Lufta hibride serbe e vazhdueshme dhe sharllatanizmi i opozitës sonë

Spread the love

Lufta hibride serbe e vazhdueshme dhe sharllatanizmi i opozitës sonë

Nga Dr Sadri RAMABAJA

Lufta intenzive e Serbisë kundër Republikës së Kosobvës po thellohet. Aktualisht është përqëndruar në veriun e saj me idenë që ta aneksoj përmes një “Aksioni rrëfe”. Prandaj Beogradi duket se ka investuar kohë të gjatë për përçajen e BE-së në këtë plan dhe dezinformimin — duke pritur edhe mbështetje të mundshme nga një lagje shtetesh tradicionalisht të ndërlidhura me interesat serbe. Teknikat e aplikuara në këtë rrafsh, janë pjesë e gamës së luftës hibride edhe kundër demokracive liberale.

“Kush e ka Serbinë, e ka Europën Juglindore”

Rusia tradicionalisht ka mbështetur popujt sllav në Europën Juglindore me idenë që të pengojë depërtimin gjerman në Europën Juglindore që do t’ia mundësonte pastaj asaj shtrirjen e ndikimit drejt Mesdheut. Ndërkaq në epiqendër të kësaj strategjie, ka një shekul e sa, është pikërisht Serbia. Duket se strategët rus kanë përvetësuar mirë formulën e Leninit që ndërlidhej me Gjermanin, kur ai

pohonte se: “Kush e ka Gjermaninë, e ka Evropën”, duke e përmbysur në pozicionin përkatës se “Kush e ka Serbinë, e ka Europën Juglindore”.

Prandaj Ballkani Perendimor është shndërruar në një objektiv i lloit “Softwer-i” për luftën serbo-ruse të dezinformimit.

Megjithatë, Republika Federale Gjermane aktualisht është gjithashtu e përshtatshme si një objektiv i butë për luftën ruse të dezinformimit: ju e bëtë ekonominë e saj më të varur nga energjia ruse sesa demokracitë e tjera perëndimore, dhe gjermanët e pasluftës gjithmonë e kanë përcaktuar identitetin e tyre kombëtar kryesisht në aspektin e fuqisë dhe prosperitetit të tyre ekonomik — të cilat tani duken të kërcënuara seriozisht. Frika nga energjia bërthamore është veçanërisht e theksuar këtu, siç u tregua nga lëvizja masive kundër rikonstruksionit të NATO-s në vitet 1980 deri në vendimin e nxituar për të hequr gradualisht energjinë bërthamore dhjetë vjet më parë. Nëse Kremlini arrin të dalë nga fronti i solidaritetit perëndimor me Ukrainën, mbështetja ndërkombëtare për vendin e pushtuar nga Rusia së shpejti do të zbehet plotësisht.

Ofensiva e dezinformimit ruse nuk është pa efekt. Sipas sondazheve të fundit, rreth 60 për qind e gjermanëve mbështesin rritjen e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës, edhe nëse kjo do të përfshinte nxitjen e Ukrainës për të bërë “kompromise”. Mijëra njerëz kanë demonstruar kohët e fundit në rrugët e Republikës Federale Gjermane kundër politikës së supozuar antisociale të qeverisë federale në krizën e energjisë — të cilën ekstremistët nga e djathta në të majtë e përdorin si një skenë për të brohoritur emrin e kriminelit të shekullit — Putinit dhe për të shpifur kundër viktimave ruse në Ukrainë duke i cilësuar ata si “nazistë”. Ndërkaq në këtë garë udhëheqësi i AfD-së ekstremiste shkon edhe më larg, duke mos pranuar ta cilësoj asesi publikisht në ZDF Putinin si kriminel lufte, ndërkaq këtë me lehtësi e bën për Xhorxh W Bush-in.

