LUFTA DHE DOBITË E SAJ

Spread the love

“Sa të ketë njerëz do të ketë edhe luftëra”. – Albert Ajnshtajn.

Nga Enis Reçica

[Msc, Integrime Evropiane dhe Administratë Publike]

Abstrakt

       Njeriun, përgjatë gjithë historisë e kanë përcjellë luftërat. Të njëjtat pasqyrojnë një veprim politik, fillimisht mes individëve, e më pas të popujve, kombeve e shteteve. Përmes luftës, aktorët synojnë t’i arrijnë synimet që me metoda të tjera nuk i mbërrijnë dot. Së fundmi, edhe Rusia po tenton që përmes luftës (agresionit) mbi Ukrainë ta arrij qëllimin e saj, që përmes paqes nuk mundi ta detyroj Kievin zyrtar për të mos shprehur interesim mbi anëtarësimin në NATO.

       Pavarësisht se sa e dhimbshme është lufta në Ukrainë, dhe se sa shumë plagë njerëzore e dëme në masë sjellin përgjithësisht luftërat, në njërën anë, ka edhe dobi nga to. Shtetet arrijnë t’i realizojnë interesat e tyre përmes luftës, duke detyruar tjetrin të bëjë atë që dëshiron – i forti. Edhe në aspekte ekonomike, luftërat janë aktivitete që sjellin qarkullim të majm parash. Madje, në qarqe të caktuara studiuesish, argumentohet se lufta nis vetëm për përfitime ekonomike, sidomos në shitblerjen e armëve, që njihet si një prej sektorëve më profitabil. Kësisoj, edhe nga lufta në Ukrainë, janë kompanitë e mbrojtjes dhe derivateve amerikane, që po sjellin të ardhura të majme. E po ashtu edhe sektori i teknologjisë ka shtuar të hyrat, siq është rasti i kompanisë së dronëve Bayraktar të Turqisë, që po përdoren në Ukrainë. E shembuj të tillë, të përfitimit nga lufta, ka edhe në rrugëtimin historik. 

Fillimi dhe mbarimi i një lufte

       Nga 24 shkurti i vitit 2022, bota perëndimore u tronditë nga një konflikt mbi Ukrainën, që për Rusinë sulmuese është “agresion” (luftë që nuk është shpallur zyrtarisht ende, por vetëm si aksion e invazion). Për botën perëndimore, hyrja e trupave ruse e armatimi ajror mbi territorin ukrainas, është një luftë madje me përmasa gjenocidiale, siç e quajti edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, kur iu drejtua popullit të tij, pas ngritjes së çmimeve të produkteve, “buxheti i familjes suaj, fuqia juaj për të mbushur serbatorin e makinës, nuk duhet të varet nga shpallja e luftës ndaj Ukrainës dhe kryerja e gjenocidit nga ana e një diktatori në anën tjetër të botës”[1]. Zyrtarisht apo jo, efektet e këtij konflikti po ndihen në gjithë botën, sidomos në ngritjen e çmimeve të produkteve esenciale, derivateve, vajit e drithërave.

