Lëvizja e lirë e kapitalit në Ballkanin Perëndimor

Spread the love

Lëvizja e lirë e kapitalit në Ballkanin Perëndimor

Nga Dr Selim IBRAIMI

Lëvizja e lirë e kapitalit është një nga katër liritë themelore të tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian (BE). Të gjitha kufizimet në lëvizjet e kapitalit ndërmjet shteteve anëtare, dhe vendeve të treta duhet të largohen, me përjashtim në rrethana të caktuara politike dhe ekonomike. Lëvizja e lirë e kapitalit mbështet në parim edhe nga shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Duhet të kemi parasysh se lëvizja e lirë kontribuon në rritjen ekonomike dhe stabilitetin afatgjatë. Paralelisht kjo rrit rolin e BE-së si një lojtar global dhe rajonal në Ballkanin Perëndimor. Shtetet anëtare dhe ato në proces të anëtarësimit në BE, me rëndësi është që të krijojnë kushte të përshtatshme për një konkurrencë për të gjitha aktorët e biznesit shtetërorë dhe privat në hapësirën ekonomike, e cila ndryshe quhet treg i përbashkët. Në shtetet e Ballkanit Perëndimor që nga shembja e komunizmit, konkurrenca ka qenë jo e ndershme, pasi politika ka pasur rol qendror në dështimin apo suksesin e korporatave në tregun post- komunist.

Disa ndërmarrje qëllimisht u privatizuan dhe ranë në dorë të grupeve apo individëve të përafërt me qeverinë. Disa nga konkurrenca e ashpër u detyruan të falimentojnë.

Pavarësisht vështirësive, me rëndësi gjatë procesit të aderimit në BE, është që shtetet anëtare të zotohen për një lëvizje të lirë të kapitalit ashtu njëjtë si shtetet aktuale të BE. Disa nisma si “Open Balkans” (OB) dhe “Procesi i Berlinit” (PB), kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë jo vetëm të njerëzve, por edhe të kapitalit. Se sa do të bëhet kjo realitet mbetet të vërtetohet nga vendimet e përbashkëta qeveritare të shteteve pjesëmarrëse në “OB” dhe “PB”. Ditë më parë liderët e “OP” thanë se për të tejkaluar krizën energjetike është e nevojshme që të krijohet një treg i përbashkët energjetik. Këtu kjo lëvizje do të tregojë nëse më tej shtetet e “OP” do të shkojnë më thellë duke lejuar një qarkullim të kapitalit në hapësirën ballkanike.

Mirëpo, ende nuk është e qartë se a do të mund përfundimisht të realizohet ky zotim, përshkak të interesave nacionale ekonomike të shteteve hegjemoniste në Ballkan për të dominuar tregun vetëm me mallrat kombëtare të një shteti apo lëvizje të kapitalit vetëm të një shteti, ku kapitali i shteteve tjera do të mbulohej shumë lehtë nga shteti ekonomik më i fortë.

Kapitulli i IV i Acquis-it i BE-së ka të bëjë me lëvizjen e kapitalit dhe luftës kundër krimit financiar i cili më tej thotë: “Shtetet anëtare duhet të largojnë, me disa përjashtime, të gjitha kufizimet në lëvizjen e kapitalit si brenda BE-së ashtu edhe ndërmjet shteteve anëtare dhe vendeve të treta. Kapitulli përfshin gjithashtu rregulla në lidhje me pagesat ndërkufitare dhe ekzekutimin e urdhrave të transferimit në lidhje me letrat me vlerë.” Udhëzimi për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit kërkon që bankat dhe operatorët e tjerë ekonomikë, veçanërisht kur kanë të bëjnë me artikuj me vlerë të lartë dhe me transaksione të mëdha kesh, të identifikojnë klientët dhe të raportojnë transaksione të caktuara”. “Një kërkesë kryesore për të luftuar krimin financiar është krijimi i kapaciteteve efektive administrative dhe zbatuese, duke përfshirë bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse, të zbatimit të ligjit dhe prokurorisë”. 

Kohë më parë, zyrtarë nga Ballkani Perëndimor ranë dakord për udhëtimin pa kartë identifikimi midis gjashtë shteteve dhe njohjen reciproke të diplomave universitare. “Këto tre marrëveshje hapin rrugën për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor”, tha Ministrja e Jashtme gjermane Analena Baerbock. Përkundër këtyre lehtësirave, me rëndësi është që gjatë qarkullimit të lirë të kapitalit dhe lëvizjes së lirë të njerëzve të shtohen po ashtu kontrollet kundër trafikimit njerëzor dhe krimit të organizuar në rajon. Pasi kjo lëvizje e lirë sa ka përparësi aq mund të jetë e rrezikshme në qoftë se do të keqpërdoret për qëllim tregtie të zezë apo edhe të terrorizmit.


Spread the love


Leave a Reply