Marrëveshja e Brukselit për shtegun drejt njohjes

Spread the love

Marrëveshja e Brukselit për shtegun drejt njohjes

Dr Mark Veller

Rregullat e sistemit ndërkombëtar krijohen nga qeveritë. Qeveritë, në kushte normale, e shohin si detyrë të tyre të parën ruajtjen dhe mbrojtjen e integritetit territorial të shtetit që e përfaqësojnë. Prandaj sistemi ndërkombëtar është i stivosur kundër atyre që kërkojnë pavarësinë pa pëlqimin e qeverisë qendrore. Historia e shkatërrimit të Biafrës secesioniste nga Nigeria ndërmjet viteve 1967-1970 apo fati i katalonjasve në Spanjë tash së voni, e dëshmojnë këtë fakt me bollëk.

Pra, nuk është befasi që Kosova është ballafaquar me një luftë tejet të rëndë për ta fituar, e më pas për ta konsoliduar pavarësinë e saj, përballë kundërshtimit të Serbisë. Kjo u dëshmua në Konferencën e Rambouillet-it, që i ngjasonte një tenxhereje nën presion, në negociatat e Ahtisaarit që pasuan dhe në negociatat e mëvonshme që u udhëhoqën nga Brukseli. Në secilin hap kishte një ndjenjë të fuqishme se Serbia do të duhej kompensuar për koncesionet e bëra në lidhje me Kosovën dhe, në fund, edhe për humbjen e Kosovës.

Deri më tash Serbia është përpjekur që të nxjerrë përfitime nga ky fenomen, duke shikuar të nxjerrë shumë e më shumë koncesione, fillimisht nga ndërmjetësit, më pas nga Kosova, në secilën fazë, pa u zotuar se do të japë ndonjë gjë në këmbim. Kosova, nga ana tjetër, tashmë e ka ritheksuar se ka ofruar të drejta të zgjeruara për serbët etnikë në Kosovë dhe për çështje të tjera që janë brengë legjitime e Serbisë.

Pa dyshim, procesi i Ahtisaarit që shpuri drejt shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e detyroi Kosovën që të bënte kompromise të rëndësishme. Disa thoshin se atëherë këto nënkuptonin një derogim nga sovraniteti i Kosovës, në çastin kur sovraniteti u arrit më në fund. Në të vërtetë, megjithatë, këto nuk ishin koncesione që iu bënë Serbisë, apo vetëm Serbisë. Këto ishin pjesë e marrëveshjes me bashkësinë e organizuar ndërkombëtare si tërësi, para se Kosova të mund të kërkonte të bëhej pjesë e rrethit të shteteve sovrane. Bashkësia e shteteve nuk do ta kishte pranuar Kosovën po qe se kjo nuk do t’i merrte, me lirinë e plotë, obligimet në lidhje me minoritetet e veta dhe çështjet e tjera që i ngriti dokumenti i Ahtisaarit.

Kjo strategji u shpagua. Me gjithë fushatën përherë e më të pashpresë të Serbisë kundër njohjeve, çështja është se mbi gjysma e shteteve në botë e kanë njohur Kosovën. Për më tepër, koncesionet që ishin bërë atëherë, nuk ishin aq dramatike sa paraqiteshin ndonjëherë. Shumica, si standardet e avancuara për trajtimin e pakicave, janë dëshmuar si praktikë e mirë dosido.

Arsyeja është se Kosova është një demokraci liberale e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit. Pranimi i një sistemi të fuqishëm të të drejtave të njeriut dhe të pakicave në fakt nuk është humbje. Është fuqi. Për më tepër, zbatimi i hershëm i këtyre standardeve do të shpaguhet – secili kandidat për anëtarësim në BE do të duhej të dëshmonte se i pranon dhe i respekton plotësisht këto kërkesa. Kosova, pra, tash është një hap para brenda rajonit në kuptimin e të drejtave të njeriut, lirisë së shtypit dhe përpjekjeve për t’i çrrënjosur efektet mbytëse të korrupsionit.

Në fakt, situata aktuale e paraqet një përvojë unikale për Kosovën. Më në fund, pozita e saj shumëvjeçare e disavantazhit strukturor në sistemin ndërkombëtar karshi Serbisë ka ndryshuar radikalisht. Kosova i ka përmbushur, dhe vazhdon t’i përmbushë, të gjitha detyrimet që dalin nga Marrëveshja Ahtisaari, që shpuri drejt pavarësisë së saj. Tash, papritur, Serbia më në fund e gjen veten nën presion për të vepruar.

Ky presion lidhet për procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE. Nën Kapitullin 35 të kritereve për anëtarësim, ajo duhet të dëshmojë se ka arritur normalizim gjithëpërfshirës dhe ligjërisht të obligueshëm të raporteve me Kosovën. BE-ja nuk do të mund ta pranonte një anëtar të ri që aktivisht mban pretendime ndaj territorit të një fqinji, duke e përfshirë në Kushtetutën e vet. Në fund Serbia do të detyrohet ta njohë Kosovën, në rast se nuk do që të mbetet jashtë në acar, e izoluar në mes të Evropës.