       Beteja mes Rusisë e Ukrainës, ringjalli diskutimet teorike të luftës. Shumë kush, pas përfundimit të Luftës së Ftoftë, nisi diskutimet se Lufta ka marr formë të re, sidomos pas zhvillimit të teknologjisë. Në këtë periudhën e fundit, lufta hibride dhe informative është tejet e theksuar mes shtetesh, por që pasojat nuk janë në njerëz e në shkatërrime në masë. Andaj, u besua se lufta, si aktivitet vrasës e shkatërrues i së kaluarës, mbaroi. Por, “tradicionalistët, nga ana tjetër, fokusohen në vazhdimësinë. Ata pretendojnë se ndërsa karakteri i luftës ka ndryshuar, natyra e saj thelbësore vazhdon”.[2] Kësisoj, lufta çdo herë është kuptuar si shfaqje e një grupi të organizuar, të armatosur, dhe shpesh si një “konflikt i zgjatur” që është kryer në mes të shteteve, kombeve, ose palëve të tjera, shprehimisht me dëme nga agresioni ekstrem apo  përçarjeve sociale dhe e shprehur zakonisht me shkallë të  lartë të vdekshmërisë. Martin van Creveld, që cilësohet si njëri nga më të mirët në teorinë e luftës dhe strategjisë “e përkufizon luftën si dhunë e organizuar për të arritur qëllime politike”[3]. Lufta cilësohet edhe si një formë e dhunës politike, meqenëse, janë politikat shtetërore ato që nisin luftën, apo edhe vet njerëzit siç janë thellë-thellë qenie politike,  siç thotë edhe Aristoteli “njeriu është kafshë politike”. Egërsinë e kafshës, njeriu mund ta shpalos pa doreza në fushë betejat e luftës. Përmes luftës, popujt, kombet a shtetet tentojnë të detyrojnë palën tjetër, të bëjë veprime apo mos veprime siç i shko përshtati të parit – të fortit. Kësisoj, lufta përcaktohet një nga agjencitë e mëdha me të cilat progresi i njerëzimit është realizuar. Prej kohësh luftërat ekzistojnë, dhe shumë kombe-shtete janë bërë nga luftërat. 

       Por, shpesh herë nuk dihet se kur përfundon zyrtarisht një luftë. Ndonëse, as nuk dihet se kur zyrtarisht fillon një luftë. Siç është rasti i agresionit rus mbi Ukrainë, ku edhe zyrtarisht Moska nuk ka nënshkruar aktin e luftës, porse në terren, forcat e tyre po bëjnë shkatërrime e vrasje mbi tokën ukrainase. E kur të përfundoj, nuk dihet nëse presidenti rus, Vladimir Putin do të vendos për “përfundim të luftës zyrtarisht” apo për ndalje të agresionit apo armëpushim. Në këtë situatë, parashihen disa metoda të përfundimit të luftës. E njëjta “mund të jetë një zgjidhje e negociuar që u sinjalizon forcave ushtarake, publikut në vendet pjesëmarrëse dhe shteteve të tjera se lufta ka mbaruar. Njëra anë mund të jetë fitimtare dhe të vendosë kushtet e zgjidhjes…, dhe luftërat mund të përfundojnë përmes asgjësimit të njërës palë ose tjetrës. Apo një luftë thjesht të shuhet pa ndonjë njohje formale se e njëjta ka përfunduar”[4]. Përfundimet e luftrave, të qfarëdo tipi qofshin, i lëshojnë vendin vuajtjeve të dëmeve anësore. 

      Ekzistojnë disa variacione të idesë se luftërat e mëdha në sistemin ndërkombëtar janë rregullisht të përsëritshme. Një pikëpamje e tillë i lidhë luftërat e mëdha me luhatjet e gjata në ekonominë botërore me kohëzgjatje rreth pesëdhjetëvjeçare. Një mënyrë tjetër trajtimi i lidh luftërat e mëdha me një përsëritshmëri 100-vjeçare të mbështetur mbi krijimin e rënien e rendeve botërore[5]. Kjo, masë si nevojë e një rigjallërimi të fuzionimit ekonomik global, dhe lipset si nevojë krijimi i krizave, për të rifreskuar investimet, e qarkullimin e parave. Historia njeh rastin (fokusohemi në shekujt e fundit nga shtetet perëndimore) e mbisundimit të Spanjës në shekullin 16, atë të Holandës në shekullin 17, Britanisë së shekullin 19 dhe tani jemi duke u mbisunduar nga një hegjemoni Amerikane, e cila tenton të mbaj luftën larg tokës së saj, duke ndërhyrë në shumë shtete të botës. Njëherësh, SHBA është shteti me fuqinë më të madhe ushtarake, duke shpenzuar më së shumti në ushtri, krahasuar me shtetet e botës. Së fundmi, “Kongresi miratoi një projekt-ligj masiv për shpenzimet e Pentagonit prej 783 miliardë dollarësh për vitin fiskal 2022, Presidenti Biden kërkoi një shumë të madhe 813 miliardë dollarë për vitin 2023”[6].

