LIRIA, MARRËDHËNIET, PAQJA DHE SIGURIA

Spread the love

LIRIA, MARRËDHËNIET, PAQJA DHE SIGURIA

Nga Dr. Sulejman Abazi NESHAJ*

Ndihem i lumtur që më jepet rasti në këtë auditor të mrekullueshëm, të shfaq disa mendime mbi paqen dhe sigurinë, këtë binom historik, i cili rrugëton tragjikisht në rrjedhat e historisë së njerëzimit. Paqja dhe siguria në botë, janë detyrimi human i njerëzve të mirë në shërbim të jetës së njeriut. Në këtë fjalë modeste, edhe pse do të përdorë disa terma akademike, jam i bindur se do të më kuptoni. Jashtë natyrës time nuk do të përdorë referenca, për të shprehur atë që ndjejmë së bashku për nevojën jetike të sigurisë njerëzore. Po e trajtoj thjeshtë, për mos ta shfaqur problemin të vështirë.

1. Po përballemi me një situatë globale e rajonale të frikshme. Kontrasti i koncepteve dialektike, i vendosur sot midis dy esktremeve, po kthehet gradualisht në një të ashtuquajtur ekuilibër dhe harmoni ngatërrestare, duke e larguar në mënyrë të qëllimshme vëmendjen nga plagët më të rënda që përjetojnë përpjekjet për të mbajtur traun e ekuilibrit botëror, në mungesë të  paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Pandemia dhe së fundi lufta në Ukrainë, shfaqën hapur krizën financiare që ka mbërthyer botën. Ajo këtë herë rrugëzgjidhjet nuk i kërkoi në mënyrën tradicionale, por duke e hedhur barrën mbi njerëzit e thjeshtë. Kriza energjitike dhe ushqimore, tendenca për marrjen e territoreve, janë kthyer në mankth për njerëzimin, deri në mbijetesë. Në politikën dhe diplomacinë globale po imponohen rregulla të reja loje. Ato na tregojnë hapur qëllimin: Asgjë nuk do të jetë më si më parë. Këtu fillon gjithçka, sepse këto rregulla të mbijetesës, e kanë kthyer mjedisin global, rajonal dhe kombëtar në elemente që nuk gjenerojnë paqe dhe siguri, por i konsumojnë ato me rrezikshmëri të lartë. Këtu duhet të marrë jetë zanafilla e mendimit dhe disiplinës logjike. Atje ku e vërteta absolute nuk mund të shpjegohet, ajo do të nxisë kaosin, nën presionin psikologjik të ekzistencës. Ndodhemi brenda logjikës për ta kuptuar etikën e qeverisjes globale, të luftës së pamëshirshme për burime energjie dhe rindarje kundër ribërjes. Prej pandemisë dhe kërcënimit të botës me luftë, asgjë nuk do të jetë si më parë. Po shkelim në epokën e postmodernitetit, duke hyrë në dimensionin e nevojës së rendit të ri botëror! Cila do të jetë e ardhmja e paqes universale në një situatë të re, me sytë nga OKB, nga një mori federatash e organizatash paqësore, të cilat nuk mund të kalojnë “caqet” dhe “vijat e kuqe” të interesave gjostrategjike globale të fuqive të mëdha që diktojnë në Këshillin e Sigurimit?  