Natyrisht, në këtë çast, nuk është e qartë po qe se popullata e Serbisë ende do të ishte në favor të anëtarësimit në BE. Megjithatë, kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vështirë se mund ta këtë luksin që të bëhet i vetmi njeri në historinë e kombit të vet që e ka humbur mundësinë që t’i bashkohet bashkësisë së vlerave perëndimore. Izolimi përherë më i madh i Federatës Ruse, si pasojë e pushimit ilegal të Ukrainës, dora e shtrirë e miqësisë nga Moska si një alternativë ndaj integrimit euroatlantik nuk duket të jetë aq tërheqëse në këtë kontekst.

Kosovës iu premtua që nga fillimi i dialogut të udhëhequr nga BE-ja se një normalizim gjithëpërfshirës, në fakt është kodi përshkrues që nënkupton kërkesën që Serbia në fund duhet ta njohë Kosovën. Megjithatë, duke pasur parasysh ndërrimin e disponimit të opinionit publik në Serbi, BE-ja dhe SHBA-ja janë gjetur nën presion për ta futur Serbinë në BE, para se popullata e saj ta humbë krejtësisht besimin në integrimin evropian. Kjo do të thotë se edhe një herë Kosova rrezikonte që t’i sakrifikoheshin interesat në altarin e kalkulimeve gjeostrategjike të Fuqive të Mëdha.

Në veçanti, ishte edhe rasti i zbutjes së pozicionit të vendosur nga liderët e mëdhenj të brezit paraprak, sikurse ishte Angela Merkel. Ishte e palëkundshme në qëndrimin e saj se Serbia nuk mund të jetë kandidate për anëtarësim në BE nëse nuk e njeh Kosovën. Megjithatë, me shkuarjen e brezit të Merkelit, ekzistonte rreziku që ky kusht të mund të tretej. Nëse Serbia nuk do të tregonte vullnet të ecte para me çështjen e njohjes së Kosovës, disa sugjeronin se mbase do të duhej pastruar shtegun e saj drejt BE-së me zbutjen e këtij kushti. Kjo mund të ishte e nevojshme në mënyrë që të bëheshin përpjekjet për ta lidhur Serbinë për Perëndimin para së të bëhej vonë.

Kjo brengë tashmë është tejkaluar. Pushtimi rus i Ukrainës dhe përpjekja e Serbisë që t’i akomodojë edhe pushtuesit rusë nën udhëheqjen e kryetarit Putin, si dhe aleancën Perëndimore që e përkrah kryetarin ukrainas Volodimir Zelensky, nuk janë pranuar mirë në Washington dhe Bruksel. E gjetur në pozitën nën trysninë pazakonshëm të rëndë, Serbia përnjëherë iu nënshtrua presionit që të vendoste, njëherë e përgjithmonë, nëse e sheh veten si pjesë të Perëndimit, apo si klient i ish-Perandorisë sovjetike.

Kosova është dashur të manovrojë me shumë kujdes në këtë ambient. Me qasjen e vet në procesin e normalizimit, i kontrollon kriteret kyç për anëtarësimin e Serbisë në BE dhe integrimin më të gjerë në Perëndim. Po të luante keq, liderët perëndimorë do të mund të nxirrnin përfundimin se interes më i madh për ta do të ishte ta joshnin Serbinë nga kampi i tyre. Kjo mund të nënkuptojë zbutjen e kuptimit të asaj çfarë do të thotë “normalizimi”, përfshirë madje edhe kërkesën për njohjen e shprehur të Kosovës. Kjo do ta shfuqizonte Kosovën në këtë proces.

Nga ana tjetër, po qe se Kosova do ta luante lojën me kujdes, do ta konsolidonte pozicionin e vet. Në fakt, ajo do të mundte, për herë të parë në histori, ta kthente balancën e interesave në sistemin ndërkombëtar që gjithmonë kishte ofruar terren të pabalancuara në favor të Serbisë.

Tash, papritur, Serbia ishte ajo që u ballafaqua me një situatë të vështirë. Do të duhej që zyrtarisht të hiqte dorë nga pretendimi i sanksionuar me Kushtetutë, se Kosova është territor i saj. Do të duhej ta tejkalonte narrativen e vet nacionaliste që disi shpreh pretendimin se Kosova është zemra e saj historike. Dhe do të duhej ta bënte njohjen zyrtarisht. Këto janë kërkesa të rënda dhe, duhet pranuar, nuk janë fare të lehta për Serbinë.

Nga ana tjetër, ishte gjithashtu e qartë se nuk do të kishte vendim të menjëhershëm për njohjen e Kosovës nga Serbia. Askush nuk do ta priste një kthesë të këtyre përmasave nga ana e Serbisë në këtë çast. Pra, nëse është kështu, a do të thotë kjo se procesi i integrimit i Serbisë në BE, hë për hë i ndalur, do të mbeste i pezulluar, në kohën kur ekzistonte frika se Beogradi po rrëshqiste drejt orbitës së Moskës?

Këtu hyri nisma gjermano-franceze. Përderisa dueti i përbërë nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrel, dhe nga përfaqësuesi i tij i posaçëm për normalizimin, Miroslav Lajçák, po arnonte një kornizë të tyren për një marrëveshje eventuale normalizimi, dy kryeqytetet, të përkrahura nga Italia, e paraqitën një propozim, në disa forma, mendjehollë.