Ndikimi i mediave ruse të drejtuara nga shteti (RT, Sputnik et.al.) në opinionin publik në Ballkanin Perendimor dhe jo vetëm, është tashmë i njohur. Për këtë ka analiza të bazuara e mirë-dokumentuara nga institucione të specializuara në SHBA, Francë dhe Gjermani. Qeveria Federale gjermane ka vënë në dukje vazhdimisht rreziqet e propagandës shtetërore ruse për peizazhin mediatik gjerman.[1] Parlamenti Evropian ka kërkuar vazhdimisht që vendet anëtare të miratojnë strategji kundër “propagandës armiqësore” të Moskës. Komisioni i BE-së ka krijuar një departament të vogël për të gjurmuar lajmet e rreme ruse. Studimet nga vendet perëndimore të disponueshme deri më tani për këtë temë përpiqen të demonstrojnë me përpikëri efektet e dezinformatave ruse në skenat e medias ose opinionin publik.[2] Këto institucione kanë vënë në pah prezencën e ndikimit rus edhe në hapësirën shiptare. Ndërkaq ndikimi serb është edhe më i pranishëm se ai direkt rus.

Kurthi i Beogradit

Lufta hibride e Beogradit e gërshetuar me atë propagandistike kundër Qeverisë së Kosovës dhe popullit të saj, ka po të njejtat elemente të luftës hibride ruse. Por, nëse korpusi politik serb ka filluar të ndjejë çarjen e domosdoshme që po sell presioni i Perndimit në raport me pozicionimin e Beogradit kundruall Rusisë, edhe ndaj Kosovës në javët në vijim, një pjesë e opozitës sonë dhe një lagje e mirë e mediave [me theks TV-të dhe portalet], për fat të keq, identifikohen me propagandën serbe.

Informacioni respektivisht dezinformacioni, ka qenë gjithmonë një armë e përdorur për të mashtruar kundërshtarët politik dhe në dobi të agjendave të veçanta politike. Në Kosovë ka kohë që ky fakt është notar. Prijnë për këtë portale, që nga qendrat studimore perendimore janë shenjuar si dorë e zgjatur e Sputnik-ut. Dhënia e qëllimshme e informacionit të rremë me qëllim mashtrimi quhet dezinformim.[3] Në një studim specifik të kryer nga një qendër hulumtuese e mediave, janë publikuar specifikat e lajmit të rremë — dezinformatave nga media shtetërore ruse në Gjermani.[4]
 Nëse ky studim nxjerrë konkluzionin se Gjermania është një fokus i rëndësishëm i ofensivës së mediave ruse, pa dyshim fokus i mediave serbe mbetet Kosova. Është tejet urgjente që një studim i kësaj natyre të bëhet edhe në Kosovë.

Në propagandën e orjentuar për ndërkombëtarët, Beogradi po tenton ta prezantojë vetveten tashmë si viktimë, ndërkaq serbët e Kosovës vazhdon t’i përdorë si instrument për të argumentuar këtë propagandë. Mediat dhe specialistët e propagandës serbe e karakterizojnë këtë rrëfim si “vetëviktimizim”. Në këtë proces në Serbi ka kohë që është ndërtuar mentaliteti i kampit për t’ju kundërvënë Perendimit dhe Qeverisë së Kosovës. Kjo u potencua edhe më qartë në reagimet histerike të presidentit serb pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, emroi Nenad Rashiqin ministër për kthim dhe komunitete.

Rashiqi konsiderohet si përfaqësuesi i një prej forcave politike të minoritetit serb në Kosovë, e cila është dëshmuar se mbronë interesat e komunitetit serb që e ka pranuar realitetin politik të krijuar në Kosovë pas 8 Shkurtit 2008. Por, pikërisht ky fakt e pengon pinjollin e Sheshelit, terroristin e katapultuar në krye të shtetit. Prandaj ai humbet arsyen dhe shigjeton ashpër Rashiqin, duke e cilësuar si “llumi” më i keq i serbëve, bashkë me Rada Trajkoviqin, që pritet të jetë pjesë e kabinetit të Rashiqit.