Mos vallë jemi në pragun e eksperimentimit më të fundit të modelit të qeverisjes me dhimbje dhe konsum të lartë të frymës paqësore, duke realizuar synimet ekspansioniste pikërisht nën emrin e saj? Çfarë na mungon t’ia arrijmë të kundërtën e kësaj që përjetojmë? Mospërputhja e parë, që e mban afër dhe larg konfliktin social, është dallimi ndërmjet kulturës së njerëzimit dhe kulturës kombëtare. Të largojmë sadopak perden e syrit, të shikojmë pastër, atje ku buron drita paqësore e shpirtit të njeriut. Pa liri nuk ka marrëdhënie dhe pa marrëdhënie nuk ka liri. Atje ku mungon liria, mungon paqja njerëzore. Vetëm individi në liri jep arsyetime, këshilla dhe gjykime për progresin. Liria dhe shpërfillja e të drejtës universale, mbartin mes tyre kundërshtime serioze.
A jemi ne njerëz të lirë që ta bëjmë këtë?! Përballemi me marrëdhënie të tensionuara, shpesh të vdekura midis shteteve dhe popujve, një shoqëri e ndarë në dy kampe. Ky është çekiçi që rreh pa pushim mbi kudhër. E thënë më shkurt, situate shfaqet si aktori në cirk që ecën mbi fije të perit. Gjendja psikologjike na nxit të kemi sy të shikojmë e vesh të dëgjojmë, përballë mizerabilitetit, duke vazhduar të ndëshkojmë pa kriter njeri – tjetrin. Na kanë mbetur vetëm duart për të durtrokitur në samite, për t’i shtrënguar ato pa zgjidhje për paqe dhe siguri të qëndrueshme. Në Ukrainë masakrohet një popull kur në mes të Kievit është inaguruar “Gongu i Paqes”. Kush ia vuri veshin kësaj?! Indoktrinimi politiko – ideologjik i shoqërisë ka sjellë humbjen e identitetit dhe dinjitetit të individit, duke u përfshirë pa rrugëdalje në identitetin e turmës së shtypur dhe të dhunuar. Nga Abat Rigoberto perifrazoj: “O zot më jep guximin të ndryshoj ato gjëra që mund të ndryshohen dhe më jep durimin, t’i pranoj ato që nuk ndryshohen dhe më jep mençurinë, të dalloj të parat nga të dytat”. Në këtë botë gjërat për t’i ndryshuar janë aq të shumta, sa ato po shfaqen pa fund. Në çdo çast jemi të rrethuar nga të vërtetat tona. Ne jetojmë në një shoqëri pothuajse të zhveshur nga çdo tipar human e njerëzor dhe ky është fundi, apo fundi i fundit, ku qënia humane (njeriu), nuk po di ku shkon dhe ku në fakt duhet të ndalojë. Sa më shumë po përpiqemi të ndryshojmë në emër të paqes, sigurisë dhe humanizmit, aq më shumë po shfaqemi si e njeta gjë. A thua se po shfaqemi si shoqëri primitive, ku terrori psikologjik i “butonit të kuq” po na nxjerr gjumin natën?! Po përballemi me shtete dhe politika agresive, të cilat bluajnë çdo ditë si mulli kafeje dinjitetin dhe personalitetin e njeriut dhe shoqërisë. Po përballemi me situatë kaotike, ku në emër të paqes, sigurisë dhe jetës, njeriut do ti duhet të mendojë dhe mësojë. Kaq e thjeshtë, por shumë e komplikuar.