Gjermania e kujtoi përvojën e saj të detantit në vitet ’70 të shekullit të shkuar. Deri në atë çast, Gjermania Perëndimore dhe ajo Lindore nuk e njihnin njëra-tjetrën. Kjo nënkuptonte se nuk mund të bëheshin anëtare të OKB-së. Raportet e tyre të pazgjidhura shkaktonin probleme të tjera në menaxhimin e raporteve ndërkombëtare të të dyja palëve. Për ta adresuar këtë problem të përbashkët, më 1972 të dy Gjermanitë e arritën Marrëveshjen Bazë. Në të e pranuan se do të ketë dallime në interpretimin e statuseve të tyre juridike. Megjithatë, gjithashtu u pajtuan për një diçka që nënkuptonte njohjen de facto.

Në veçanti, u pajtuan se një shtet nuk mund ta ushtrojë juridiksionin në raport me territorin e tjetrit apo të përfaqësojë atë që ndodh në territorin e shtetit tjetër në nivel ndërkombëtar. Gjithashtu u pajtuan që t’i këmbejnë misionet diplomatike, edhe pse nuk i quajtën ambasada. Në vend të kësaj, u quajtën Misione të Përhershme. Dhe ishte e qartë që të dyja, së bashku, do të pranoheshin në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Propozimi fillestar franko-gjerman e ofroi një kopje të asaj marrëveshjeje nga 1972-a, me disa shtesa e mungesa. Koncepti qe që të dyja palët do të merrnin një hap të madh para drejt normalizimit të raporteve të tyre në praktikë, duke e lënë çështjen e njohjes së ndërsjellë për një hap të radhës në formën e marrëveshjes përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme.

Për Serbinë, kjo mund të jetë atraktive, ngase e liron nga presioni i njohjes hë për hë. Për Kosovën, ka disa elemente të rëndësishme dhe të dobishme në këtë qasje, por edhe kjo ngërthen rreziqe.

E para, duhej të sigurohej se BE-ja nuk do ta merrte këtë marrëveshje fillestare si një përmbushje të kërkesës për normalizim gjithëpërfshirës, pra, hapjen e shtegut drejt anëtarësimit të palëve në BE pa njohje. E dyta, ekzistonte rreziku që kjo marrëveshje fillestare do të mund të ofronte mbulesë për Serbinë që ta shtyjë deri në pafund arritjen e normalizimit gjithëpërfshirës. E treta, marrëveshja siguronte konfirmimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake të arritura në procesin e normalizimit në Bruksel. Kjo përfshinte marrëveshjen e parë të Brukselit të 2013-s, që e futi konceptin kontrovers të Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe.

Këta tre faktorë e bënë Kosovën që të hamendej. Kjo qasje cyti rrezikun që të përmbyste pabarazinë strukturore, që për herë të parë në fakt e favorizonte Kosovën. Tash, duke pasur parasysh këtë ngurrim, dukej se që të dyja, Serbia e Kosova, njësoj po e pengonin procesin e normalizimit — një proces që për SHBA-në dhe BE-në nuk kishte të bënte në rend të parë me Kosovën, por me gjeopolitikën që e përfshinte Rusinë dhe rrëmbimin që kjo ia bënte Serbisë.

Pa dyshim, kishte tendencë që të fajësohej Kosova — viktima e represionit të madh dhe e mohimit të të drejtave, si dhe të vrasjeve dhe të zhvendosjeve masive gjatë luftës së 1999-s që ia bëri Serbia – për pengimin e progresit, e jo Serbia e cila nuk kishte lëvizur asnjë milimetër drejt çështjes esenciale të njohjes së identitetit juridik të Kosovës.

Prandaj Kosova, krahas Serbisë, iu nënshtrua një presioni të rëndë diplomatik nga partnerët e saj perëndimorë. Bri shteteve të BE-së, në veçanti Gjermanisë dhe Francës, të cilave iu bashkua Italia, edhe SHBA-ja u përfshi më thellë. Kosova u kërcënua se do ta humbte përkrahjen e aleatëve të saj tradicionalë dhe me izolim diplomatik — një çështje shumë me peshë për një shtet sikurse Kosova që ka njohje të pjesshme ndërkombëtare dhe i cili ende varet nga mjetet që vijnë nga jashtë për ta zhvilluar ekonominë e tij.

Në këtë situatë, dukej mjaft e qartë se çfarë duhej të bënte Kosova. Duhej ta rifitonte iniciativën diplomatike dhe ta kthente disi alancën e interesave që më në fund e favorizonte pozicionin e saj. Dhe duhej ta bënte pa u detyruar për koncesione të cilat nuk mund t’i bënte.

Duke i shtyrë para këto qëllime, Kosova do të mund të përfitonte nga elementet e politikës së kryeministrit në ardhje, Albin Kurti. Ai kishte insistuar që nga fillimi që procesi i normalizimit në esencë kishte të bënte me njohjen, e jo për më shumë marrëveshje sektoriale për këtë apo atë çështje. Më shumë se kaq, njohja ishte vetëm njëri hap drejt qëllimit më të gjerë — t’i mundësohet Kosovës që ta konsolidojë plotësisht pozitën e saj në botë, t’i marrë përgjegjësitë si anëtare e OKB-së dhe të punojë për anëtarësimin në BE. Për të, dukej, të gjitha marrëveshjet paraprake normalizimi të ndërmjetësuara nga BE-ja ishin më pak relevante sesa qëllimi madhor.