Dobitë e një lufte

       Me të vërtet lufta është zemërthyese, por pavarësisht ajo ka dobitë e saj, të cilat vetë lufta synon ti arrijë. “Luftërat fillojnë me vendime të vetëdijshme e të arsyeshme të mbështetura mbi përllogaritje të bëra nga dy palët, sipas të cilave ato mund të arrijnë diçka më shumë nëpërmjet luftës sesa duke mbetur në paqe”[7]. Si parim, në secilën nismë luftuese, synohet të përfitohet diçka. Dikush pavarësinë ndaj një shteti tjetër, dikush të drejta më të mëdha, dikush edhe territor të zgjeruar. Nga dobitë e saj është se ajo stimulon rritjen kombëtare, zgjidhë ndryshe problemet e patretshme të ekonomisë politike të vendit, ku me përfundimin e luftës, historia njeh raste të shpeshta të ringjalljeve ekonomike të shteteve luftuese dhe spastrimit të një kombi homogjen. Lufta në të vërtet ka përfitimet e saj, kjo është arsyeja pse luftërat ndodhin. Në fakt, nëse ju shikoni në vizionin për të ardhmen, një shtet në luftë të vazhdueshme e konsideron jetike ruajtjen e një status quo-je në kuptimin ekonomik[8].

       Kompanitë mund të bëjnë një shumë të madhe të të hollave, nëse ato shesin produkte të nevojshme për luftë. Ka qëndrime që luftërat shkaktohen me qëllime që armët ushtarake tu shiten shteteve luftuese dhe në këtë formë të gjitha rezervat e industrisë ushtarake të kenë përfitime të majme. Në një intervistë të bërë së fundmi nga ekonomisti amerikan, njëherësh ish pjesëtarë i ushtrisë amerikane, referuar zhvillimeve mes Rusisë dhe Ukrainës, Daniel Ellsberg thotë se “lufta është shumë fitimprurëse për njerëzit që po furnizojnë ato armë për ta vazhduar”[9]. Duke iu referuar zhvillimeve të pranverës së sivjetme (2022), Shtetet e Bashkuara u fokusuan shumë në “luftim” nga larg të Rusisë, “duke dërguar më shumë armë në Ukrainë, duke ndihmuar në vendimet strategjike dhe duke dhënë miliarda ndihmë. Së fundmi ata miratuan një projekt-ligj që siguron gati 14 miliardë dollarë për të financuar mbrojtjen e Ukrainës kundër Rusisë”[10]. Në këtë shembull të freskët lufte, kemi hapëruar në lëvizje të çmimeve, që po ngriten çdo ditë, sidomos në sektorin e derivateve. Por, edhe këtu, dikush përfiton. “Kompanitë e naftës dhe prodhuesit e armëve tashmë po shohin fitime nga pushtimi ukrainas. Aksionet e Lockheed Martin dhe Northrop Grumman, dy nga kompanitë më të mëdha të mbrojtjes në SHBA, u rritën me 20% në javën pas pushtimit, dhe çmimet e gazit në SHBA arritën një rekord prej 4,33 dollarë për gallon”[11]. E për naftën, shtetet perëndimore po i bëjnë presion njëra tjetrës, me theks të veçantë SHBA po tenton të shtyj gjithë Bashkimin Evropian të krijoj strategji tërheqëse që të mos varet nga nafta dhe gazi rus. Në një skemë të tillë, janë kompanitë e mëdha amerikane e perëndimore, që prodhojnë naftë, ato që mund të përfitojnë lehtësisht nga këto lëvizje të orientimit të ri global. “Kompanitë amerikane po bëjnë presion për të rritur prodhimin vendas të naftës. Në Kaliforni, një koalicion dypartiak ligjvënësish po i kërkon guvernatorit Gavin Newsom të rrisë prodhimin e naftës në shtet…, kjo sugjeron që njerëzit e pasur do të bëhen shumë më të pasur”[12].

