Kurti nuk e pranon Bashkësinë e Komunitetit Serb si kusht për marrëveshje

Spread the love

Kurti nuk e pranon Bashkësinë e Komunitetit Serb si kusht për marrëveshje

Kryeministri kosovar e refuzon Bashkësinë e Komunave Serbe si kusht për marrëveshje me Serbinë. Bashkësia nuk ishte përmendur në draftin e parë

Nga Adelheid Wolfl

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin me negociatorin e BE-së, Miroslav Lajçak, ka bërë të qartë se qeveria e Kosovës nuk do të pranojë krijimin e një Bashkësie të Komunave Serbe si kusht për marrëveshjen me Serbinë. Qeveria e Kosovës e kundërshton krijimin e një asociacioni të tillë, duke u frikësuar se mund të krijohet struktura që do t’i mundësonte Serbisë të ushtrojë ndikim në shtetin fqinj dhe të minojë sovranitetin shtetëror. Politikani serb i Bosnjës Milorad Dodik së fundmi ngriti shqetësime shtesë, duke thënë se Bashkësia e Komunave Serbe në Kosovë një ditë do të ishte si pjesa boshnjake e Republikës Srpska (RS), pra me një autonomi shumë të gjerë.

Bashkësia e Komunave Serbe ishte negociuar mes Serbisë dhe Kosovës në vitin 2013, por nuk u zbatua kurrë sepse nuk ishte krijuar statut për të. Kurti tani i tha Lajçakut se asnjë nga dhjetë nenet e propozimit franko-gjerman nuk duhet t’i jepet përparësi, përfshirë atë që ka të bëjë me Bashkësinë e komunave. Serbia nga ana tjetër kërkon që fillimisht të formohet Bashkësia e Komunave Serbe. Me sa duket Kuinti (SHBA, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe) i bënë lëshime qeverisë serbe në versionin e dytë.

Financimi direkt nga Serbia

Në fakt, referenca për Bashkësinë e komunave në propozimin franko-gjerman është shtuar vetëm së fundmi. Ajo nuk ishte e pranishme në versionin origjinal, siç shpjegon Daniel Serwer, një ekspert amerikan i Ballkanit nga Shkolla Johns Hopkins. Serwer flet për “shtesa të dyshimta” nga njëra anë dhe “elementë të rëndësishëm që mungojnë” nga ana tjetër. Propozimi parashikon gjithashtu që Bashkësia të financohet drejtpërdrejt nga Serbia.

“Beogradi sigurisht që mund ta përdorë Bashkësinë për të ushtruar kontroll, por Beogradi tashmë kontrollon dhe financon komunat me mbizotërim serbë nëpërmjet partisë Lista Srpska,” tha Serwer për STANDARD. E vetmja gjë pozitive e Bashkësisë do të ishte se ky kontroll dhe financim nga Beogradi do të bëhej tashmë transparent.

Asnjë bashkësi në Serbi

Megjithatë, Serwer kritikon faktin se propozimi nuk i referohet “kushtetutës së Kosovës si bazë”. Megjithatë, kjo referencë do të ishte veçanërisht e rëndësishme sepse Gjykata Kushtetuese e Kosovës tashmë ka vendosur në këtë rast dhe ka shpallur disa nga parimet e planifikuara si jokushtetuese. Por, qeveria serbe nuk dëshiron ta pranojë këtë vlerësim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Serwer kritikon edhe faktin se propozimi franko-gjerman nuk parasheh që komunat me shqiptarë brenda Serbisë të mund të krijojnë një bashkësi.

Profesori i menaxhimit të konflikteve ankohet gjithashtu se pesë vende të BE-së (Rumania, Sllovakia, Spanja, Qipro, Greqia) ende nuk e kanë njohur Kosovën. Dhjetë vjet më parë, kur po negociohej për Bashkësinë e komunave, shumë diplomatë ende po supozonin se Serbia një ditë do ta njihte Kosovën si shtet si pjesë e zgjerimit të BE-së dhe se pesë vendet e BE-së që nuk e njohën Kosovën, do të bënin të njëjtën gjë ashtu që e ardhmja mund të ndërtohet brenda BE-së. Por vështirë se dikush beson më në zgjerimin e BE-së në Ballkan, e Serbia në veçanti, meqë ajo nuk ka bërë ndonjë hap në këtë drejtim vitet e fundit.

