parë se sa e çfarë mbështetje ekonomike do të jetë e gatshme t’i ofrojë Kina Rusisë dhe si do të sillet me subjektet ruse nën sanksionet amerikane dhe evropiane, duke marrë parasysh rëndësinë shumë më të madhe të bashkëpunimit të saj ekonomik me Perëndimin dhe sfidën e sanksioneve dytësore që do të preferonte të shmangte. Nga ana tjetër, ekziston një pikëpamje se, me një numër në rritje të kompanive kineze të shënjestruara nga sanksionet amerikane, Kina mund të jetë më e rehatshme për të bashkëpunuar me Rusinë, duke përfshirë importimin e më shumë burimeve natyrore dhe eksportimin e mallrave të saj të prodhuara për të mbushur tregun e liruar nga evropianët dhe amerikanët.

Axhenda ekonomike e vizitës, me dy marrëveshje energjetike, nuk duhet anashkaluar. Një marrëveshje midis Rosneft dhe Korporatës Kombëtare të Naftës së Kinës (CNPC) kërkon që Rusia të eksportojë 100 milionë tonë naftë gjatë 10 viteve të ardhshme nëpërmjet Kazakistanit. Nafta do të përpunohet në veriperëndim të Kinës. Kontrata e dytë, midis Gazprom dhe CNPC, fokusohet në eksportin e Rusisë prej 10 miliardë metra kub gaz natyror nga Lindja e Largët Ruse. Së bashku me tubacionin e gazit Power of Siberia, ai do të arrijë në 48 miliardë metra kub eksporte gazi natyror në vit.

Këto marrëveshje janë rezultat i negociatave të gjata që pasqyrojnë një partneritet në zgjerim të energjisë dhe politikën e Rusisë për të diversifikuar eksportet e saj për ta bërë Azinë një nga klientët e saj kryesorë. Kina, me kërkesën dhe afërsinë e saj në rritje për energji, është një partner natyror i energjisë. Nga ana tjetër, Pekini është më se i lumtur të diversifikojë burimet e veta të importeve të energjisë. Eksportimi i naftës dhe gazit natyror në Kinë po rezulton të jetë edhe më i rëndësishëm për Rusinë, sepse eksportet e saj në Evropë do të tkurren pas konfliktit ushtarak në Ukrainë.

Siç përmendi Xi gjatë bisedimeve, qarkullimi tregtar midis Rusisë dhe Kinës në vitin 2021 arriti në 140 miliardë dollarë – një rekord i ri krahasuar me 110 miliardë dollarë amerikanë para pandemisë. Është gjithashtu një rritje prej 35 për qind nga viti 2020. Por pavarësisht retorikës pozitive, marrëdhëniet ekonomike kanë ende një rrugë të gjatë për të bërë.

Ndërsa të dy marrëveshjet energjetike do t’i ndihmojnë të dy shtetet të arrijnë objektivin prej 200 miliardë dollarësh në tregti deri në vitin 2024, ato vështirë se janë të dobishme në ndryshimin e karakterit të çekuilibruar të marrëdhënieve ekonomike. Rritja e qarkullimit tregtar në vitin 2021 vjen pas rritjes së çmimeve të energjisë. Megjithë përpjekjet e Rusisë për të ‘zh-dolarizuar’ tregtinë dypalëshe, vetëm rreth 30 për qind kryhet në monedha kombëtare, me euron që merr pjesën më të madhe të saj (48 për qind në 2021). Aktualisht, transaksionet financiare midis bankave kineze dhe atyre të pasanksionuara ruse po vazhdojnë në mënyrë të rregullt. Megjithatë, sanksionet financiare amerikane dhe evropiane dhe vështirësia e konvertimeve rubla-dollar dhe rubla-euro po stimulojnë bankat e Rusisë dhe Kinës që të përdorin monedhat kombëtare në një mënyrë më të madhe se më parë. Ristrukturimi i bashkëpunimit ekonomik dhe fillimi i zinxhirëve të avancuar të vlerës dhe sipërmarrjeve të teknologjisë së lartë nuk do të jetë një detyrë e lehtë duke pasur parasysh sanksionet e fundit perëndimore kundër Rusisë. [Përktheu: ISHGJ]

*Rreth autorest: Anna Kireeva është profesore e asociuar në Departamentin e Studimeve Aziatike dhe Afrikane dhe Kërkimore në Qendrën për Studime Gjithëpërfshirëse Kineze dhe Projekte Rajonale të Institutit Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë (Universiteti MGIMO).


Spread the love


Leave a Reply