Por, edhe më ashpër Vuçiqi fshikulloi kryeministrin e Kosovës, duke i dhënë epitetin që më së miri i shkon vet atij. 
E qartë, në prag të fillimit të dialogut në Bruksel, ai tashmë ka humbur tërësisht arsyen, prandaj akuzon edhe BE-në për qëndrimin e saj gjoja “anti serb”!
Në fund të prononcimit për një tv serb Vuçiqi krejtësisht i qatrafillosur këlthet: “Qëndrim i mjerë, antiserb, të cilin e treguan, sepse atë që ka bërë koka e terroristit Albin Kurti…” nuk e paskan dënuar! Prandaj paralajmron plot mllef se nuk do të udhëtojë për Tiranë më 6 dhjetor, ku do të mblidhen liderët e vendeve të Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor.

Këtë mentalitet e kanë përvijuar jo pa sukses edhe në qarqet e një lagjeje të opozitës sonë që dominohet nga drejtues sharllatan. 
Lufta në Kosovë ka mbaruar më 12 qershor 1999, por paqja e drejtësia nuk janë vënë në vend. Tash pas 22 vjeëtve Serbia pretendon të ndërroj pozicioniet: nga ushtruese e krimit dhe gjenocidit ndaj popullsisë shqiptare, të kalojë në pozicionin e viktimës. Lufta e Serbisë në Kosovë derisa ka ngelë e pandëshkuar, jo vetëm sa ka ndërruar formë dhe bëhet në hapësira të tjera nga fushëbetejat. Prandaj thirrjet-kukuvajka të ca analistëve në studiot tona se “ne kemi fituar Republikën, por edhe Serbia duhet të fitojë diçka” janë produkt i kësaj lufte speciale që po vazhdon me mjete tjera nga ato të fushbetejës. 
 Ky lloj reagimi ngjan në një “Agenda-setting” që studiuesi i njohur Stephan Russ-Mohl e ka shpjeguar me gjuhë fare të thjeshtë. “Në qoftë se është në rend të ditës sëmundja e gripit të shpendëve, në fund të fundit do të duhet të japë deklaratë për këtë gjë edhe Kryeministri — që për këtë arsye nuk do të flasë mbi reformën në pensione apo mbi taksat e pranimit në universitet”. Por, në rastin e Kosovës ilustrimin e tij Stephan Russ-Mohl do ta ndërlidhte me këto deklarata banale të “këshilltarëve” të përjetshëm të kryeministrave tanë që mbesin në skenë tutje si Spin-Doktor, respektivisht manipulues mediash.

Në njërin nga TV-të serbe, në intervistën që dha ministri i jashtëm serb të mërkurën që lamë pas [më 30 dhjetor 2022], vazhdoj ta cilësojë Vetëvendosjen si forcë politike marksiste-leniniste, maoiste etj, që nuk ka asgjë të bëjë me vlerat e demokracisë liberale. Ndërkaq, jo rrallë, në mediat tona, duke tërhequr paralele mes të majtës dhe të djathtës ekstreme, shkohet edhe në absurd sa të cilësohet Vetëvendosja si organizatë nacionalsocialiste e tipit të nazizmit gjerman! Tërheqja e paraleleve mes fondit të shkronjave që paska përdorë Lëvizja Vetëvendosje nga dalja e saj në skenë me ato të Nacionalsocialistëve, e bën këtë luftë hibride tepër të dukshme! Për fat të keq, me këtë stil të propagandës antiqevritare, po atë mbrëmje, në njërin nga debatet telvizive, unë u përballa me njërin nga kryeredaktorët e një portali me seli në Prishtinë që është pozicionuar qartë si zë i opozitës! 
 Jam i prirë të besoj se ky absurditet banal nuk duhet të jetë produkt i kolonës së pestë, meqë në rastin konkret, kemi të bëjmë me injorancë profesionale dhe mungesë totale të formimit teorik mbi lëvizjet politike dhe historinë politike në Europë, rrjedhimisht edhe me lëvizjet e majta moderne, siç është Vetëvendosja. Përndryshe në këtë kurth që ka ngritur Beogradi në luftën hibride kundër Republikës së Kosovës dhe Kombit tonë në përgjithësi, janë zënë keq jo vetëm segmente të opozitës sonë sharllatane, por edhe një lagje e mirë e mediave tona. Shih për këtë, ato duhet ndihmuar që të lirohen. E vetmja mënyrë që të arrihet ky efekt me dobi shumëdimensionale, si për pozitën edhe për opozitën, e mbi të gjitha për opinionin tonë publik që po bombardohet nga kjo propagandë e ultë, është publikimi i studimeve si ai gjerman që zumë në gojë më lartë, e mbi të gjitha funksionalizimi i Republikës dhe thellimi i bashkëpunimit të mekanizmave tona të sigurisë me simotrat e tyre perendimore, përfshirë edhe sferën e luftës kundër krimit të organizuar që, në një mënyrë a tjetër, finanson një lagje të këtyre mediave.