Kjo qasje qe e papëlqyeshme për lehtësuesit në Bruksel. Përderisa të gjithë e dinin se normalizimi në fund duhej ta përfshinte edhe njohjen, gjithashtu e dinin se kjo nuk ishte gjë që do të mund të realizohej menjëherë. Prandaj zgjodhën që ta përpunonin disi punën e normalizimit dhe të shtojnë edhe ca marrëveshje të pjesshme për çështje specifike. Qeveria Kurti u përpoq që ta kthente njohjen në qendër të procesit.

Kjo strategji mori një përkrahje të rëndësishme kur presidenti amerikan Biden e shprehu përkrahjen e tij për procesin e normalizimit të udhëhequr nga BE-ja dhe shtoi se “ky proces duhet të përqendrohet në njohjen reciproke”. Pak më vonë, kancelari gjerman Olaf Scholz do të thoshte: “Është e qartë se marrëveshja do të duhej të zgjidhte çështjen e njohjes së Kosovës, për shkak se është e paimagjinueshme që dy shtete që nuk e njohin njëra-tjetrën mund të bëhen anëtare të BE-së”.

Më në fund, më 6 korrik 2022, Parlamenti Evropian, që pjesërisht e kontrollon mandatin e lehtësimit të BE-së, si institucion kyç i BE-së miratoi një rezolutë që theksonte se dialogu i Brukselit duhej ta mbërrinte një “marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme të bazuar në njohjen e ndërsjellë”.

Ishte e qartë se nisma franko-gjermane, ashtu siç u pranua nga lehtësuesit e BE-së, nuk e ofronte njohjen zyrtare, de jure. Por ofronte elemente që e nënkuptonin njohjen si fakt, por jo me ligj. Marrëveshja Bazë, së cilës iu zotuan të dyja palët të hënën, kërkon që të dyja palët të zhvillojnë “raporte normale, të mira fqinjësore me njëra-tjetrën në bazë të të drejtave të barabarta”. Do të sillen sipas qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së, përfshirë edhe “barazinë sovrane të të gjitha shteteve, respektimin e pavarësisë së tyre, autonomisë dhe integritetit territorial, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin”.

Këto janë, natyrisht, obligimet kyç që i karakterizojnë raportet mes shteteve plotësisht sovrane. Pa dyshim, duke pasur parasysh referencën që i bëhet barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë dhe të drejtës së vetëvendosjes, është vështirë madje të dyshohet se Beogradi nuk e ka njohur ekzistimin e Kosovës si shtet sovran me pranimin e kësaj marrëveshjeje. Pavarësisht kësaj, kryetari Vuçiq natyrisht se menjëherë e reduktoi rëndësinë e pranimit të këtyre 11 neneve, si dhe të preambulës së Marrëveshjes Bazë.

Marrëveshja Bazë gjithashtu shton se palët do t’i zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet e tyre vetëm me mjete paqësore dhe sqaron se zbatohet obligimi i paluajtshëm në të drejtën ndërkombëtare që e ndalon kërcënimin apo përdorimin e forcës në raportet mes shteteve. Sërish, këto kërkesa zbatohen te entitetet që në fakt janë shtete.

Kjo qartësi balancohet me një referencë në preambulën e Marrëveshjes Bazë e cila thekson se “pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit”. Kështu, është e qartë që marrëveshja nuk e sjell njohjen reciproke. Entitetet do ta trajtojnë njëra-tjetrën në trajtën e shteteve sovrane, pa e pranuar formalisht statusin e njëra-tjetrës si shtete dhe do të mbajnë marrëdhënie diplomatike të ndërsjella. Sërish, kjo normalisht do të konsiderohej njohje de facto, edhe pse pa dyshim se do të ketë kontestime të zgjeruara akademike nëse kjo lidhet me këtë marrëveshje apo jo, njëherë që të jetë përmbushur.

Nëpërmjet titullit të vet, marrëveshja gjithashtu e adreson edhe brengën e dytë të madhe të Kosovës. Marrëveshja Bazë ravijëzon një “shteg” drejt normalizimit. Kjo do të thotë, është hapi numër një drejt normalizimit gjithëpërfshirës dhe ligjërisht të obligueshëm. Dhe sikur Parlamenti i BE-së dhe të tjerët e kanë konfirmuar me autoritet sa e sa herë, normalizimi duhet, në fund, ta ketë njohjen në qendër. Hapi numër dy duhet të vijojë pas hapit numër një dhe duhet të ndodhë me qartësi dhe në afat arsyeshëm të shkurtër.

Natyrisht, përderisa substanca është pranuar dhe nuk mund të ndryshohet më në këtë çast, Marrëveshja Bazë vetvetiu nuk është e plotë. Në formën e vet përfundimtare do ta përfshijë një aneks që do të merret me zbatimin. Kosova do të ketë nevojë të bëjë presion për përcaktimin e afateve, jo vetëm në raport me zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe teksteve paraprake, por edhe në raport me përmbushjen e normalizimit.