2. Jetojmë në Ballkan, i cili ende vazhdon të konsumojë paqen dhe sigurinë
Ndikimet e fundit në gjeopolitikën rajonale çojnë në pragun e rilindjes së modelit të ri ballkanik, ku për shkak të pabarazive, rreziqeve dhe kërcënimeve, duhet të mendojmë pozitivisht për dobishmërinë e paqes dhe stabilitetit drejt humanizmit njerëzor. Çdo ditë që kalon na bind për të qenë të vetëdijshëm për gjithçka në interes të paqes, sigurisë dhe progresit. Me idealizmin tonë jemi bërë pjesë e ligjërimeve me gjuhë tokësore, qiellore e hyjnore, por kjo nuk mjafton. Ndihemi të pasigurtë, nën diktatin dhe presionin e modelit të autorëve idiotë që sot mbajnë peng jetën tonë! Ballkani është ura lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit. Me mundësitë e produktit politik rajonal, ende asnjë vend ballkanik nuk ka arritur të jetë aktor dhe faktor në çështjet e paqes dhe të sigurisë. Ballkani shikohet dhe trajtohet si pjesë e manipuluar, e përgatitur rrjete kriminale të organizuara. Për rajonin ende mbeten të pazgjidhura krizat në Kosovë, RMV, Bosnje Hercegovinë dhe mbi territoret etno – kulturore në Serbi dhe Greqi. Sjellja jo etike sllave dhe greke, shkakton trazime të zonës ballkanike, duke vënë në pikëpyetje çështjet e sigurisë dhe të paqes. Ballkani më shumë se sa anët pozitive, shfaqet sinonim i pasigurisë rajonale. Rreziqet që vijnë nga ndikimi rus dhe ato që shfaqen nga jugu përmes linjave të ekstremizmit, krimit të organizuar dhe terrorizmit transnacional, faktorëve të brendshëm, kërkojnë bashkëpunimin e ngushtë me SHBA-të dhe vendet e NATO. Rrethanat diktojnë, sepse aktualisht Rusia është kërcënimi më i madh i jashtëm i rajonit, si aktor i jashtëm destabilizues, e cila mbjell mosbesim dhe konflikt. Jemi pjesë e rajonit, por situata nuk sjell optimizëm. Gjithashtu, rrezikut për sigurinë kombëtare nga veriu prej qëndrimit destruktiv të Serbisë, rrezikut të terrorizmit ndërkombëtar dhe rreziqeve prej përfshirjes në rrjetet kriminale, nxitja e emigracionit, janë sfida për të ardhmen. Si vend anëtar i NATO-s, Republika e Shqipërisë realizon përpjekje modeste ndaj përgjegjësive dhe detyrimeve në interes të paqes dhe sigurisë. Sfidat e sigurisë shfaqen shumëdimensionale. Ato kërkojnë vendimmarrje politike dhe ushtarake. Arsyeja e fortë janë vendi dhe rajoni ku ndërtojmë jetën tonë. Ballkani vazhdon të vegjetojë si një treg kriminogjen i pjesës tjetër të Europës, Azisë, Afrikës dhe Perëndimit. Ky koncept e vendos Ballkanin në qendër të kritikës dhe lojës politike të instrumenteve ndërkombëtare. Një ndarje e selektuar e monitorimit dhe vlerësimit të rajonit evidenton kriminalitetin e lartë, mungesën e investimeve, korrupsionin, konflikte nacionale dhe fetare, me imazh negativ mbi sigurinë, me konflikte dhe impakte negative me pasoja në formimin e modelit të nevojshëm social, ekonomiko-financiar dhe politik. Sprova jonë mbi filozofinë e paqes, të sigurisë dhe të lirisë, duhet të portretizojë dhe të kthejë në praktikë veprimi mendimin, fjalën, dijen, përvojën, moralin, ekzistencën, shpirtin, frymën, kulturën, solidaritetin, pasionin, kundër ironisë së një realiteti fatalist. Pikpamjet dhe perceptimi ynë, kuptimi dhe gjykimi i situatës, kundër djallëzisë, misterit të zi, konspiracionit, mjerimit, egoizmit, tundimit, “çmendurisë” intelektuale, mashtrimit, luftës dhe shkatërrimit, duhet të ngrihen në nivelin e më të lartë të vetëdijes njerëzore për të vendosur dhe ruajtur ekuilibrin e jetës.