Qasjes serbo-centrike Brukseli duhet t’i jap fund

Heshtja e plotë e komesionerit Europian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, në konferencën në Beograd [më 2 dhjetor], derisa presidenti serb po vazhdonte të villte vrerin kundër Kosovës dhe kryeministrit të saj, duke vazhduar ta cilësoj jo më pak se terrorist, flet shumë për moralin e dyfishtë të këtij personaliteti.

Me këtë heshtje Varhelyi, përballë këtij pinjolli të Milosheviqit, që nuk e fsheh qëndrimin racist kundruall popullit shqiptar, si një terrorist tipik modern që është, flet më shumë për pozicionin ku e ka sjellë BE-në si komisioner i këtij resori me peshë. Natyrisht nga një politikan që në këtë pozicion të lartë në BE vije si mik i ngushtë i neofashistit Orban, nuk ishte e logjikshme të pritej sjellje tjetër.

Kjo sjellje, sidoqoftë, flet shumë për këtë lloj të qasjes serbo-centrike të një lagjeje shtetesh të BE-së dhe nevojën që Brukseli, por pse jo edhe Tirana dhe Prishtina të marrin shënim.

Kësaj qasje Brukseli, ka ardhur koha që ta kuptoj se, duhet t’i jap fund.

Përfundim
Pretendimi për ta shndërruar veriun e Kosovës si zonën që shenjon “konfliktin e ngrirë” me potencial shpërthimi, pas Bosnjës (Republika Srbska), është pjesë e agjendës së luftës hibride 
 serbo-ruse. Lufta në Ukrainë i ka shërbyer Beogradit si shkas për rindezjen e motorëve të luftës speciale kundër Kosovës edhe në fushën mediale. Beogradi duke e konsideruar veriun e Kosovës si pesë integrale të “Botës serbe”, përmes tërheqjes së Listës Serbe fillimisht e më pas edhe zyrtarëve të ndryhsëm të sigurisë etj nga pozitat që kishin në institucinet e Republikës në veri, ajo ringjallë konfliktin duke mos ngurruar t’i vë zjarrë rajonit, duke përmbushur kështu një pjesë të axhendës ruse që ka të bëjë me parandalimin e integrimit të Ballkanit Perendimor në BE. Në këtë plan, Beogradi nuk do ët duhej të kishte mbështetje edhe nga segmente të politikës dhe mediave të Kosovës. 
 Mediat në Kosovë nuk guxojmë t’i shndërrojmë në armë të ngrehura të luftës për agjendat e huaja.

_______________________________

1. Shih më gjerësisht: https://www.freiheit.org/de/deutschland/russische-medien-auf-dem-balkan

2. Po aty

3. Desinformation, Rechtschreibung und Bedeutung, duden.de, https://www.duden.de/rechtschreibung/Desinformation.

4. Shih: Policy Paper_FNF_Russische Medien_final.pdf


Spread the love


Leave a Reply