Diskutimet e mëtejme për zbatimin janë paraparë të mbahen në Ohër, më 18 mars, duke treguar për një orar të përshpejtuar me synim plotësimin e Marrëveshjes Bazë. Një element kyç i diskutimeve do të ketë lidhje me futjen në veprim të disa nga 11 nenet, përfshirë edhe çështjet që janë brengë për Kosovën. Kjo e përfshin njohjen e ndërsjellë nga palët të dokumenteve të tyre dhe simboleve shtetërore, siç janë pasaportat, diplomat, targat e regjistrimit dhe vulat doganore. Ngjashëm janë edhe dispozita të rëndësishme që kanë të bëjnë me sjelljen e Serbisë ndaj fushatës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Madje ekziston dispozita për këmbimin e misioneve të përhershme, sipas shembullit të të dy Gjermanive dhe si i kanë menaxhuar marrëdhëniet e tyre diplomatike

Serbia tashmë ka bërë me dije se ajo do të kërkojë që Kosova t’i përmbushë detyrimet e saj e para. Në veçanti, shumë është diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes së parë të Brukselit për normalizimin nga viti 2013 që parashihte, mes të tjerash, edhe themelimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova ka rezistuar zbatimin e kësaj marrëveshjeje duke argumentuar se nuk mund ta pranojë futjen e rrafshit të tretë të pushtetit që mund ta çrregullojë shtetin, sikurse ndodh me statusin e Republikës Serbe që e çrregullon unitetin dhe integritetin e Bosnjë-Hercegovinës. Për më tepër, teksti i 2013-s gjithashtu parasheh obligime, të cilat nuk janë zbatuar as nga pala tjetër siç kishte qenë e paraparë. Kësaj duhet shtuar se Kosova argumenton edhe se marrëveshjen e ka ratifikuar zyrtarisht, ndërsa Serbia nuk e ka bërë këtë. Serbia gjithashtu nuk i ka zbatuar një sërë marrëveshjesh të tjera që kanë dalë nga procesi i Brukselit, dhe nuk është e arsyeshme që fokusi të përqendrohet te zbatimi ose jo i vetëm njërës marrëveshje.

Çfarë është më thelbësore, siç e konfirmon edhe Catherine Ashton, ish-shefja e Politikës së Jashtme dhe e Sigurisë të BE-së, që i udhëhoqi negociatat më 2013, Qeveria e atëhershme e Kosovës vetë e propozoi këtë bashkësi. Kjo kishte për qëllim të shërbente si kompensim për Serbinë për ndërmarrjen që do ta bënte Serbia drejt shpërbërjes së strukturave paralele të pushtetit, posaçërisht në veri të Kosovës dhe për t’i lejuar Kosovës që ta ushtrojë juridiksionin e vet sovran në të gjithë territorin pa pengesa apo ndërhyrje. Është e tepërt të thuhet se kjo nuk u realizua.

Pra, Serbia ia doli ta shfrytëzojë çështjen e Marrëveshjes së parë të Brukselit si mjetin për ta përmbysur disavantazhin e saj në të gjithë procesin e normalizimit. Ia doli ta bindë BE-në dhe në fund me gjasë edhe SHBA-në se miratimi i Statutit të Bashkësisë nga Kosova do të ishte element esencial për përparimin e mëtejmë. Dështimi i Kosovës për ta zbatuar premtimin nga 2013-a u transformua dhe përnjëherë u pa si bllokuesi kryesor i procesit të normalizimit, e jo Serbia e cila nuk lëvizte para drejt njohjes. Qasja gjeostrategjike ndaj çështjes, përfshirë edhe rirenditjen e botës pas agresionit rus ndaj Ukrainës, e ekspozoi Kosovën ndaj një trysnie të theksuar.

Këshilla që iu dha Kosovës për një kohë ishte që ta kopjonte shembullin nga bisedimet nën Ahtisaarin. Në atë proces, Kosova e parashikoi me saktësi se partnerët e saj do t’i konsideronin të drejtat e minoriteteve si çështjen kyç, ndaj së cilës Kosova do të tregonte më së shumti rezistencë. Kështu, Serbia do ta përdorte këtë çështje si shkopin kryesor për ta rrahur Kosovën, me idenë që ta lënë Kosovën në pozicionin e palës penguese.

Megjithatë, Kosova e parandaloi planin. Në vend se të priste që partnerët ndërkombëtarë ta impononin një zgjidhje ndaj rezistencës dhe pa i përfshirë ata në ndërtimin e planit, Kosova vetë u mor me çështjen. E nisi një proces konsultimesh me përfshirje të gjerë me komunitetet pakicë, i shqyrtoi praktikat dhe standardet evropiane dhe e ofroi një vizion mjaft të detajuar për mbrojtjen e pakicave. Kjo krejtësisht e topiti shpatën që duhej rrahur Kosovën në procesin e negociatave. Në vend të kësaj, çështja u zhduk nga lista e çështjeve të kontestuara dhe vizioni i Kosovës u miratua në pjesën më të madhe.

Ngjashëm, në këtë rast, mendohet se Kosova mund ta përdorte faktin se Gjykata e saj Kushtetuese kishte vendosur kufij për atë se çfarë mund të jetë bashkësia dhe se çfarë do të mund të vepronte konform Kushtetutës së Kosovës. Sikurse në procesin Ahtissari, Kosova mund ta projektojë vizionin e saj për Statutin, në përputhje të plotë me ligjin dhe praktikat e Kosovës dhe duke iu referuar shembujve të përshtatshëm ndërkombëtarë. Kjo do ta hiqte temën e Bashkësisë nga rendi i ditës dhe do ta shtynte BE-në dhe Serbinë që të vazhdojnë me substancën e bisedimeve.