       Më pas, rindërtimi i pasluftës në shumë vende do të josh investitorët dhe bizneset për ndërtim dhe prodhuesit e tjerë të pajisjeve të ndryshme. Shembull, në Ukrainë, ndonëse lufta është ende në zhvillim, dëmet infrastrukturore janë miliardëshe. Në gjysmë të prillit, “Banka Botërore konsideron se dëmet nga pushtimi rus i Ukrainës arrijnë në vlerë prej 60 miliardë dollarësh”[13]. Në anën tjetër, vet presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka thënë se “Ukrainës do t’i duhen 7 miliardë dollarë në muaj për të kompensuar humbjet ekonomike të shkaktuara nga lufta”[14]. Sigurisht, këto para do t’i siguroj nga ndihma e huazuar apo nëpërmjet kredive nga organizatat ndërkombëtare apo edhe shtetet përkrahëse. Në anën tjetër, Rusia parashihet të ketë humbje të larta financiare, për ta furnizuar ushtrinë e saj në territorin e Ukrainës. Kësisoj, “kostoja ditore e luftës për Rusinë mund të kalojë 20 miliardë dollarë”[15] duke përfshirë shpenzimet që do t’i bëjë për personelin ushtarak, municionet, karburantet, raketat e lëshuara, e çdo gjë tjetër të nevojshme për këtë betejë.

       Luftërat gjithashtu priren të përqendrohen në kërkime dhe zhvillimin e produkteve të reja teknologjike. Synimi i luftës në këtë kontekst paraqet bërjen e eksperimenteve ashtu si ka ndodhur në Hiroshima dhe Nagasaki e shumë raste e vende të tjera. E në Ukrainë, kundër forcave ruse po përdoren disa dronë ushtarak të prodhuara në Turqi, që sipas shumë raportimeve edhe nga ana e ukrainasve, të njëjtit po korrin sukses në terren. “Bayraktar TB2 është 6,50 metra i gjatë dhe 12 metra i gjerë. Ky dron mund të qëndrojë mbi 24 orë në ajër dhe arrin shpejtësinë maksimale rreth 220 km në orë”[16]. Është një çmim i tmerrshëm për të paguar, por ka përfitime.

       Përfitime tjera mund të jetë blerja e tokave të tilla si rasti i Izraelit në luftën e vitit 1973, i cili u mundësoi qytetarëve të blejnë toka për të zgjeruar kufijtë dhe të vendosen në territoret e ndaluara më parë[17]. Historikisht, mjetet ushtarake kanë qenë mjeti më veprues ndikues për kontrollin e një territori, kurse luftërat shpesh kanë çuar në ripërcaktimin e kufijve shtetërorë[18]. Edhe Kosova, është një shembull, që luftën kundrejt Serbisë, e përdori për të qenë e pavarur në territorin e saj, deri në pavarësim të shtetit më 2008.