3. Koncepti psikologjik mbi paqen, sigurinë dhe humanizmin mbi jetën
Rëndësia e trajtimit të këtij problemi në këtë takim rinor në emër të Paqes nuk ka të bëjë me zgjidhjet, të cilat qëndrojnë larg nesh. Kemi nevojë për ndryshim në përpunimin e mendimit dhe përsosjen e metodologjisë së depërtimit në vetëdijen njerëzore, në raportet individ – qytetar me shtetin dhe shoqërinë, përmes gnoseologjisë, si disiplinë filozofike. Ajo parashtron mundësitë, praninë e çështjeve psikologjike, të vërtetësisë dhe kritereve të njohjes së tyre. Ta konkretizojmë për të qenë më pranë problemit. Mbështetur në konceptin gjithëpërfshirës gnoseologjik mbi Paqen dhe Sigurinë, edhe pse çështja merr karakter psikologjik, ajo synon ripërtëritjen e mendimit dhe ideve mbi to, duke i vlerësuar në mënyrë shkencore përballë sfidave të kohës. Estetizmi moral (humanizmi) në çështjet e Paqes dhe Sigurisë, nuk është dukuri epokale, sepse jeta jonë sjellë ndryshimet e saj në kohë. Për ne ka rëndësi perceptimi i ndjenjave, kuptimit dhe dobishmërisë brenda këtij humanizmi në dobi të paqes dhe sigurisë. Jemi modeli më i keq në botë në masivizimin e emigracionit (½ e popullsisë), duke mos menduar asnjëherë mundësinë e riatdhesimit. Shqipëria renditet në vendin e 116-të për popullsinë më të palumtur në botë. Fakte jo shumë dashamirëse për të ardhmen e vendit tonë. Psikika jonë brenda konceptit “paqe e siguri”, është lëkundur, drejt transformimit me ndjesi pacifiste. Problemi në Shqipëri nuk është se njerëzit dinë shumë pak për to, por fakti që dinë shumë gjëra që nuk qëndrojnë dhe nuk garantojnë sigurinë njerëzore. Planifikimet mund të bëhen lehtë sipas koncepteve doktrinare, por në mjedisin shqiptar lidershipi politik, ushtarak, akademik dhe ai i shoqërisë civile, nuk arrijnë të shmangin veprimin e separatizmit mes nesh. Çdo ditë ndryshon struktura e mendimit, ajo sociale dhe urbane. Në opinionin publik rrallë kush mendon për kërcënimet dhe rreziqet që kanosen, duke menduar se paqja dhe siguria do të jenë të përjetshme. Po shkëputemi nga ndryshimi i qenies tonë në kohë, duke menduar se rreziku është larg, larg nesh. Jo të nderuar pjesmarrës, atë e kemi pranë dhe midis nesh. Mund të jemi antar të NATO dhe pjesë e mbrojtjes kolektive, por nuk jemi në gjendje të përballojmë pasojat, që shkakton lufta hibride, një tjetër lloj lufte shumëformëshe dhe tepër e rrezikshme. Psikologjia qytetare është e painformuar për këtë rrezik potencial mbi paqen dhe sigurinë e jetës. Individi është tulatur përballë “kronikës së zezë”, zhurmës mediatike, mungesës së transparencës. Çdo ditë pjelloria e tokës ulet dhe betonizimi merr përmasa të frikshme. Burimet ujore vazhdojnë të shterojnë. Flora dhe fauna janë në trajtim të pakontrolluar. Botimet dhe përkthimet nga autorë të huaj vërshojnë pa kriter. Reformimi i arsimit të lartë ndjek rrugën pa transparencë dhe pa menduar se si ndikon në ardhmërinë kombëtare. Ultimatumi i religjionit fillon të veprojë. Në 10 shkollat e kryeqytetit zbatohet projekti – pilot për futjen e mësimit të kulturës fetare në sistemin arsimor. Por ka më shumë se sa kaq. Brenda tre viteve të fundit shfaqen mbi 600 vatra zjarri me dëme të pallogaritshme, kryhen sulemet kibernetike mbi serverin shtetëror, rritet penaluiteti, dështime financiare, situata kriminale brenda burgjeve, përvoja të hidhura prej revoltave, korruptim i administratës shtetërore, shitje pa kriter të pasurive kombëtare, privatizime korruptive, diktat dhe presion psikologjik me taksa e çmime, duke rritur varfërinë dhe pasigurinë. Atëherë, çfarë ngjyre ka paqja dhe siguria në mjedisin tonë shqiptar? Në këto 32 vite pretenduam se fituam demokracinë dhe lirinë, por kemi humbur realisht mbi 2 milionë njerëz, të cilët vazhdojnë të shtohen duke braktisur Shqipërinë. Themeli i suksesit individual për të garantuar paqen dhe sigurinë është liria për të zgjedhur mënyrën e jetesës në raport me shtetin dhe pushtetin. Sot kontrata e qytetarit me kombin, shtetin dhe fuqinë kombëtare ka pësuar krisje dhe pasiguri, me qëndrime naive ndaj planifikimeve strategjike. Situata dikton shtresëzimeve akademike, intelektuale, rinore dhe kombëtare të gjejnë rrugët më të mira në funksion të jetës tonë. Fatkeqësisht