Është korrekte të thuhet se Qeveria e Kosovës nuk reagoi me entuziazëm ndaj kësaj ideje, duke u frikësuar se përfshirja me punën e Bashkësisë në fund do të mund të shpinte drejt imponimit të një zgjidhjeje të papranueshme. Megjithatë, historia e negociatave të Kosovës tregon se mosveprimi është ai që çon te imponimi nga jashtë i propozimeve edhe më të papranueshme.

Megjithatë, ngurrimi i Kosovës sa i përket kësaj çështjeje u dëshmua të jetë i dobishëm në kohën kur u përpilua Marrëveshja Bazë që tash është përkrahur nga të dyja palët. Aty nuk përmendet shprehimisht Marrëveshja e Brukselit e 2013-s. Fjalët ‘Bashkësia e Komunave me shumicë serbe’ nuk figurojnë askund në tekst. Në vend të kësaj, i bëhet një referentë e tërthortë për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetadministrimit për bashkësinë serbe në Kosovë dhe kapacitetin për ofrimin e shërbimeve në sfera specifike. “Vetadministrimi” e ka zëvendësuar fjalën vetëqeverisje në tekst, si koncesion ndaj Kosovës.

Kosova ka marrë garanci nga partnerët e saj se mund ta zhvillojë një vizion të vetin për ta përmbushur këtë kërkesë e që nuk e krijon rrafshin e tretë të pushtetit në Kosovë. Është çështje koordinimi të kompetencave të cilat tashmë i gëzojnë komunat relevante. Këto nuk mund të marrin vendime ekzekutive si një trup – në vend të kësaj, është mekanizëm bashkëpunimi parësisht në raport me ofrimin e shërbimeve praktike dhe të nivelit të ulët.

Është gjithashtu me rëndësi të sigurohet se cilido mekanizëm për koordinim funksional mes komunash nuk e shkel detyrimin e mosdiskriminimit. Ky ishte rasti te procesi Sejdiq dhe Finci para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku u konstatua se disa dispozita të mbështetura në Marrëveshjen e Daytonit duheshin hedhur poshtë mbi bazën e diskriminimit etnik apo fetar.

Për më tepër, siç u theksua më lart, duhet kujtuar se propozimi për bashkësinë e reflektuar në Marrëveshjen e 2013-s duhej të shërbente për të balancuar një obligim që kishte marrë Serbia. Ky obligim ishte shpërbërja e strukturave paralele në veri. Kjo kërkesë, kryesisht e pazbatuar, do të duhej ritheksuar. Kjo do të mund ta zbusë edhe brengën e Kosovës për financimin që vjen nga Serbia. Në praktikën ndërkombëtare, shtetet fqinje ofrojnë financim për minoritetet e veta, por përbrenda kufijve të juridiksionit të atij shteti fqinj dhe në formë krejtësisht transparente.

Serbia do të mund të përgjigjej se Neni 10 i Marrëveshjes Bazë e konfirmon obligimin e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve nga dialogu që mbesin të vlefshme dhe obliguese. Në rend të parë, kjo vlen si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë dhe për të gjitha marrëveshjet, e jo vetëm për tekstin e 2013-s. Nuk është e qartë se përse vështrohet vetëm performanca e Kosovës dhe përse vetëm një çështje po ngrihet. E dyta, sa i përket tekstit nga 2013-a, dispozitat e saj duhen të interpretohen në kuptimin e gjuhës të cilën të dyja palët e kanë pranuar në Marrëveshjen Bazë. Kjo gjuhë është në pajtim me vizionin e paraqitur më lart.

Serbia gjithashtu mund të insistojë se mekanizmi për hartimin e Statutit duhet të jetë ai që është paraparë më 2013. Megjithatë, një dekadë ka kaluar dhe shumë nga institucionet relevante lokale hë për hë nuk kanë personel. Në vend të kësaj, Kosova mund të ofrojë të nisë konsultime të gjera edhe me, posaçërisht me qytetarët serbë etnikë, komunat e prekura dhe të dalë me një projekt të besueshëm.

Çfarëdo qasjeje tjetër do të ishte iluzore. Nëse Statuti ka për qëllim të miratohet dhe madje të kalohet si pjesë e rendit juridik të Kosovës, duhet të zhvillohet me kompetencë teknike të nivelit të lartë dhe në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Përndryshe, Qeveria nuk do të jetë e aftë për ta siguruar miratimin e tij dhe qëndrueshmërinë e mëtejme.

Një sferë tjetër brengosëse është pozita e Kishës Ortodokse Serbe. Disi, lehtësimi duket se e vlerëson këtë si një sferë e cila nuk është trajtuar hollësisht. Megjithatë, ekziston një nivel i lartë i dispozitave që kanë të bëjnë me liritë fetare në Kosovë në Kushtetutë. Për më tepër, dokumenti i Athtisaarit, që është pjesë sipërore e rendit juridik të Kosovës, përfshin një mbrojtje të gjerë për komunitetin ortodoks serb, për pronën e tij dhe lokacionet historike, kulturore dhe fetare të lidhura për të. Pa dyshim, dikush do të mund të argumentonte se nuk do të ishte punë e mençur që të rihapej ky kapitull duke pasur parasysh se kjo tashmë është fuqishëm në vend.