       E nëse e shohim luftën, si një aktivitet për të tentuar mbrojtjen e paqes së botës, duke luftuar agresorët e dhunshëm që i njohu bota, sigurisht edhe në këtë vështrim historia ka shembuj. Lufta e Dytë Botërore ka eliminuar Hitlerin, si një kërcënim për paqen në botë. Lufta e Dytë Botërore nuk kishte ndodhur Holokausit. Edhe pse shpëtimi i tyre nuk ishte pika kryesore e luftës, ajo ishte një prej efekteve të luftës. Kur lufta shpëton njerëzit nga tmerret si kjo ose jetojnë nën regjimet e këqija, ajo qartë mund të shihet veprim i dobishëm. Pa Luftën e Dytë Botërore, Evropa dhe SHBA ndoshta do të ishin nën sundimin nazist, ndërsa Azia do të ishte nën sundimin japonez. Lufta e Dytë Botërore ndoshta është një nga rastet e pakëta në të cilën të dy palët, fitimtarët dhe humbësit, përfituan nga lufta; fituesi nga mposhtja e tiranit, ndërsa humbësit duke u liruar nga tirani. Pra, gjatë kësaj lufte, çdo gjë që kishte ndodhur ishte në përputhshmëri me fitoren e të gjithëve[19]. Kësisoj, edhe pas shumë humbjeve në njerëz, e dëmeve të tjera që i lë pas një luftë, përfundojmë me qëndrimin e Daniel Ellsberg se edhe “një luftë e dështuar është po aq fitimprurëse sa një luftë fituese”[20].

Bibliografia

  1. Goldstein,  Joshua S. et Cooper, Louis F. Marrëdhënie Ndërkombëtare, pëkthyes Starova, Ariana e Teuta, Dituria, 2003.
  2. Goldstein,  Joshua S. et Cooper, Louis F. Marrëdhënie Ndërkombëtare, pëkthyes Starova, Ariana e Teuta, Dituria, 2003.
  3. Enotes – Stydy smarter. 2012, February 28. Are there any benefits of wars?    http://www.enotes.com/political-science/discuss/there-any-benefits-wars-118683, 08.04.2012
  4. Pentagon Spending, Friends Committee on National Legislation, https://www.fcnl.org/issues/us-wars-militarism/pentagon-spending?gclid=EAIaIQobChMIo5qJq7LX9wIVB4bVCh1LFA-iEAAYAiAAEgIxIvD_BwE
  5. The North Amerikan Review. 1891, December. The Benefits of  War, S.B.Luce http://www.jstor.org/stable/25102290?seq=2, 08.04.2012
  6. Mallett, Kandist. Who Benefits From War? What to Keep in Mind About Military Conflicts,  https://www.teenvogue.com/story/who-benefits-from-war-reminders, 18 mars, 2022
  7. Metz, Steven. dhe Cuccia, Phillip, DEFINING WAR FOR THE 21ST CENTURY, https://www.files.ethz.ch/isn/126626/pub1036.pdf, shkurt 2011

Resurse nga mediat:

  1. Who really benefits from war?, Intervistw e Daniel Ellsberg pwr UpFront, AlJazera, https://www.aljazeera.com/program/upfront/2022/4/29/who-really-benefits-from-war, 29 prill 2022.
  2. Biden përdori për herë të parë fjalën “gjenocid” për veprimet e Rusisë në Ukrainë, https://www.trt.net.tr/shqip/bota/2022/04/13/biden-perdori-per-here-te-pare-fjalen-gjenocid-per-veprimet-e-rusise-ne-ukraine-1811636, 13.04.2022
  3. Banka Botërore: Dëmet në Ukrainë arrijnë në 60 miliardë dollarë,  https://www.koha.net/bote/321777/banka-boterore-demet-ne-ukraine-arrijne-ne-60-miliarde-dollare/ 21 prill 2022.
  4. Lufta në Ukrainë mund t’i kushtojë Rusisë mbi 20 miliardë dollarë në ditë, https://www.aa.com.tr/sq/bota/lufta-n%C3%AB-ukrain%C3%AB-mund-ti-kushtoj%C3%AB-rusis%C3%AB-mbi-20-miliard%C3%AB-dollar%C3%AB-n%C3%AB-dit%C3%AB/2522462, 03.03.2022
  5. Dronët luftarak turq në luftën e Ukrainës, https://www.dw.com/sq/dron%C3%ABt-luftarak-turq-n%C3%AB-luft%C3%ABn-e-ukrain%C3%ABs/a-61036322, 07.03.2022.