sot populli dhe rinia kanë vendosur të mbrojnë pushtetin politik dhe jo shtetin. Në shtetin tonë qasja “paqja dhe siguria e para” duket larg pasigurive të përditshme që diktojnë në mendimin e qytetarëve të thjeshtë shqiptarë. Mos më thoni që jam gabim në këtë konstatim të rënëdë socialpolitik. Këtu kemi prekur së bashku elementin më delikat që rrezikon paqen dhe sigurinë e jetës tonë. Paqja nuk është mungesë e as produkt i luftës, ajo është virtyt. Është pikërisht kjo cilësi universale, kozmike, që mund dhe duhet të hedh vështrimin drejt marrëdhënieve njerëzore, të cilat kanë në themel dhe kërkojnë lirinë, e theksoj, lirinë. Pse sot i kushtojmë kaq rëndësi konceptit marrëdhënie dhe dorëdhënie? Kuptojmë thjeshtë se, atje ku ka shtrëngim duarsh ka dhe marrëdhënie. Po perifrazoj një thënie profetike: “Nëse do të shohim një të keqe, të mundohemi ta evitojmë me forcë, nëse s’kemi forcën, atëherë të përdorim forcën e fjalës, e nëse edhe për këtë nuk kemi forcë, atëherë të përdorim forcën e zemrës tonë”. Paqja dhe dashuria duan zemër dhe ato sot për sot janë armët më të forta të njeriut. Janë këto që sjellin marrëdhnëniet dhe marrëveshjet me duart shtrënguar fort nën bekimin e njerëzve të paqes. Marrëdhënia, dorëdhënia dhe miqësia, janë komplementare apo sinoniom të njera – tjetrës, janë virtyte dhe veprime, që sheshojnë luftrat, zbusin varfërinë, shërojnë epidemitë, ushqejnë solidaritetin, shuajnë urrejtjen dhe ngjizin bashkejetësën. Këto janë urat midis dy brigjeve, që bashkojnë njerëzit në paqe e harmoni. Ato janë si reaksion kimik, zinxhir. Nga marrëdhëniet e lira, lindin të tjera marrëdhënie më të dobishme, e kështu me radhë, për sa kohë ligji universal i tyre, ekuivalenca nuk do të shkelet. Më dëgjoni me kujdes dhe qetësi, se çfarë ndryshimi epokal do të vinte, nëse do të garantonim marrëdhënie krejt të reja midis shtetit dhe popullit. Aty ku prishet ekuivalenca mes shtetit dhe popullit, nuk ka vend për paqe, siguri dhe harmoni, sepse marrëdhënia është disiplinë shkencore, që rregullon sjelljen e shoqërisë. Për të duhet të punojë në çdo qelizë të saj. Ajo është molekula që ka për atom bazë ekuivalencën. A mund të preket atomi?! Sigurisht që jo, fuqia e tij është shkatërruese. Ai shpartallon filozofinë, dijen, politikën, ekonominë, sigurinë, shtetin dhe vetë njeriun. Në të tre këto dimensione; përmes lirisë, hapësirës dhe kohës, mund të ndërtojmë marrëdhënie, të cilat na bëjnë të ndryshojmë mënyrën e të menduarit, botën dhe jetën tonë. Marrëdhëniet mbi këto tre shtylla, janë të dobishme dhe të domosdoshme. Ato duhet të jenë zonja e parë dhe e rëndë, në krye të vendit dhe të meritojë respektin tonë. Këtë fuqi magjike kanë marrëdhëniet popull-shtet dhe shtet-popull, të formësuara dhe mbështetura në fjalën e pastër dhe të plotë, demokraci. Këtë fjalë nuk e kam gjetur unë, atë e ka gjetur Sokrati në lashtësi, ne këtu vetëm sapo largohemi nga aty ku nuk duhet të jemi. Këtu do të fillojë çlirimi i vërtetë i shpirtit njerëzor. Mbase duhet të ndryshojmë pa diskutim të gjithë, pa përjashtim të gjithë. Koha që jetojmë është pasuria jonë, ajo nuk duhet shpërdoruar me gjëra pa vlerë. Jeta jonë para se sa të jetë e tillë, është marrëdhënie, por koha ndëshkon pa mëshirë, duke rrëshqitur nga duart para syve taën. Të gjithë duhet të zgjohemi, të ecim me të dhe jo kundër saj. Mendja dhe syri ynë punojnë vetëm kur janë të hapura. Ky është shansi për shoqërinë e hapur, e cila mund dhe duhet të ndryshojë në interes të paqes dhe sigurisë njerëzore. Kjo vlen si për dy njerëz, si për një komunitet, po ashtu për popuj, kombe dhe shtete. Shkencat sociale e politike pa këtë mekanizëm disiplinor po prodhojnë shoqërinë primitive, që shkatërron çdo ditë nga pak ekuilibrin human dhe paqësor të njerëzimit. Ndihemi të rrezikuar. Respektimi i dijeve për paqe dhe siguri janë vetë gjallimi i Ekzistencës. Mendjet e ndritura t’i bashkojmë, të thurim ëndërra, të kompozojmë me bindje të ardhmen, në mbështetje të luftës kundër luftës, kundër filozofisë së errësirës që po na mbyt. Asnjëherë të mos ngurrojmë dhe të lejojmë që koha të çvlerësojë parimet e saj.

*(Ligjeratë e mbajtur në Forumin Rinor të DMPP, në 1.10.2022)


Spread the love


Leave a Reply