Dispozitat e miratuara në atë kohë ndodhën në kohën e përshtypjeve të fuqishme nga lufta dhe ngjarjeve pas saj, përfshirë edhe trazirat e 2004-s. Një sistem mjaft rigoroz i zonave të mbrojtura qe vendosur, që i mbron lokacionet por edhe i izolon nga kontakti i lehtë me bashkë fetarët dhe bashkësitë në mjedisin e tyre më të afërt. Po të ishin hartuar këto dispozita sot, me siguri nuk do të kishte nevojë për një sistem kaq rigoroz të mbrojtjes që e izolon Kishën, në vend se ta integrojë në jetën e Kosovës.

Marrëveshja Bazë u referohet modeleve ekzistuese evropiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore si udhërrëfyes për këtë çështje. Këto, natyrisht as që i afrohen nivelit të mbrojtjes së ofruar aktualisht Kishën Ortodokse Serbe, lokacionet dhe ritet e saj. Sërish, nuk është e qartë nëse rihapja e kësaj çështjeje do ta ndihmonte në fakt çështjen e Kishës Ortodokse Serbe.

Sido që të jetë, e sigurt është se nuk do të ketë lëvizje nga ana e Kosovës për ta rishikuar atë për të cilën tashmë është pajtuar apo për t’u tërhequr nga kjo. Bindja është se Qeveria e Kosovës ka pak apo nuk ka fare ngurrim që të merret me Kishën Ortodokse Serbe dhe me çështjet që do të donte t’i ngrinte në lidhje me zbatimin e sistemit aktual dhe për sugjerimet që do të donte t’i bënte për ta përmirësuar ushtrimin e lirisë së rajonit.

Anasjelltas, Kosova mbase do të donte të ofronte mendime se si mund të përdoret përkrahja e saj për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare në mënyrë më të efektshme, pa paragjykime ndaj të drejtave të garantuara dhe autonomisë së Kishës. Janë zotuar me miliona euro nga Qeveria e Kosovës për këtë qëllim e që nuk janë tërhequr nga Kisha Ortodokse Serbe.

Ngjashëm, dokumenti i Ahtisaarit i obligon palët të bashkëpunojnë, ashtu që lokacionet kulturore dhe fetare të jenë të qasshme jo vetëm për pelegrinët apo fetarët, por gjithashtu edhe për qëllimin e edukimit kulturor dhe turizmin. Sërish, siç e konfirmojnë dispozitat ekzistuese, kjo nuk do të duhej të shkelte të drejtën për ushtrimin e lirive fetare dhe jetën e përkushtuar të komuniteteve fetare.

Marrëveshja Bazë gjithashtu u referohet të drejtave të pakicave. Edhe një herë, atë që Kosova u ofron pjesëtarëve të komuniteteve pakicë e tejkalojnë për shumë atë që u ofrohen tjetërkund në Evropë apo çfarë parashihet në standardet e zbatueshme të Këshillit të Evropës. Supozohet se Qeveria e Kosovës nuk do të kishte asnjë ngurrim t’i dëgjonte pakicat etnike, përfshirë edhe komunitetin serb, në lidhje me ndonjë propozim specifik që do të kishte për ta përmirësuar situatën më tej. Dëshmitë deri tash tregojnë se Kosova e respekton nivelin e lartë të asaj që ua ofron. Aty ku telashet vazhdojnë, me gjithë përpjekjet e Kosovës, kryesisht nuk kanë të bëjnë me pjesëtarët e komunitetit serb (romët, për shembull).

Ngjashëm me këtë, nuk duket se ka çfarëdo vërejtjeje për krijimin e një mekanizmi kontakti të dedikuar brenda Qeverisë së Kosovës, edhe në raport me komunitetin serb, siç e sugjeron Marrëveshja Bazë. Është praktikë e mirë nëpër vende të tjera të Evropës dhe nuk do të ishte problematike të veprohet sipas kësaj dispozite të Marrëveshjes Bazë.

Vetë Serbia e ka konfirmuar në raportet e saj dërguar Këshillit të Evropës se është në favor të traktateve bilaterale për pakicat, të cilat i ka lidhur me shumicën e shteteve të veta fqinje. Kjo bën të kuptosh se e njeh parimin e interesit reciprok për fatin e pakicave të një fisi/soji ndër kufij. Kosova me gjasë do të kërkojë debat për këtë çështje duke u mbështetur në frymën e raportimit të Këshillit të Evropës dhe të tjerëve për performancën e Serbisë, edhe ne raport me komunitetin e saj shqiptar etnik, duke iu referuar të drejtave të pakicave dhe raporteve të mira fqinjësore në Marrëveshjen Bazë.

Dispozitat e Marrëveshjes që e adresojnë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare janë gjithashtu me interes. Për Kosovën këto duhen të jenë obligime me rezultate më parë sesa me qëllime.

Thënë të drejtën, edhe nëse Serbia do ta inkurajonte anëtarësimin e Kosovës në OKB, kjo nuk do ta zgjidhte çështjen vetvetiu, duke pasur parasysh veton ruse në Këshillin e Sigurimit. Kundërshtimi i Rusisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB do të vazhdonte duke pasur parasysh qëndrimin e qartë të Prishtinës kundër pushtimit të Ukrainës.