[1] Biden përdori për herë të parë fjalën “gjenocid” për veprimet e Rusisë në Ukrainë, https://www.trt.net.tr/shqip/bota/2022/04/13/biden-perdori-per-here-te-pare-fjalen-gjenocid-per-veprimet-e-rusise-ne-ukraine-1811636, 13.04.2022

[2] Metz, Steven. dhe Cuccia, Phillip, DEFINING WAR FOR THE 21ST CENTURY, https://www.files.ethz.ch/isn/126626/pub1036.pdf, faqe 1, shkurt 2011.

[3] Po aty, faqe 2, shkurt 2011.

[4] Metz, Steven. dhe Cuccia, Phillip, DEFINING WAR FOR THE 21ST CENTURY, https://www.files.ethz.ch/isn/126626/pub1036.pdf, faqe 14, shkurt 2011.

[5] Goldstein,  Joshua S. et Cooper, Louis F. Marrëdhënie Ndërkombëtare, pëkthyes Starova, Ariana e Teuta, Dituria, 2003, faqe 199.

[6] Pentagon Spending, Friends Committee on National Legislation, https://www.fcnl.org/issues/us-wars-militarism/pentagon-spending?gclid=EAIaIQobChMIo5qJq7LX9wIVB4bVCh1LFA-iEAAYAiAAEgIxIvD_BwE

[7] Goldstein,  Joshua S. et Cooper, Louis F. Marrëdhënie Ndërkombëtare, pëkthyes Starova, Ariana e Teuta, Dituria, 2003, faqe 196.

[8] The North Amerikan Review. 1891, December. The Benefits of  War, S.B.Luce http://www.jstor.org/stable/25102290?seq=2, 08.04.2012.

[9] Who really benefits from war?, Intervistw e Daniel Ellsberg pwr UpFront, AlJazera, https://www.aljazeera.com/program/upfront/2022/4/29/who-really-benefits-from-war, 29 prill 2022.

[10] Mallett, Kandist. Who Benefits From War? What to Keep in Mind About Military Conflicts,  https://www.teenvogue.com/story/who-benefits-from-war-reminders, 18 mars, 2022

[11] Po aty.

[12] Po aty.

[13] Banka Botërore: Dëmet në Ukrainë arrijnë në 60 miliardë dollarë,  https://www.koha.net/bote/321777/banka-boterore-demet-ne-ukraine-arrijne-ne-60-miliarde-dollare/ 21 prill 2022.

[14] Po aty.

[15] Lufta në Ukrainë mund t’i kushtojë Rusisë mbi 20 miliardë dollarë në ditë, https://www.aa.com.tr/sq/bota/lufta-n%C3%AB-ukrain%C3%AB-mund-ti-kushtoj%C3%AB-rusis%C3%AB-mbi-20-miliard%C3%AB-dollar%C3%AB-n%C3%AB-dit%C3%AB/2522462, 03.03.2022

[16] Dronët luftarak turq në luftën e Ukrainës, https://www.dw.com/sq/dron%C3%ABt-luftarak-turq-n%C3%AB-luft%C3%ABn-e-ukrain%C3%ABs/a-61036322, 07.03.2022.

[17] Enotes – Stydy smarter. 2012, February 28. Are there any benefits of wars?    http://www.enotes.com/political-science/discuss/there-any-benefits-wars-118683, 08.04.2012.

[18] Goldstein,  Joshua S. et Cooper, Louis F. Marrëdhënie Ndërkombëtare, pëkthyes Starova, Ariana e Teuta, Dituria, 2003, faqe 202.

[19] Enotes – Stydy smarter. 2012, February 28. Are there any benefits of wars?    http://www.enotes.com/political-science/discuss/there-any-benefits-wars-118683, 08.04.2012.

[20] Who really benefits from war?, Intervistw e Daniel Ellsberg pwr UpFront, AlJazera, https://www.aljazeera.com/program/upfront/2022/4/29/who-really-benefits-from-war, 29 prill 2022.


Spread the love


Leave a Reply