Zgjidhje e përkohshme

Serwer gjithashtu thekson se marrëveshja e propozuar nuk i afrohet marrëveshjes bazë gjermano-gjermane të vitit 1973 ndërmjet RFGJ-së dhe RDGJ-së, sepse Kosova nuk ka asnjë shans të bëhet anëtare e OKB-së përmes marrëveshjes. Edhe mes diplomatëve që merren me traktatin, flitet vetëm për një “zgjidhje të përkohshme”. Shtetet e Bashkuara, të cilat janë kryesisht prapa propozimit, janë veçantrisht të shqetësuara për mbajtjen e gjendjes nën kontroll në Ballkan dhe gjithashtu edhe për kufizimin e ndikimit të Rusisë.

Serwer thotë se është relativisht e lehtë të bësh presion mbi Kosovën, një vend që nuk ka zgjidhje tjetër veçse të shkojë së bashku me NATO-n dhe BE-në. “Presioni ndaj Serbisë është shumë më i vogël. Presidenti serb Vuçiç luajti një lojë mbrojtëse të suksesshme, duke balancuar Rusinë dhe Kinën kundër BE-së dhe SHBA-së. Kjo lojë mund të përfundojë tani. Evropianët i kanë dhënë Serbisë një ultimatum të ashpër, përmbajtja konkrete e të cilit është e pasigurt, por lehtë imagjinohet se farë është”.

Sy hapur

Vetë Vuçiq tha këtë javë se ishte vënë në dijeni se Serbia mund të humbiste ndihmën financiare të BE-së dhe qytetarët serbë mund të rrezikonin vizën Shengen, ndërkaq investitorët gjithashtu mund të tërhiqeshin nëse ai nuk dorëzohej. Megjithatë, kjo e fundit është e vështirë të imagjinohet sepse investitorët nuk mund të kontrollohen politikisht. Vuçiq ka gjithashtu shumë aleatë dhe miq në BE – mbi të gjitha kryeministrin hungarez po aq joliberal dhe autoritar Viktor Orbán.

Mirëpo, shefi i shtetit serb mesa duket tani ka pranuar propozimin e ndryshuar franko-gjerman si bazë për negociatat me Kosovën, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani. Ai foli edhe për nevojën që Serbia të mos “gënjejë veten” dhe të “hapë sytë” dhe të kuptojë pasojat e mundshme nga refuzimi i propozimit franko-gjerman.

Pjesë e rendit juridik të Kosovës

Kurti, nga ana tjetër, është nën presion të madh nga negociatorët e Quintit për të zbatuar asociacionin e komunitetit serb. Të hënën do të publikohet një propozim nga Fondacioni gjerman Friedrich-Ebert (FES) i lidhur me SPD-në në Prishtinë. Kushtetuesja dhe njohësi i Ballkanit i Gracit, Josef Marko, shpjegon se marrëveshja për asociacionin e komunave ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nga viti 2013 është edhe sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës “pjesë e sistemit ligjor kosovar”, ndaj duhet të zbatohet.

Parimet e përgjithshme për zbatimin e marrëveshjes së vitit 2013, nga ana tjetër, janë shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe si të tilla “nuk janë akt juridik”. “Si rezultat, Gjykata Kushtetuese doli në përfundimin se disa pika të Parimeve të Përgjithshme ishin antikushtetuese dhe ndoshta mund të zbatoheshin vetëm nëpërmjet një ndryshimi të Kushtetutës dhe jo thjesht përmes një dekreti qeveritar.

Bashkësia sipas të drejtës publike

Tani bëhet fjalë për faktin se është e paqartë se si duhet të themelohet Bashkësia e komunitetit, pra çështja e statutit. Serbia dëshiron një bashkësi të komunave sipas ligjit publik, qeveria e Kosovës dëshiron një bashkësi të komunave sipas ligjit privat. Sipas Markos, asociacioni i bashkive mund të krijohet në bazë të së drejtës publike vetëm nëse respektohen nenet kushtetuese përkatëse. Sipas FES-it, propozimi i ri do të bazohet në të drejtën publike, konkretisht në një rregullore të qeverisë që rrjedh nga ligji që ratifikon marrëveshjen e parë bazë të vitit 2013.
[Adelheid Wolfl, 26 janar 2023; përktheu: ISHGJ]


Spread the love


Leave a Reply