Çështje të tjera në lidhje me anëtarësime janë pjesërisht të varura nga qasja e Serbisë. Për shembull, 27 shtetet e BE-së do të mund të ushtronin ndikim vendimtar për ta siguruar pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Pritjet janë se ashtu do të veprojnë duke pasur parasysh qasjen konstruktive të dëshmuar nga Kosova në raport me Marrëveshjen Bazë. Mbase mund të shpresohet se kjo mund t’i ndihmojë pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën që së paku të nisin ta rimendojnë pozicionin e tyre apo që kjo të kontribuojë në gjetjen e rrugës drejt tejkalimit të pasojave të këtij pozicionimi në raport me hapat e ardhshëm të Kosovës drejt anëtarësimit.

Marrëveshja e konfirmon se palët nisen nga të kuptuarit se asnjëra palë nuk mund ta përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Ky është një koncesion i rëndësishëm nga Serbia, e cila ende pretendon se e ka autoritetin për t’u marrë me çështjet e juridiksionit të brendshëm të Kosovës në raport me aktorët ndërkombëtarë.

Për më tepër, teksti thotë:”Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”. Serbia kishte luftuar shumë që të hiqej fjala “asnjë” nga teksti dhe e ka humbur këtë betejë të veçuar. Kosova do të ketë preferuar që formulimi të ishte pak më pozitiv, që do ta obligonte Serbinë që ta përkrahte aplikacionin e saj për anëtarësim. Se paku Kosova mund ta interpretojë formulimin e zgjedhur në kuptimin se Serbia nuk do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës, që qartazi do të ishte një formë kundërshtimi.

Në raport me BE-në, Marrëveshja Bazë i obligon palët që të mos bllokojnë apo inkurajojnë të tjerët të bllokojnë progresin e palës tjetër në rrugën e tyre evropiane bazuar në meritat e veta. Do të jetë me rëndësi që të sigurohet se ky zotim të qëndrojë edhe nëse ndonjëri shtet anëtarësohet para tjetrit. Shteti i cili i pari bëhet anëtar nuk duhet të ketë të drejtën që ta përdorë veton në raport me kandidaturën tjetër.

Në fund, BE-ja parasheh një pako investimesh dhe përkrahjeje financiare të rëndësishme dhe të veçantë për projekte të përbashkëta të palëve për zhvillimin ekonomik, konektivitetin, transicionin e gjelbër dhe sfera të tjera kyç. Kjo do të aktivizohej që në çastin kur palët do të kenë shënuar progres në zbatimin e Marrëveshjes Bazë. Gjasat janë që Kosova do të donte të përfshinte projekte për të zhvilluar një të kuptuar të përbashkët të historisë së vonshme, të llogaridhënies dhe pajtimit.

Në përgjithësi, Marrëveshja Bazë, siç qëndron tash e paraqet një hap pozitiv para në Kosovë. Është barazi me njohjen si fakt, por jo me ligj, ende.

Duke e siguruar marrëveshjen, Kosova është përkujdesur që të mos i sakrifikojë interesat e tjera thelbësore. Kjo e përfshin edhe të kuptuarit se marrëveshja është pjesë e shtegut drejt një normalizimi gjithëpërfshirës, me synim njohjen, ligjërisht të obligueshme.

Kosova do të ketë nevojë të ecë përpara me çështjet që më herët kanë shkaktuar ngurrim, përfshirë edhe bashkëpunimin funksional të komunave, por këtë mund ta bëjë në bazë të gjuhës së dakorduar në Marrëveshjen Bazë, që është një hap përpara.

Për çështjet e tjera, siç janë kontaktet me Kishën Ortodokse Serbe apo mekanizmi i komunikimit me komunitetin e serbëve etnikë (dhe natyrisht mekanizma të ngjashëm edhe për të tjerët që e duan), Kosova do të mund të zgjidhte qasje proaktive dosido.

Diskutimet që pritet të vijojnë mbi zbatimin do të vazhdojnë të jenë të rënda dhe sfiduese. Gjasat janë që Serbia do të kërkojë t’i rihapë çështjet që janë zgjidhur përfundimisht me 11 nenet dhe preambulën e Marrëveshjes Bazë — tekst që tash nuk mund të rinegociohet. Interpretimet e ndryshme për këtë apo atë çështje do të shfaqen pa asnjë dyshim. Megjithatë, nëse Kosova e mban këtë qasje të angazhimit proaktiv, duke kërkuar zgjidhje konstruktive pa rrezikuar interesat thelbësore, atëherë gjendet, së paku, në një pozitë të mirë startuese. [KOHA/ Përktheu nga anglishtja: ©Flaka Surroi]

Marc Weller është profesor i së Drejtës Ndërkombëtare dhe Studimeve Ndërkombëtare Kushtetuese në Universitetin e Cambridgeit. Ka qenë këshilltar i kohëpaskohshëm i qeverive të Kosovës që nga nisja e diskutimeve për të ardhmen e Kosovës më 1997. Mendimet e shprehura këtu janë ekskluzivisht personale dhe nuk mund t’i atribuohen asnjë qeverie apo institucioni.


Spread the love


Leave a Reply